Tregim satirik nga Niko Nikolla: Arabaja me katër rrota dhe me tri klasë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kur treni doli nga tuneli i Rrogozhinës, unë vura duart në kokë dhe fërkova ballin, sikur doja të kujtoja ngjarje që më kishin ndodhur këtu afro pesë vjet më parë. Atëherë isha vullnetar i hekurudhës së parë, ndërsa tani që po përshkoja këtë rrugë një gazetar që redaksia më kishte dërguar të shkruaja reportazhin tim të parë…! U mundova të kujtoj ngjarje, por në mendjen time ato shfaqeshin të mjegulluara. Kujtova se kisha dëgjuar krisma të forta…!

***

Mbi mua fluturonin gurë. Si për t’u mbrojtur, vura duart në kokë. Ndjeva se balli po më lagej nga një lëng i ngrohtë. Vetja mu duk si të humbisja në hapësirë…

…Pas dy ditësh, kur hapa sytë, prapë nuk merrja vesh se ku ndodhesha. Hapësira më ishte shndërruar në një dhomë të vogël. Po unë nuk po fluturoja, por rrija shtrirë në një shtrat. Dëgjova një gër viu dhe ktheva kokën nga zhurma. Vështrova andej dhe pashë që pranë meje po aviteshin dy hije të bardha.

Në turbullirë mendova:

-Erdhën të më marrin. Po ku do më shpien?

Hijet qëndruan mbi kokën time dhe më thanë:

-Si dukesh?

Me vështirësi thashë dy fjalë:

-Nuk e di.

-Paske jetën e gjatë…!, dëgjova symbyllur të më thoshte një nga hijet.

Pas disa ditësh dola nga spitali dhe u nisa për në brigadën e vullnetarëve të hekurudhës, që i kishte kapanonet pranë çezmës së Rrogozhinës. Bënte vapë dhe vullnetarët ishin shtruar këmbëkryq nën hijen e ullinjve dhe me tasa përpara drekonin. Kur më panë kokë fashuar dhe që po kthehesha me këmbët e mia dikush bërtiti gëzueshëm:

-Brigada, çohu! Për nder armë. Po vjen hoxha i batalionit dhe ju mbllaçiteni!

Engjëlli, shoku im, më përqafoi dhe më zgjati një cigare.

-Tym le të dalë -tha ai

U mundova të qesh, por ndjeva dhimbje në kokë. Pas atyre ditëve, kjo ishte qeshja ime e parë. Më sollën tasin me gjellë patatesh po unë u thashë se më flihej. Tani po kaloja aty sërish por jo me dëshirën për të fjetur: Duhet të shkruaja një reportazh nga këneta e Tërbufit…

 

***

Kur zbrita në Rrogozhinë dhe po prisja të kalonte ndonjë kamion, syri më zuri një qerre me disa stola

dhe dy kuaj.

-Hajde për Lushnjë, për Lushnjë, bërtiste një mesoburrë.

-Në ç’ klasë e do biletën?, më pyeti

-Si në ç’ klasë?! Në qerre!, i thashë.

-Dëgjo ti çun! Qerrja nuk është qerre, po araba. Vërtet ka katër rrota, po ka tri klasë, u hakërrye ai

-Si tri klasa?, vazhdova unë

-Të thashë kjo nuk është qerre po araba. Një rrotë të saj e kam sjellë nga Stambolli. E kam kujtim nga babai që punonte arabaxhi. E desh tërë Stambolli tim atë se qe burrë i zoti… Po kot nuk thuhet se “jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër”. Njëherë ra në Urën e Gallatës, arabaja u prish, por ai shpëtoi.

Kur u nda nga jeta më la amanet që një rrotë të arabasë ta merrja me vete dhe kur të vija këtu të ngrija një araba të re në kujtim të tij… Me jevgun e fshatit të Bishtqethmit, bëmë edhe tri rrota të tjera.

Kështu e bëmë arabanë.

Papritur u kujtua dhe thirri:

-Hajde për Lushnjë, Lushnjë…

U afruan dy kokona dhe një burrë me borsalinë.

-Urdhëroni në klasën e parë!, -tha ai.

Ata hipën dhe klasa e parë u zu.

-Ej ti çun, – mu drejtua, -shko nja ty te çezma dhe mbushna me ujë këtë kovë se plasëm.

Kur u ktheva pashë se më kishte mbetur të hipja vetëm në klasë të tretë.

I thashë pronarit të arabasë:

-Unë do të zbres në Tërbuf

-Këtu biletat paguhen njëlloj. Po unë ty do të bëj një nder do të zbres në Tërbuf…

Sa filloi e përpjeta e Rrogozhinës, arabaxhiu bërtiti:

-Klasa e tretë të zbresë poshtë!

Kur e përpjeta u bë më e madhe ai prapë bërtiti:

Klasa e dytë të zbresë poshtë.

Kur po afroheshim në majë të kodrës ai prapë bërtiti:

-Klasa e tretë të shtyjë karrocën.

Arritëm në majë. Dy kuajt dhe ne të klasës së tretë ishin bërë qull në djersë.

Arabaxhiu tha:

-Ndizni nga një cigare dhe çlodhini sytë duke parë Tërbufin. Një nga kuajt ka rënë në gjumë se dëgjon sazet e ekskavatorit.

Në fakt zhurma e tij vinte deri tek ne. Këneta e shtruar në fushën e gjerë dremiste. Ajo kufizohej tutje me kodrat e Divjakës.

-Njime, hipni të gjithë në araba se kemi të tatëpjetë dhe kuajt s’kanë nevojë për ndihmë.

Liroi kapistrat e kuajve dhe bërtiti:

Hyxhym atllarë!

-Ku do të zbrisni o çun?

-Sa më afër ekskavatorit, i thashë

-E po më afër se këtu nuk ka.., tha ai.

Lexo edhe :  Rekrutimi i ushtarakëve të rinj/ Të rinjtë kanë interes të vazhdojnë arsimin ushtarak

Pastaj ndaloi arabanë dhe ia mori këngës:

Koka në Stamboll

Trupi në Janinë

Të shtrinë Ali Pasha

Të shtrinë…

Zbrita dhe nisa rrugën drejt fushës. Nën hijen e një murrizi pashë një grumbull njerëzish që ishin shtruar me meze e raki.

-Ju bëftë mirë!, -u thashë.

-Bujrum! -u përgjigjën me një gojë. Jepi një kofshë pule djalit se është vafti për mëngjes, i tha një burrë korrozi një djali të ri…

-Rrofshi, u thashë, por më duhet të shkoj tek ekskavatori…

-Po ç’e do ekskavatorin, -tha korroziu serbes.

-Dua të shkruaj për punën që bën ai, u përgjigja.

-Ai bën zhurmë dhe nuk flet se është memec.., tha ai me qesëndi

Hapa sytë.

-Ç’mi bën sytë çakërr? Ekskavatoristi jam unë. Po s’lojta levat unë, ai ngrohet vetëm në diell.

-Po pse ai bën zhurmë?

-Dëgjo more djalë, kush punon ha, kush nuk punon ha edhe pi. Dhe qeshi me të madhe.

Qesha dhe unë.

-Mos qesh, vazhdoi ai -Ai dreq ekskavatori është i pabindur. Po e shojte, s’ka dreq që e ndez më. Prandaj, unë ia kam gjetur hilenë. E lë ndezur.

Nuk e zgjata më se ai dhe shokët e tij ishin çakërrqejf.

Tutje në mes të arrave dëgjova zhurmë. U afrova dhe pashë një makinë shirëse dhe tre a katër burra që ngrinin duaj. Në majë të saj një burrë me gunë krahëve i priste ato dhe hidhte në bukatore. Në vapën e korrikut nuk kisha parë njeri të mbulohej me gunë. U bëra kurioz dhe pyeta:

-Pse nuk e heq gunën?

-Nuk sëmuret njeri nga i ngrohti por nga i ftohti, -u përgjigj duke vazhduar punën.

-Kishin kaluar disa çaste kur makina shirëse pushoi. Guna kishte rënë mbi të.

-Ti je këmbëters! -ulëriti i zoti i gunës…

Në mbrëmje mbërrita në Lushnjë. Gjeta një hotel por sportelisti më tha:

-Vende s’kam. Më dukesh i lodhur dhe po të mos kesh ku të shkosh, nisu nga xhamia. Mund të gjesh ndonjë hasër, ose ishallah ndonjë tabut, se sot nuk ka pasur shumë vdekje nga tifua i morrit të kuq…

U nisa të iki, kur dëgjova të më thërriste:

-Or çun, eja pak, se më vjen keq të flesh jashtë. Po të le krevatin tim. Për nderin që po të bëj më jep gjysmën e çmimit. Unë po vë tabelën: “Vende s’ka”. Kur të vinë myzeqarët do thonë se po fle. Ku e dinë ata se je apo nuk je ti sportelisti.

Tani dil nëpër qytet, ha ndonjë hashure dhe pi ndonjë bozë. Bozën më të mirë e bën Dani… Mos hajde shpejt se punën tënde e bëj unë…!

Dani, pasi fshiu hundën me peshtamall, më mbushi tasin me bozë dhe tha:

-Bozë si kjo nuk gjen as në Stamboll…!

Kur po pija bozën, që ishte e thartë sa uthulla, Dani bërtiti:

-Ç’ke që e shtrembëron surratin si Bab Dudë Karbunara?

Nuk pata kohë ti përgjigjem se para meje u shfaq një burrë i shkurtër, i pakrehur dhe me takije të zgjyrosur:

-Me leje, shoku i deleguar?

-Nuk jam i deleguar, -iu përgjigja.

-Kujt i thua që nuk je i deleguar. O ma zgjidh ti hallin, o nuk ma zgjidh njeri…

-Usta merr paratë!

-O po paratë do të ti marr, po zgjidh hallin e Lim Gomarçes se bën sevap.

-Fol, -i thashë unë

-Dëgjo shoku i deleguar. Unë punoja në baxhon e Karavastasë. Laja fuçitë. Një ditë, nuk di si më erdhi në mend dhe thashë: ty perëndia të thotë se je mbret, kur se ti mbete baxhoxhi. More jam mbret, apo nuk jam mbret?!

-Po ty vetja si të duket?

-Vallahi bilahi, herë-herë më dukej vetja mbret, herë-herë që s’isha mbret. Po ama një ditë mu mbush mendja top se isha mbret. Po mbret nuk mund të ketë në Lushnjë… Më thuaj si ta zgjidh këtë hall.

 

***

Kur u ktheva në redaksi shkrova reportazhin dhe prisja të botohej. U bë mbledhja e redaksisë aty ku sot është Muzeu Kombëtar. Më dërmuan.

-More djalë, po të thamë të shkruash një reportazh me humor pozitiv, kurse ti na shkruan karagjozllëqe?!

I hutuar nga sulmet pyeta me naivitet:

-Po si është humori pozitiv, sepse unë ende nuk di humorin negativ…(!)

-Kollaj fare e gjete ekskavatoristin nën hijen e murrizit duke pirë raki? E çoje tek ekskavatori…!

-Po ai nuk vinte!

-S’vinte ai, po ti je gazetar, apo jo? E çoje ti.

-Po ishte çakërrqejf!

-Po pse është fantazia e gazetarit? Që të bëhesh dikush në gazetari duhet të kesh një fantazi të madhe. Mos kujton ti, se ato që shkruhen janë të gjitha ashtu…?!

Të fundit

EMRAT/ Kush janë të arrestuarit nga SPAK në Bashkinë e Tiranës

Emrat e dejtorëve të Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës të arrestuar ditën e sotme nga SPAK janë bërë...

Rryma e oqeanit përshpejtohet me nxehtësinë. Problem për akullin e Antarktidës

Shkenca Rryma Rrethore e Antarktikut intensifikohet me rritjen e temperaturave: është e destinuar të rritet në shpejtësi dhe të hajë akullin.   Elisabetta Intini   Çfarë mbart më...

I lumtur deri në… budallallëk

Nga Leonard Veizi Të lumtur në jetë të jetëve... Epo kjo është sentencë krejt folklorike. Sepse realiteti nuk do shumë mund për t’u kuptuar se është...

Investimet e huaja/ Rama projekton rritje me 4 miliardë dollarë

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, e sheh dialogun mes qeverisë dhe sipërmarrjes, si një nga rrugët...

Dosja “5 D”/ Korrupsion dhe shpërdorim detyre, SPAK  lëshon 9 masa sigurie

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha detaje për arrestimin e 9 personave, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës nën...

Lajme të tjera

Web TV