Angelo Masaffra mesazh të fortë: Krishtlindja të sjellë ndryshime!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Arqipeshkvi i dioqezës Shkodër-Pult monsinjor Angelo Masafra uron shqiptarët. Në mesazhin e tij ai prek shumë plagë të shoqërisë shqiptare që nga largimi i të rinjve, tek ‘mendësia mafioze e shitblerjes së favoreve’, korrupsioni e inati ndaj institucioneve dhe kërkon angazhimin e të gjithëve pasi siç shprehet ai “nuk ekziston asnjë kategori personash që nuk mund të japë kontributin e vet: secili për sa i takon dhe sipas mundësive të veta

Mesazhi i Monsinjor Angelo Masafra

“Gëzo o qiell, galdo o tokë, sepse Zoti po e ngushëllon popullin e vet” (Is 49, 13)!

Të dashur besimtarë;

Mesazhi që këtë vit dëshiroj t’ju drejtoj me rastin e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri kushtëzohet prej ngjarjeve që kanë ndodhur në Shqipëri, në veçanti prej tërmetit të tmerrshëm që shkaktoi jo pak viktima e la pas plagë e brishtësi për shoqërinë shqiptare. Megjithatë, edhe pse ka zbehur gëzimin e këtyre festave, nuk ka aq fuqi sa ta vrasë shpresën tonë. Le të mikpresim nxitjen e Palit apostull që të mos jemi të trishtuar si ata që nuk kanë shpresë (krh. 1Sel 4, 13).

Si bashkësi katolike e dioqezës, jemi duke reflektuar gjatë këtij viti mbi rëndësinë që ka të jetuarit në Krishtin, të shoqëruar nga slogani paulin: “Që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë”! (Fil 2, 10)

Të jetosh në Krishtin do të thotë të kesh “po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus” (Fil 2, 5), domethënë: vetëdije për marrëdhënien birnore që na lidh me Hyjin Atin tonë; vlerësim i vetes si krijesa dhe si rrjedhojë në marrëdhënie me të ngjashmit tanë dhe me krejt krijimin.

Të gjithë i shohim gjestet e solidaritetit, që populli ynë ka bërë gjatë tërmetit të fundit, krahas solidaritetit që kemi marrë prej shumë shteteve të tjera.

Por njëkohësisht të gjithë i shohim edhe gjërat negative që po ndodhin në vendin tonë. Megjithatë, të fortë prej vetëdijes se jemi në duar të Zotit që nuk na braktis dhe të bindur për aftësinë tonë për të bërë mirë, nuk mund të humbim shpresën dhe të bëjmë disa reflektime të rastit.

Kush e di nëse katastrofa natyrore që na ka goditur një muaj më përpara nuk mund të shërbejë si “shkundje”, me qëllim që Shqipëria jonë t’i hapet një kohe ku interesi për të mirën e përbashkët të bëhet më i madh se ai për të mirën private, ku strukturat që janë krijuar për mbrojtjen e jetës të funksionojnë në mënyrë efikase dhe ku formimi i punonjësve, i teknikëve dhe i vullnetarëve në raste emergjencash të merret seriozisht?

Kush e di nëse gjithë kjo rrëmujë shoqërore që jemi duke përjetuar në këtë moment nuk favorizon formimin dhe specializimin në artin e politikës të personave pa interesa personale, por me një dashuri të madhe për Atdheun, të gatshëm për t’u vënë në drejtimin e vendit?

Lexo edhe :  PE kritika të forta Greqisë për Belerin

Kush e di nëse largimi nga Vendi i shumë të rinjve dhe i shumë familjeje nuk është një rast për ata që qëndrojnë që ta rishikojnë gjendjen aktuale të vendit dhe ndërgjegjet t’i hapen një bashkëpunimi faktik mes qytetarëve dhe Shtetit për të përmirësuar realitetin ekzistues, duke ndalur këtë fluks që shprehimisht është duke varfëruar tokën tonë prej atyre energjive të reja dhe jetësore për të cilat ajo ka nevojë?

Hyji mund ta bëjë një gjë të tillë, por jo pa përgjigjen pozitive të bijve të vet. Qysh prej momentit të parë kur njeriu u shfaq në tokë, siç na thotë Shkrimi i shenjtë, Hyji ia besoi njeriut detyrën e mbarështuesit të saj (krh. Zan 1, 28); një detyrë prej të cilës askush nuk mund të ndihet i lënë jashtë apo i përjashtuar. Aq më pak, ne të krishterët!

Nuk ekziston asnjë kategori personash që nuk mund të japë kontributin e vet: secili për sa i takon dhe sipas mundësive të veta mund dhe duhet të ndihet bashkëpërgjegjës në mbarëvajtjen e Vendit; si fillim duhet të ndryshohen të gjithë ato qëndrime që e pengojnë Shtetit që të bëjë detyrën e vet: para së gjithash inati ndaj institucioneve, pastaj mendësia mafioze e shit-blerjes së favoreve, pasi një favor që më bëhet mua është një akt padrejtësie që i bëhet dikujt tjetër: me fjalë të tjera, është ajo që quhet “korrupsion”.

Për këtë arsye, i ftoj të gjithë të krishterët që ta vlerësojnë këtë angazhim si një akt të vërtetë kulti kushtuar Hyjit.

Urimi im nuk është thjesht një urim në kuptimin klasik të fjalës, por ai dëshiron të jetë edhe një nxitje e fortë drejtuar çdo personi vullnetmirë, me qëllim që Krishtlindja të sjellë ndryshime të vërteta dhe thelbësore: përndryshe, do të ishte një rast i humbur, një gënjim që i bëjmë vetes që, të verbuar prej dritave dhe ngjyrave të festës, nuk do të jemi të aftë të shohim praninë e Hyjit që na do, që do të mirën tonë dhe që na fton për ta bërë të mirën.

Jezu Krishti, Hyji-me-ne, e bekoftë këtë tokë, i dhëntë asaj paqe e qetësi; i shëroftë të sëmurët tanë dhe zemrat e plagosura prej tragjedisë; pastë mëshirë për të vdekurit; qoftë udhëheqësi i mendjeve tona, zjarri që ndez zemrat tona, veçanërisht të atyre të rinjve që, të pashpresë, po kërkojnë diku tjetër realizimin e tyre; në mënyrë që të dashuruar më shumë me vendin tonë të qëndrojnë këtu me qëllim që Shqipëria jonë e bukur të rindërtohet me bashkëpunimin dhe dashurinë e të gjithëve.

Ju uroj: Për shumë vjet Krishtlindjen 2019 dhe Gëzuar Vitin e Ri 2020 katolikëve, ortodoksëve, të krishterëve dhe njerëzve vullnetmirë!

 

Të fundit

‘Me floririn e Kërrabës ka minierë në Kongo’/ Avokati për Ilir Metën: I sëmurë psiqik…

Avokati Idajet Beqiri tha në Studio Live se Ilir Meta mori floririn e Kërrabës dhe tashmë ka blerë një...

Gruaja përballet me burg pasi tha se ‘salca e domateve është tepër e ëmbël’ (FOTOT)

Një vajzë përballet me deri në shtatë vite burg pasi dha një vlerësim kritik online ndaj një produkti ushqimor në Nigeri. 39 vjeçarja Chioma Okoli,...

Çfarë po ndodh? Dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të Mitsotakis japin dorëheqjen

Ky zhvillim vjen në një moment kur në parlament debatohet rreth mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë që kanë dorëzuar 4 parti opozitare me nismën...

“Klodjan Allajbeu ortak me Shkëlzen Berishën”, Haklaj: SPAK do t’i shkojë deri në fund

Ish-deputeti Azgan Haklaj deklaroi në 'Studio Live' se pronari i spitalit Amerikan, Klodjan Allajbeu është ortak me Shkëlzen Berishën. Sipas tij, Rithemelimi nuk kërkoi komision...

Njëra është aseksuale dhe tjetra e dashuruar, motrat siameze rrëfejnë marrëdhënien e tyre

Motrat binjake 22-vjeçare të bashkuara, të cilat janë të ngjitura në bust dhe ndajnë një sistem riprodhues, kanë zbuluar se si ia dalin mbanë...

Lajme të tjera

Web TV