Ylli i Juventus, Cristiano Ronaldo ka futur në sherr tifozët në rrjetet sociale, të cilët kanë komentuar sjelljen e portugezit pas humbjes së ndeshjes me Lazion.
Juventinët u mundën me rezultatin 1-3 nga të kaltrit, të cilët nga kjo ndeshje morën Superkupën e Italisë. Ekipi i Maurizio Sarrit është i vetmi ndaj të cilit, “Zonja e Vjetër” ka humbur dy ndeshje këtë sezon.
Ronaldo e ka përjetuar goxha keq e në nerva këtë humbje dhe mësohet se situata në skuadër nuk ka qenë aspak e këndshme. Gjatë momentin të marrjes së medaljeve të vendit të dytë, portugezi ka bërë një veprim që nuk ka kaluar pa u vënë re. Ai ka hequr nga qafa medaljen e marrë në sekondë, sjellje kjo që nuk ka kaluar pa u komentuar nga tifozët.
Një pjesë e tyre i kanë dalë në krah portugezit , duke thënë se një fitues nuk mund ta pranoj kurrë vendin e dytë.
“Ky është mentaliteti i duhur që duhet të kenë të gjithë. Mos provoni kurrë që ta nderoni Kristiano Ronaldon me vendin e dytë”,-shkruhet në koment.
Ndërsa, të tjerë e kanë quajtur këtë sjellje si fyerje të kompeticionit dhe sipas tyre një kampion duhet ta pranoj edhe humbjen.
“Një kampion i madh duhet të dijë edhe të humbasë. Ronaldo nuk e ka këtë aftësi dhe pikë”,-thuhet në komentin tjetër.
Rikujtojmë edhe se Cristiano Ronaldo nuk mori pjesë as në mbrëmjen e dhënies së çmimit “Topi i Artë”, që këtë vit u fitua nga argjentinasi Lionel Messi, duke i shtuar akoma më shumë reagimet e tifozëve ndaj sjelljeve të tij./Përgatiti: Fjala.al/