Dënimi me vdekje i pesë personave të akuzuar për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, ka hedhur hije dyshimi mbi mënyrën e procesit gjyqësor ndaj tyre.
Të gjitha dyshimet bien mbi vetë princin saudit Mohamed Bin Salman, pasi ky i fundit mund të ketë orientuar gjyqin ndaj kësaj çështjeje.
Dy besnikët e tij më të mëdhenj, Saud al-Qahtani, këshilltar i ngushtë dhe ish-mjeku i princit të kurorës dhe Ahmed al-Assiri, i cili ishte në krye të shërbimeve sekrete dhe ishte i dyshuar për drejtimin e operacionit në terren, u shpallën të pafajshëm.
Nga ana tjetër, sipas zëdhënësit të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Stephane Dujarric, vendimi është i papranueshëm: “Sekretari i Përgjithshëm vazhdon të theksojë nevojën për një hetim të pavarur dhe të paanshëm për vrasjen”.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Ankaraja zyrtare e cila e cilëson vendimin e gjyqësorit për krimin e kryer brenda ambienteve të konsullatës saudite në Turqi, shumë larg pritshmërive.
Më i ashpër ka qenë reagimi i Reporterëve pa Kufij, sipas të cilëve, “Dënimi me vdekje i pesë prej të akuzuarve mund të interpretohet vetëm si një dëshirë për të heshtur përgjithmonë dëshmitarët apo edhe autorët e kësaj vrasje të tmerrshme”, tha sekretari i përgjithshëm i organizatës, Christophe Deloire.
Khashoggi ishte një kolumnist për Washington Post, ku kritikonte vazhdimisht regjimin e Bin Salmanit./Fjala.al/