Pasditen e sotme (24 dhjetor) kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ishin në familjen Belegu në Petrelë për t’i dorëzuar çelsat e shtëpisë së re, pasi banesa iu dëmtua pas tërmetit të 21 shtatorit.
Në komunikimin me familjen nuk kanë munguar as batutat e kreut të qeverise me kryebashkiakun , teksa ky i fundit pohoi se kishin sjellë edhe gjel deti, por nuk do e vinin në tavolinë.
Rama i tha kryebshkiakut se nëse vazhdonte me historinë sill lëngje e pi vetë, apo sill gjela e ha vetë nuk kishin gjë në terezi.
Ndërsa pasoi edhe batutën se “nëse do ishte nevoja ai do hante edhe …”, por nuk e përfundoi fjalinë.
Pjesë nga batutat:
Veliaj: Kemi sjellë edhe gjelin e detit, por nuk jemi duke e sjellë këtu.
Rama: Jo, mos ta hamë gjelin. Vetëm gjelin mos ta hamë.
Veliaj: Jo, jo, jo nuk është i gatuar.
Rama: Se me këto teoritë që sjell lëngun e pi vetë, sjell gjelin e ha vetë nuk vazhdohet.
Veliaj: Është i pa bërë gjeli.
Rama: Nëse e sjell nevoja ti ha edhe ashtu po…
Kryefamiljari i saj, Xhevdet Belegu, i cili vuan edhe nga probleme shëndetësore, kurrë nuk do e imagjinonte më 21 shtator se shtëpia e tij e shkatërruar plotësisht do të mund të rindërtohej për shkak edhe të vështirësive ekonomike. Por lotët e hidhërimit të asaj dite sot janë kthyer në lot gëzimi, kur tre fëmijët e tij të vegjël do të kenë mundësi jo vetëm të kenë një banesë më të mirë, por edhe të rriten e të studiojnë në kushte komode.
Sikurse kishte premtuar kryebashkiaku Veliaj në shtator, Bashkia e Tiranës bashkë me një nga kompanitë që u përgjigjën në kohë rekord thirrjes për të adoptuar një banesë, filloi ndërtimin e saj, ndërkohë që është menduar edhe për mobilimin e saj të plotë me gjithçka që është e nevojshme duke filluar nga elektroshtëpiaket tek këndet etj./Fjala.al/