Firmoset marrëveshja e përbashkët për projektin e gazsjellësit “EastMed”, që parashikon furnizimin me deri në 12 miliardë metra kub-gaz nga lindja e Mesdheut drejt Evropës.
Marrëveshja e nënshkruar kundërshtohet nga Turqia, e cila ka qenë shumë aktive në zhvillimin e rrugëve të reja të gazit për Europën dhe sapo kishte arritur marrëveshje detare me Libinë mbi një zonë të madhe të pasur me gaz në det.
Kjo marrëveshje është firmosur nga “armiqtë” historikë të Turqisë si Greqia dhe Qiproja, por edhe nga Izraeli.
Tubacionet e projektit “EastMed” parashikohet të zgjaten rreth 2,000 kilometra nga Izraeli, Qiproja, Greqia e më pas drejt Italisë, pjesa më e madhe nën ujë.
Projekti do të kërkojë një investim prej rreth 6-7 miliardë dollarësh dhe nëse nis ndërtimin në vitin 2022 do të përmbyllet në vitin 2025.
“EastMed” dublon projektin Trans-Anatolian (TANAP) dhe Trans-Adriatik (TAP), të cilat transportojnë gaz nga Azerbajxhani përmes Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë drejt BE-së. TANAP është përfunduar ndërsa TAP pritet të mbyllet këtë vit.
Ky projekt ka ngjallur përplasje për pasuritë e energjisë dhe mosmarrëveshje të re mes Qipros dhe Turqisë, e cila ka pjesën veriore të ishullit mesdhetar dhe pretendon pasuritë detare përreth.
Turqia tashmë përballet me sanksione të Bashkimit Evropian për anijet që kërkojnë naftë dhe gaz jashtë Qipros, qeveria e së cilës në Nikosia nuk njihet nga Ankaraja.