Reportazh/ Durrësi, jeta e re pas tërmetit, njëlloj si e vjetra

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Në Durrës dita ishte e pastër kristal, dielli shndriste si në një ditë të gjatë qershori, ndërsa deti ishte po aq i qetë e pa dallgë sa dhe në mëngjeset e verës së largët.

Paniku nga tërmeti i para pak kohëve ka filluar të zhbëhet, edhe pse romuzet që njerëzit rëndom hedhin me njëri-tjetrin, dashur padashur lidhen me të.

Lëkundjet e pakontrolluara të nëntokës, në agun e 26 nëntorit kanë lënë një shije tepër të hidhur nga pas. Por kjo nuk do të thotë që jeta të ndalej aty, mes vdekjes, terrorit, dhe makthit të përsëritjes së një gjëme të re, këtë herë edhe më të madhe se aq.

Për djall apo për shans gjithashtu, jeta vazhdon, dhe njerëzit janë të prirë të bëjnë të përditshmen. Sezoni veror vjen shpejt dhe jeta do të kishte më pak kuptim nëse Durrësi nuk do të ishte i gatshëm të priste plazhistët e tij të përvitshëm.

Hyrja në Durres – Rruga e Doganës

Vizita

Mbërrijmë në Durrës.

E kam dashur gjithmonë këtë qytet. Vite më parë u përgatita seriozisht të shpërngulesha aty. Të shisja shtëpinë ahur Kodrës së Diellit dhe të blija një buzë detit.

Atëherë nuk funksionoi, por edhe sot e mbaj të fshehur nën vete këtë ide. As tërmeti nuk ma tuti. Madje tani mund të kem leverdi: të gjuaj ndonjë okazion me çmim të lirë.

Në qytetin e lashtë bregdetar makinat lëviznin njëlloj si më parë, ca kishin nxjerrë pronarët në shëtitje të ngeshme dhe ca të tjera parakalonin si ua donte qejfi për të arritur në destinacion një sekondë e më parë. Njerëzia kishte zënë kafenetë, kishte plot nga ata që bënin xhiro me duar futur në xhepa, dhe pjesa e mbetur ose luanin domino nëpër stolat e parqeve ose futeshin nëpër markata meqenëse blerjet kishin rifilluar pas mbetjes bosh në ditët e para të Vitit të Ri. Gjithçka dukej normale.

Është wikend.

Nuk u nisa në Durrës me qëllim bërjen e një reportazhi mbi dëmet e tërmetit, dhe as si jetojnë  ata që nuk kanë shtëpi, në çadra apo në hotele. Doja thjesht të shkëputesha nga përditshmëria e Tiranës. Një gjë që e bëja rëndom thuajse çdo javë, por që pas tërmetit nuk kisha shkuar më. Durrësi është dhe qyteti më i afërt me Tiranën, qoftë në vijë ajrore qoftë dhe përmes rrugës me arna që ne e quajmë autostradë.

Bashkëshortja dhe djali e pritën me dëshirë iniciativën time, që pas një mungese dymujore të vazhdonim me vizitën rituale në qytetin bregdetar.

Por vajza, edhe pse e rritur tashmë, nuk ishte aspak entuziaste t’i bashkohej ekspeditës për këtë vizitë “të papritur”. Me siguri në imazhet e saj qyteti bregdetar ishte shndërruar si Pompei pas shpërthimit të Vezuvit dhe kjo kuptohej lehtë nga reagimet ku ndihej një lloj frike të stepur që herë-herë kalonte deri në një revoltë të shprehur. U mundova t’i mbushja mendjen se Durrësi ishte po aq i bukur sa dhe më parë, se deti nuk kishte lëvizur nga vendi, madje nuk kishte lëvizur as ndërtesa më e lartë ndërtuar andej nga Golemi. Pra, katastrofa e menduar nuk është se kishte ndodhur vërtet.

Vajza e pranoi sakrificën edhe pse mendja nuk iu mbush, në fakt.

Trafiku tek ish sheshi Shqiponja

Udhëtimi

Nuk duhen më shumë se 25 minuta të mbërrish në Durrës, po qe se kronometrin e shtyp sa starton të rrethrrotullimi i ish-Shqiponjës. Por që të mbërrish aty duke marrë Unazën e Re, prej Pallatit me Shigjeta, – pra një distancë jo më shumë se 2.5 kilometrash, – të duhen edhe 45 minuta të tjera. Dhe kjo ka një goxha kosto, sepse bashkë me karburantin të avullojnë edhe durimi, edhe nervat, edhe….

Por nuk po merrem me precedentët e rrezikshëm të atij segmenti katastrofë, që është lënë në mëshirë të fatit në pritje të tenderit të radhës. Jo se dua të merrem ndonjë herë tjetër. Thjesht nuk ia vlen të merresh me një vend që dhe idioti më i mundshëm sërish i vë vijën e barazimit me Kandaharin a ku di unë çfarë qyteti tjetër andej nga Lindja e Mesme kumë shumë se paqe zhvillohet luftë. Ndërsa ne jemi pjesë organike e Europës, aderojmë të hyjmë në BE, të jemi krah për krah me Gjermaninë e vendet nordike.

Kulmi.

Mbikalimi tek Ura e Dajlanit – Durrës

I afrohemi bregdetit. Hyrja në Durrës prej mbikalimit tek Ura e Dajlanit vazhdonte të ishte po aq spektakolare sa dhe më parë. Fëmijët hoqën kufjet nga veshët, që i kishin vendosur gjatë gjithë rrugës, dhe shqyen sytë. Mendonin se tërmeti do të kishte bërë kërdinë, e Durrësi, ashtu si në shekullin XIII, do të ishte një vend gërmadhash. Por pallatet vazhdonin të ishin po aty buzë detit. Dhe ata që po merreshin me ndërtimin e objekteve të reja po vazhdonin punën me po të njëjtin rritëm. Natyrisht, në vitin 1267 kur pretendohet të ketë rënë një tërmet i tmerrshëm, ndërtesat nuk ishin prej hekuri dhe betoni, dhe mundësia që ato të shembeshin ishte shumë herë më e madhe se sa sot.

Personi i parë që takoj është një mik të vjetër. E gjej pa vështirësi, ia di vendin.

-Si dolët me tërmetin? – e pyes.

-Epo të gjithë e kemi nga një cen në shtëpi tani, – buzëqesh ai duke më zgjatur një cigare.

Në fakt cene kam dhe unë sa të duash, që shtëpinë e kam në katin e gjashtë te Komuna e Parisit, dhe nja 40 kilometra larg prej epiqendrës, e jo më apartamentet e Durrësit.

Një i afërmi im, që banon aty rreth qendrës së qytetit, më sqaron më mirë dhe pa e fshehur se tërmeti ka lënë plot pasoja.

Lexo edhe :  Negociata me PS-në/ Meta i tregon “dhëmbët” Bardhit

Nënkalimi tek Vollga – Durrës

-Ekspertët na vunë një vulë e na thanë se pallati nuk ka dëmtime në strukturë, ndaj mund të flinim të qetë.

-Domethënë, tani e bëkeni gjumin top.

-Por unë edhe pasi ra tërmeti në gjumë top isha. Por prej asaj dite në shkallën tonë nga 52 familje, vetëm nja 4 a 5 jetojnë aty. Të tjerët kanë ikur ku kanë mundur.

E pyes për situatën e përgjithshme dhe marr ca sqarime të shpejta.

-Thonë se pas tronditjeve të tilla njerëzit bëhen më të mirë, – flas unë.

I afërmi im qesh.

-E kush e ka vërtetuar një gjë e tillë, – thotë ai. – Të paktën jo në rastin që po flasim. Në punën e përditshme njerëzit janë të njëjtë, po të njëjtat debate. Nuk të lëshon pe kush. Jeta vazhdon.

Dhe më tregon se në periudhën e post tërmetit kishin ndodhur shumë gjëra qesharake madje dhe skandaloze. Njerëz që nuk kishin pasur asnjë problem në shtëpi, por që ishin rreshtuar në forcë për të ngrënë një pjatë supe qyl, të tjerë që ishin grindur e sherrosur për të përfituar ndonjë batanije më tepër, dhe ata më të zgjuarit ia kishin shtruar për pushime në hotelet e Kosovës.

Qesha dhe unë.

Jeta vazhdon vërtet dhe askush nuk mund të pretendojë se u bë më i mirë, edhe pse mund të ketë parë vdekjen me sy. Kërkoi borxh po të duash dhe me siguri do të thotë: Aha, ra tërmeti dhe s’më mbeti më asnjë dyshkë.

U ndava me të afërmin tim, meqenëse ai ishte full me punë, e mundësia që të më begeniste ishte vetëm nja njëzet minuta, sa për një kafe të shpejtë shqiptarësh.

Rruga Taulantia – Durrës

Durrsakët

Durrësi është i bukur. Relaksues. Frymëzues madje.

Ecim nëpër rrugën “Adria”. Tek rrethrrotullimi lë në krah të majtë rrugën “Egnatia” dhe preferoj të marr pak më tutje bulevardin “Dyrrah”. Sa zbres poshtë godinës së Bashkisë, çuditërisht gjej një vend për parkim. Eci në këmbë nëpër bulevardin “Epidamn”, një rrugë elegante që të çon te Porti me ndërtesa të vjetra të stilit italian, që vazhdojnë të më japin një mall të madh duke më ngacmuar kujtimet nga vitet e rinisë. Në njëfarë mënyre, ne të Tiranës jemi rritur në Durrës, dhe në sezonin e verës e bënin aq shpesh rrugën me trenin shtetëror, sa trendin e asaj kohe nuk e kam kapur dot as sot me makinë private.

Më pëlqen të pi një kafe në dyqanet e vjetra, por të rikonstruktuara bukur e të dëgjoj zhargonin e dyqanxhinjve vendalinj.

-Ti vazhdon të kërkosh qiqra më hell, – më thotë Sajmiri, një tjetër mik që e takoj andej vërdallë. – Po ku ka durrsakë më në Durrës.

-Pse mo ku kanë shku? – pyes unë i trembur, duke aluduar në çast se mos ndoshta durrsakët kishin kapur malet dhe në këtë mënyrë eksodi prej tërmetit ishte ca më i rëndë nga sa e kisha menduar.

-E ore, e… Ata të maleve kanë zbritur në Durrës, se durrsakët e vërtetë kanë shku n’Itali. Si gjen më në Durrës. Po ke mall për ta hipi tragetit.

“Rrugë e largët” thashë me vete, dhe mendova që hesapet t’i mbyll me ca durrsakë që kam në lagje.

Turizmi në zhvillim

Inertet e rënë prej pallateve ishin pastruar me shpejtësi. Dhe në Durrës gjurmët e tërmetit thuajse ishin fshirë krejtësisht.

Te Sfinksi ndeshje lloj-lloj fytyrash, turistë pa fund, por këta dukeshin që ishin fshatarë shqiptarë. Pozonin e bënin selfie.

Hë më ua lumsha.

Tek e fundit nuk kishin punë me tërmetin, sa mbaronin fotot dhe ia fusnin me furgon për në fshat.

Marrim rrugën “Taulantia”. Në Durrës edhe emrat e rrugëve janë të bukura, të ardhur nga lashtësia… Tipike antike nga ato të Ilirisë.

Në afërsi të Currilave lokalet edhe pse dukeshin pak të përgjumura, kishin filluar nga puna, sidoqoftë. Mundësia që të gjeje gjurmë tërmeti nga ajo anë e qytetit ishin shumë të vogla, përveçse një hoteli që i kishte rënë germa “E”, por me gjasa jo prej lëkundjeve.

U ulëm në lokal. Dy tavolina 6 shqiptarë. Pas pak futet dhe një çift. Sapo komunikuan me kamerierin e kuptuam që ishin italianë.

-Nuk duhen humbur shpresat, – them unë. – Ja paska dhe italianë që nuk e kanë braktisur Durrësin. Mbase nga vera vijnë edhe pushuesit nga Baltiku, e bëhemi tamam.

Rruga e Curilave – Durrës

Kthimi

Rrugën e kthimit e marrim nga ana e Portit tek Rruga e Doganës. Me një shpejtësi mesatare prej 90 kilometrash në orë për 25 minuta jemi tek mbikalimi në hyrje të Tiranës. Metropoli i vetëm në Shqipëri. Aty trafiku ngec. Duhen 45 minuta të tjera për të bërë 4 kilometra për të parkuar tek oborri poshtë pallatit. Unaza e Re është e zhytur në errësirë. Jemi në pritje të fillimit të punimeve. Por ato nuk fillojnë. Betonet që ndajnë rrugën më shumë se sa mjet mbrojtës duken si precedentë për aksidente. “Ç’punë kemi ne me BE-në”, them me vete duke ndjekur lumin e makinave me shoferë që duken si të dehur e s’dinë nga e luajnë timonin. Çështja e negociatave na ka mbetur kunj, por lidhjen tonë me BE-në, aq organike sa ç’e pretendojmë, nuk ka burrë ta shpjegojë.

-Sa mirë do ishte të jetonim në Durrës, – them unë.

Por nuk marr asnjë përgjigje. Epo… të gjithë duan Tiranën.  Qytetin e një milion banorëve, të ndotur nga smogu e të mbingarkuar nga trafiku.

Pavarësisht nga të gjitha të këqijat e saj, të gjithë duan Tiranën, edhe unë madje… që kam dëshirë të jetoj në Durrës.

Leonard Veizi/ Fjala.al/

‘Veliera’ – Durrës

 

Të fundit

Merret VENDIMI / Ja kush është kryetarja e re e Bashkisë Himarë

Pas tensioneve të larta dhe debateve, mbledhja e Këshillit Bashkiak të Himarës dhe pasi u shty për në orën...

Si ta kuptosh nëse je i/e mirë në shtrat?

Si fillim, ekspertët theksojnë se trajtimi i seksit si një akt ku ka rëndësi performanca mbi gjithçka është shumë e gabuar sepse largon vëmendjen...

Analiza: Ja si mund të ndihmojë Shqipëria Ukrainën në përballimin e sulmeve ruse

Në muajin shkurt presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi Ballkanit Perëndimor të prodhojnë bashkërisht armatime. A mund të ndihmojë rajoni dhe a janë në...

Një në tre gjermanë i pakënaqur me ndryshimin e orës

Në Gjermani vetëm një e treta e qytetarëve besojnë se kalimi në orën verore ka një ndikim negativ në shëndetin e tyre, sipas një...

Kur do të zhvillohet/ Shtyhet mbledhja për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Himarës

Është shtyrë mbledhja për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Himarës pas tensioneve të krijuara në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Përplasjet në sallë erdhën pasi...

Lajme të tjera

Web TV