Krimi horror në Mallakastër merr tjetër rrjedhë. Është dëshmia e Luis Saliajt, djalit të kunatit të viktimës Drita Saliaj ajo ka hedhur dritë mbi mekanizmin thuajse horror që është përdorur prej tyre për t`i marrë jetën. Ndonëse Luisi e përjashton veten nga ky akt horror dhe mizor, policia dhe prokuroria e kanë mbajtur bë pranga minorenin. Ai ka dëshmuar në prani të nënës së tij dhe të xhaxhait gjithçka ka parë dhe dëgjuar në lidhje me krimin që sipas tij e kanë kryer dy shokët e tij. Rrëfimi është tronditës, ndërkohë që dyshimet flasin se drita është çuar e gjallë deri tek rezervuari ku edhe është mbytur e lidhur këmbësh e duarsh. Djali, kushëriri i viktimës, ka treguar gjithçka me detaje dhe se sipas tij gjithçka ka ndodhur për hashash. Por si dhe pse është gjendur hashashi në shtëpinë e viktimës kjo ende nuk është zbuluar nga ana e hetuesve.
Rrëfimi i plotë i 16 vjeçarit
“…kam dalë nga shtëpia e gjyshit dhe kam shkuar në autostradë, ku kam pritur në këmbë, derisa aty erdhi Sindi Shehaj, me automjetin e tij, ku me vete kishte marrë edhe Ervisin. Hipa në makinën e Sindit dhe Ervisi, i cili ishte pasagjer në vendin e parë të makinës, dhe më tha që “…do të ikim të marrim hashash në shtëpinë e Dritës, gruas së Hair Saliaj…”. Sqaroj se Drita Saliaj është gegeja ime, pasi i shoqi i saj Hair Saliaj është kushëri i parë me babanë tim. Unë u thashë Sindit dhe Ervisit, mua mos më ngatërroni me këto gjëra, por Ervisi më qëlloi me pëllëmbë në fytyrë duke më sharë, mbylle gojën se të q… robt”. Kur erdhëm në fshatin Gjerpës, rreth orës 00:30 të datës 5 janar 2020, u afruam te shtëpia e Dritës, duke i rënë nga rruga prapa shtëpisë së saj, ku mua më lanë te puseta që ndodhet 20 metra pas shtëpisë së Dritës, ndërsa vetë Sindi me Ervisin, e kanë lënë makinën e tyre te porta e vogël, pas shtëpisë së saj. Ervisi me Sindin kanë hyrë në avllinë e shtëpisë së Dritës, dhe kanë trokitur te dera e shtëpisë, ku unë pashë dhe dëgjova që Ervisi i ra derës dhe i tha nga jashtë:Drita jam unë, Visi”. Drita më pas ka hapur derën nga brenda shtëpisë së saj dhe ata të dy kanë hyrë brenda, ku kanë qëndruar afro gjysmë ore në shtëpi. Më pas, kam parë që Ervisi me Sindin, e kanë nxjerrë Dritën të lidhur nga duart prapa dhe këmbët me spango. Unë, pasi i pashë se çfarë po bënin Ervisi me Sindin, u kam folur nga puseta ku isha: “Çfarë po bëni kështu…”, por Ervisi më tha:“…hajde këtu poshtë! Unë kam vajtur te vendi ku ishte makina e tyre dhe në kohën që po fusnin Dritën, të lidhur brenda në makinë, u them edhe një herë: “…Çfarë po bëni ore, çfarë bëni….?”, por Ervisi më godet me shqelm duke më rrëzuar përtokë dhe duke më sharë më thotë fjalët: “do ta vrasim, prandaj mbyll gojën të q… robt dhe dil me vrap te kodra sipër. Në atë moment, që ata po fusnin Dritën brenda në makinë, pashë që Drita kishte të veshur një bluzë si të kuqe dhe pantallona me ngjyrë të zezë. Pasi e futën Dritën të lidhur në sediljen e pasme të makinës së Sindit, Sindi u ul në sediljen e shoferit, ndërsa Ervisi u ul në sediljen e parë të pasagjerit dhe u larguan me automjetin e tyre në drejtim të liqenit të Çerjes. S’qaroj se liqeni i Çerjes ndodhet pas liqenit të Lumare 1 dhe Lumare 2, dhe unë i pashë që po shkonin në drejtimin e lartpërmendur nëpërmjet dritave të makinës së Sindit. Më pas, unë jam larguar i vetëm në këmbë në drejtim të Povlës dhe pas afro një orë, Sindi me Ervisin më gjetën në rrugë duke ecur te benzinata në Povël dhe më kanë kërkuar që të hipja në makinën e tyre. Më pas më kanë çuar te lokali 24-orësh në Poçem, ku edhe më kanë zbritur. Kur më zbritën, Ervisi më tha-mos më dil më përpara syve” dhe së bashku me Sindin, u larguan për në drejtim të rrugës së Hekalit, që shkon për në Ballsh. Unë më pas kam pirë i vetëm kafe te lokali 24-orësh në Poçem dhe rreth orës 05:30 ka ardhur përsëri Sindi me automjetin e tij te lokali 24-orësh në Poçem. Kam hipur në makinën e tij. Në atë moment, Sindi më tha që Ervisin e lashë në Hekal, pasi atje kishte lënë makinën e tij. Më pas Sindi më çoi te shtëpia e gjyshit tim në Roms dhe pas kësaj, ai u largua. Që nga ai moment që Sindi më çoi te shtëpia e gjyshit e deri ditën e sotme, unë nuk jam takuar dhe nuk kam komunikuar as me Sindin dhe as me Ervisin. Në mbrëmjen e datës 6 janar 2020, unë i kam thënë nënës sime Mimoza, se çfarë kishte ndodhur me Dritën dhe pas kësaj, nëna komunikoi me xhaxhanë tim Rakip Saliaj që jeton në Fier dhe të tre më pas kemi vajtur për të informuar për ngjarjen e ndodhur te Komisariati i Policisë Mallakastër”. /Fjala.al/