Kreu i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha gjatë një konference për mediat nga selia e PD, falënderoi ndërkombëtarët duke thënë se mbledhja e djeshme erdhi falë presionit të tyre.
“Synimi ynë menjëherë pas përfundimit të reformës është të punojmë për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha Basha
Basha theksoi edhe një herë kushtet e opozitës së bashkuar të cilat janë “Lufta e krimit politik, ndëshkimi i krimit elektoral dhe vendimet për “Reformën Zgjedhore” të merren së bashku mes opozitës së bashkuar dhe maxhorancës”.
“Pavarësisht propagandës së shfrenuar të atij që e shtyu për 4 muaj reformën, faktet janë këto, reforma zgjedhore nuk do të diktohet nga parlamenti ilegjitim. Vendimi për reformën zgjedhore do të merret nga dy palë, opozita dhe parlamenti monist bashkë me patericat e veta. Parlamenti do të jetë vetëm noter i kësaj marrëveshjeje”, u shpreh Basha.
Sipas Bashës, miratimi i “Reformës Zgjedhore” do të sjellë vetvetiu zgjedhje të parakohshme për Shqipërinë, duke zhvlerësuar kështu zgjedhjet e 30 qershorit, ku kujtojmë se Partia Demokratike së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe 6 parti të tjera opozitare bojkotuan garën elektorale. /Fjala.al