Ermir Nika: Një roman për kinezin që ra nga antena në malin e Dajtit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Intervista/ Shkrimtari  Ermir Nika tregon detajet nga puna me librin e ri

 Leonard Veizi

Çan Pao Y ishte dërguar nga Kina për të montuar antenat e Radio Televizionit Shqiptar. Por ai u aksidentuar dhe humbi jetën në krye të detyrës, pikërisht në majën më të lartë të malit të Dajtit, ku po montonte repetitorin. Kjo fabul, është marrë nga shkrimtari Ermir Nika për tu kthyer në një roman.

Si u motivuat për të shkruar një roman ku personazhi kryesor është një kinez?

Ka kohë që më përforcohet ideja se njeriu për t’iu dhënë kompozimit të një vepre, letrare, muzikore, kinematografike, apo edhe në artet pamore, së pari motivin e gjen tek vetvetja dhe përballja me realitetin jashtë tij. Sa më e fortë të ketë qenë kjo përballje, aq më ndikues është subjekti që i mbijeton këtij raporti të zhdrejtë. Në këtë mënyrë ishte edhe zbulimi i legjendës së Çan Pao Y -së. Unë kam ardhur në jetë në vitin 1978, vit kur si për ironi të gjithë kësaj shënon edhe fundin e marrëdhënieve politike e diplomatike me kinezët. Me anë të kujtimeve fare të turbullta kujtoj se kur kam filluar të perceptoj ambientin dhe botën rreth meje, ende shfaqeshin gjurmë të periudhës së vëllazërisë me Kinën. Këto shenja i ndeshje dendur, si në veshjet e njerëzve, enët prej porcelani. Lodrat e fëmijëve si edhe në kapelet prej kashte të kooperativistëve dhe pushuesve verës në bregdet. Kam qenë tepër i vogël, kur iu ngjita majës së Dajtit, në periudhën e pushimeve verore në kampin e pionierëve. Kujtoj se shallin e pionierit e vura me stisjen e një lloj truku për t’u dukur disi më i rritur, pasi ndryshe nuk të regjistronin e për rrjedhojë nuk të pranonin në kamp. Ligjet dhe rregullat aso kohe ishin mjaft të rrepta, por pamja ime gjithmonë më nxirrte zbuluar dhe mbaj mend se ikja me vrap sa herë që bëheshin apelet nga Shtabi i Pionierëve. Një vit më vonë, vendin tim, pra si më i jashtëligjshmi i atij kampi e zuri aktori i sapo njohur për rolin e Taulantit, në filmin “Taulanti kërkon një motër”, Donald Kokona. Edhe për atë u bë një përjashtim pasi gëzonte popullaritetin e fëmijëve dhe dëshirën për ta pasur afër e për t’i treguar aventurat gjatë xhirimeve të filmit “Taulanti kërkon një motër” dhe “Të mos heshtësh”. Gjithmonë i rikthehem Dajtit! Kam kaluar shume vite fëmijërie në atë mal. Verës vinin edhe ekipet e futbollit, atletikës dhe çiklizmit si edhe ato të aplinizmit. Aty krijohej një atmosferë vërtet e jashtëzakonshme e cila nuk mund të përsëritet. Kishte një frymë shumë evropiane në atë shpatull mali, e papërfytyrueshme për ata që nuk e jetuan. Të gjitha gjeneratat që takoheshin atje për dhjetë jave me radhë, zhvillonin shumë veprimtari të shumëllojshme artistike dhe sportive. Pikërisht atje një ndër futbollistët e ekipit të të rinjve të partizanit Igli Tare, i cili më vonë u bë një personalitet i spikatur në sportin shqiptar dhe më pas atë evropian, porsa më pa për herë të parë, më thërriti pa më të voglin hezitim me emrin e personazhit të njohur të Mark Tuein, Tom Sojeri. Aso kohe, në atë sezon veror unë isha shok i ngushtë më vëllanë e tij më të vogël Gentin dhe të dy vëllezërit përnjëherësh e duke qeshur ranë dakord të më thërrisnin që në atë moment e deri sa përfundoi ai sezon veror me emrin Tom Sojeri për shkak të ngjashmërisë sime me personazhin e filmit. Nuk e di, mbase u bë ky episod shkak që të interesohesha në bibliotekën e kampit për këtë personazh dhe kështu merr një libër dhe kthe një tjetër, u përfshiva në leximin dhe përngjasimin me personazhet e letërsisë, deri kur një paradite, gjatë një ekskursioni me pionierët në kuotën më të lartë të malit, pamë për herë të parë antenën gjigante që ngrihej indiferente lartësive dhe hasëm kështu historinë e tronditëse të heroit kinez Çen Pao Y.

Dhe kjo histori mbeti gjithë kohës në kujtesën tuaj?

Jo vetëm atëherë por edhe sot, i përmbahem mendimit se më duket sikur jeta e tij e ndërprerë ka mbetur e pezullt në atë skaj të veçuar. Mbase është një peng i panjohur për banorët e fushave përposh Dajtit, ku shtrihet Tirana, Durrësi, për të përshkruar në këtë mënyrë krejt Shqipërinë, i cili bart enigmën e një testament ende të palexuar që më grishi për vite më radhë t’i rikthehesha kësaj figure, aspak rastësore në jetën e shqiptarëve.

Kanë kaluar shumë vite që atëherë dhe Shqipëria ka ndryshuar aq sa nuk mund të dallosh lehtësisht ngjashmëri me të kaluarën e saj, por një gjë më duket se nuk ishte prekur ende nga ky transformim, çasti fatal i Çan Pao Y. Nganjëherë më dukej sikur koha kishte ndalur pikërisht aty, kinse për të pritur një rikthim.

Lexo edhe :  Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Ja me sa blihen dhe shiten dollari dhe euro sot

Jeni kontaktuar nga media kinezë apo nga përfaqësues të trupit diplomatik, meqenëse si rrallëherë qëllon që një shkrimtar shqiptar të shkruajë për një personazh real kinez?

Ende jo, pasi mendoj se jo vetëm publiku por edhe sferat e përfaqësive diplomatike kanë qenë të papërgatitura për këtë roman, i cili nuk ecën aspak me linjat e kohës, pra që të rendë pas veprave me një sentimentalizëm heteroseksual apo sipas modës së martesës brenda së njëjtës gjini, me qëllim për të stisur debate dhe për rrjedhojë për të rritur numrin e shitjeve, të librave që zhurmërojnë sa kohë kritika nuk merr aspak rolin që do të duhej të luante në këtë trafik asfiksues propagande. Në këtë roman nuk i jam përmbajtur aspak skemave të tilla komercialiste, por i jam dhënë dhe kam punuar një shteg disi alpin me shumë anë ende të errëta dhe me sfida të vështira për çdo autor që do të ndërmerrte një udhëpërshkrim të tillë. Ajo që dua të theksoj ndër të tjera ka të bëj me daljen në dritë të një fakti të provuar tashmë që kinezët, ashtu si edhe ne shqiptarët nuk jemi aspak popuj të mbujtur nga një uniformitet mental, përkundrazi tejkalimi i periudhave të vështira që sendërtuan sistemet e se kaluarës, zbuloi shumë anë të panjohura të popujve tanë, të cilët në këto dekadat e fundit kanë krijuar zhvendosje të dukshme me të kaluarën në çdo drejtim që do të mund t’i afrohemi  e të analizojmë bashkohësisë. Dhe kjo pasi historia jonë, qoftë ajo e periudhave të hershme apo edhe gjatë mesjetës, lidhet me tradita të fuqishme zakonore dhe një trashëgimi që zë vend mjaft të rëndësishëm në korpusin e kulturës dhe artit botëror.

Ndërkohë ju është kërkuar pjesë nga romani që të botohet në një revistë rumune. A është ky fillimi i një suksesi edhe përtej kufijve të Shqipërisë?

Është krejtësisht e vërtetë që albanologu i njohur rumun dhe miku im dhe i mjaft kolegëve të nderuar shqiptar Marius Dobrescu ka përkthyer dhe publikuar në një revistë prestigjoze rumune Lumnia, një kapitull nga ky roman, së bashku me dy poezi dhe një jetëshkrimin tim të përmbledhur. Kjo ishte prova e parë e kësaj vepre me një gjuhë dhe lexues të huaj. Mbase është e çuditshme, por aspak i habitshëm fakti që çdo përpjekje e shqiptarëve drejt njohjes dhe integrimit kalon nëpërmjet Rumanisë, gati sikur merr bekimin nga ky vend mik dhe i pranishëm në çdo histori të bukur apo edhe të hidhur që kalon vendi ynë. Ndihem me fat që edhe ky roman pati këtë pikënisje.

Mendoni që ky roman mund të gjejë hapësira dhe në ndonjë shtëpi botuese kineze?

Ajo që mund të them në lidhje me këtë pyetje lidhet me faktin se ky roman aktualisht është propozuar për tu përkthyer dhe botuar në dy borde të rëndësishme ndërkombëtare në Kinë. Kuptohet që procedura të tilla, kanë ritmin dhe duan kohën e tyre, por unë shpresoj që ky roman qëkurse u ngjiz e deri sa preku dritën e botimit, ka pasur në sfond jo vetëm lexuesin shqiptar por edhe atë ndërkombëtar, veçanërisht publikun kinez, ndaj të cilit çdo shkrimtar apo artist mendoj që nuk do të dojë t’i humbasë aspak lidhjet për vet komunikimin e pazakontë që ka pasur nëpërmjet artit edhe në kohën kur vendet tona si pasojë e qëndrimeve politike, i patën humbur lidhjet e drejtpërdrejta, të cilat u mbajtën gjallë vetëm nëpërmjet artit.

Dhe së fundi, a keni nisur të skiconi ndonjë vepër të re?

Në fakt po! Bëhet fjalë për një histori shqiptaro  – amerikane, për mua me mjaft rëndësi dhe interes, të cilën e kam hedhur dhe tashmë po e punoj deri sa të marrë trajtën e një romani, të cilin kam vite që e përcjell nëpër mend, derisa sa dallova qartë sfondin historik, njoha personazhet duke ndjekur e krijuar fatet dhe jetët e tyre, ku padyshim trilli artistik do të veshë çdo detaj dhe element përbërës së një të vërtetë që tashmë nuk i përket më vetëm protagonistëve që jetuan jetët e tyre, por edhe gjeneratave të epokave që pasuan dhe përbëjnë vijimësinë.

Të fundit

“Përplasje” brenda familjes, Kryemadhi ia thotë në sy Metës: Unë jam tradhtarja

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka mbajtur fjalën e saj në mbledhjen e Komitetit Drejtues të partisë. Teksa...

“Më arrestuan pa asnjë bazë”/ Berisha: U synua që të zhdukej opozita!

Ish-kryeministri, Sali Berisha, ka komentuar pasditen e sotme sulmet qeveritare që sipas tij kanë përfshirë Partinë Demokratike nga 2021 e deri më sot për...

“PL s’ka nevojë për prerje kokash”, Kryemadhi ‘shpërthen’ në mbledhjen e KDK

Monika Kryemadhi në mbledhjen e Komitetit Drejtues të PL foli me tone të larta, duke thene se Partia e Lirisë nuk ka prerje kokash....

“Kemi edhe momente që gabojmë”, Graciano flet për krisjen e marrëdhënies me Argjirën

Teksa qëndronin në oborr, Graciano dhe Egla kanë biseduar ditën e sotme për një temë delikate teksa kjo e fundit ka pyetur Gracianon lidhur...

Pse nuk duan të punojnë të rinjtë?/Papunësia afatgjatë më 2023 arriti nivelin më të lartë

Papunësia afatgjatë te të rinjtë shënoi rritje të ndjeshme në vitin 2023, edhe pse tregjet e punës dhe sektorët e ekonomisë po importojnë punonjës...

Lajme të tjera

Web TV