Dhuna në familje është një kambanë alarmi prej shumë vitesh në vendin tonë. Në fakt, krimi në familje ka shënuar një mori rastesh që i tejkalojnë të gjitha imagjinatat e mendjes së njeriut.
Çdo vit, kryesisht dy dekadat e fundit, regjistrat e Policisë dhe të Prokurorisë kanë regjistruar ngjarje makabre. Edhe këtë vit, në harkun kohor të tri ditëve, u shënuan dy raste që kishin të bënin me ngjarje ku në fokus ishte gruaja-viktimë.
Por, tej gjithçkaje që hetohet e publikohet çdo ditë në vendin tonë, ku rrallë shifrat e Policisë paraqesin situata alarmante, është OSBE-ja që një vit më parë ka nisur kërkesat ndaj ligjvënësit tonë, që të ndërhyjnë në ndryshimin e paketës për dhunën në familje. Përveç kësaj, vitin që lamë pas, INSTAT publikoi shifra e fakte tronditëse në lidhje me dhunën në familje.
Shifrat
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT-i, ka një rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve të regjistruara të dhunës në familje! Nga 1.998 raste në vitin 2010 deri në 4.951 raste në vitin 2018 ose rreth 13 raste në ditë.
Gjatë tri viteve të fundit (2016-2018), ka pasur një rritje të vazhdueshme me 9% çdo vit të numrit të rasteve të regjistruara të dhunës në familje, thuhet në raportin e INSTAT-it. Në fakt, këto shifra kurrë nuk janë bërë publike nga Policia e Shtetit në raportet e çdo fillimviti ku merret në analizë krimi dhe zbulimi.
Por, Policia prej vitesh saktëson shifra me presje dhjetore të uljes së krimit të vrasjes në vend, por në të vërtetë, krimi në familje e ka tronditur vendin çdo vit. Episodet e përsëritura të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore, veçanërisht rastet kur dhuna përsëritet edhe ndaj grave që kanë përfituar urdhër mbrojtjeje nga Gjykata, deri në humbjen e jetës, janë kambanë alarmi për ndërhyrje të menjëhershme në legjislacion me mekanizma që forcojnë masat kundër dhunës.
Është dorëzuar një shtesë për projektligjin që rregullon masat e dhunës në familje e për pasojë është argumentuar edhe pse-ja e kësaj nisme që, referuar shkresës hartuese që gazeta “Fjala” disponon, duket se është nismë detyruese nga OSBE-ja.
Argumentimi i nismës
Kjo nismë është e domosdoshme, së pari pasi “normat dhe qëndrimet kulturore në Shqipëri mbështesin bindjen e grave ndaj burrave dhe dhuna seksuale në marrëdhëniet intime partnere pranohet gjerësisht.
Shumë gra në Shqipëri besojnë se ato duhet t’u binden burrave të tyre dhe dhuna seksuale brenda marrëdhënieve intime konsiderohet e përhapur dhe normale. Këto besime kontribuojnë në një mjedis ku dhuna ndaj grave tolerohet”. Së dyti, mendohet se “dhuna ndaj grave është e raportuar më pak dhe gratë nuk kanë qasje të vazhdueshme në shërbime ose duke marrë mbrojtje. Mekanizmi kombëtar i referimit është një hap në drejtimin e duhur për të adresuar këto pengesa, por duhet të bëhet më shumë në zhvillimin e kapacitetit të plotë të këtij sistemi’. Së treti, saktësohet se ka boshllëqe në legjislacion, në zbatimin e tij dhe në mbledhjen e të dhënave.
Projektligji që ngarkon bashkitë
Në rastet e dhunës në familje, nisur nga situatat alarmante dhe shifrat në rritje, justifikohet marrja e kësaj mase si proporcionale me problematikat e hasura dhe, si e tillë, duhet parashikuar në ligj.
Për këtë çështje nevojitet një diskutim për angazhimin e bashkive, që në tilla raste në programet e strehimit të krijohet mundësia e strehimit të përkohshëm të dhunuesve, pasi nuk mund të lihen pa strehim në rastet kur kanë potencial për ridhunim. Programe të përbashkëta për rehabilitimin dhe strehimin e dhunuesve duhen marrë në konsiderate nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale dhe bashkitë.
Dispozita parashikon si masë të parë dhe kryesore e mbrojtjes ndaj dhunës në familje largimin menjëherë të paditurin (dhunuesin/en) nga banesa për një afat kohor të caktuar me urdhër të Gjykatës dhe moslejimin e tij të rihyjë në banesë pa autorizimin e gjykatës.
Kjo dispozitë merr në konsideratë dy aspekte të rëndësishme: nga njëra anë të drejtën për strehim të dhunuesit dhe nga ana tjetër të drejtën për garantimin e jetës dhe shëndetit të viktimës si një prej të drejtave themelore të njeriut.
Në fakt, e drejta për strehim është e drejtë e njeriut, por si çdo e drejtë e ngjashme, nuk mund të jetë e pakufizuar. Neni 17 /1 i Kushtetutës parashikon se “kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.
Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë”. Jurisprudenca kushtetuese, veçanërisht për sa u takon mjeteve të përdorura, është shprehur se ligjvënësi duhet të zbatojë mjete të tilla ligjore, të cilat duhet të jenë efektive, d.m.th. të zgjedhura, në mënyrë të tillë që të jenë të përshtatshme për realizimin e synimeve që ndiqen./Fjala.al/