Një leksion për besnikërinë/ Meti, tifozi legjendar i Tiranës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në një bashkëbisedim Muhamed Zalta zhvendoset për “Fjala” në të shkuarën, ku, sipas tij, rendja pas një topi përcillte të tjera emocione, si dhe prodhonte lot të vërtetë, trishtimi e gëzimi.

Nga Alessia Selimi/ Në bordura, shkallë dhe karrige, në shi dhe në të ftohtë, Muhamed Zalta ndjek me kërshëri , tashmë prej më shumë se 50 vite, çdo ndeshje të skuadrës së tij të zemrës, Tirana. Ky tifoz i flaktë, pikaset lehtësisht. I gjatë dhe i bëshëm, në qafë mban gjithnjë të lidhur një shall bardheblu. Lidhja e tij shpirtërore me këtë skuadër , qartazi, shtrihet përtej lojës në fushë të gjelbërt.  Padyshim, bëhet fjalë për një pasion të injektuar nga hera, pas të cilit fshihet pikërisht i ati, Rexhep Zalta, portier i Tiranës në vitet ’50.

Në një bashkëbisedim të çiltër dhe emocionues, Muhamedi zhvendoset për “Fjala” në të shkuarën, ku, sipas tij, rendja pas një topi përcillte të tjera emocione, si dhe prodhonte lot të vërtetë, trishtimi e gëzimi.   “Ndërkohë që po flas me ju, nuk e di përse me vjen t’ju përshkruaj një ndër ndeshjet me të forta, Tirana-Dinamo. Lërmëni të rikthehem 53 vite para, kur s’isha veçse një 7-vjeçar, krah tim eti, duke bërë tifo për bardheblu-të nga bordurat konturuese të stadiumit.  Mbaj mend që binte një shi i llahtarshëm, i frikshëm…Lojtarët e Dinamos i ndërruan tri herë bluzet, ndërkohë që Tirana s’i kishte këto mundësi. Përpos shiut, mbaj mend gjithashtu lotët e babait, si të ishin në të vërtetë lotët e një fëmije të lënduar”-rrëfen Muhamedi.

“Jam ndër ato tifozë që i kam ndjekur futbollistët këmba dorazi, në stërvitje, sikurse edhe nëpër rrethe, ku zhvillonin ndeshje me skuadrat kundërshtare. Etja për të ditur gjithçka rreth futbollit, kryesisht rreth lojës së bardhebluve,  më shkëputi nga gjithçka, madje edhe nga librat. Ndërsa përshkrimi i rrugëve që më çonin drejt “Parkut të Xha Tonit” ( ku për vite me radhë ka qenë Rezidenca e SK Tiranës), m’u shndërrua në një rutinë të këndshme. Të njëjtën gjë mund të them edhe për shëtitjet e gjata në “Broadway”, e cila sot njihet si “Rruga e Dibrës”. Çdo mbrëmje, përreth katër orë, flisja me këdo që mund të hasja në rrugë. Normalisht, për futbollin dhe vetëm për futbollin”-vijon Muhamedi, ndërkohë që s’ngurron të shtrojë një kërkesë të thjeshtë. Dëshiron t’i thërrasim Meti. Për një komunikim më të ngrohtë, sikurse zhvillohet vetëm mes miqsh.Kur e pyesim për lojtarët më të mirë që ka patur ndonjëherë skuadra e Tiranës, Meti nuk mendohet dy herë. “Unë besoj fort se pesë lojtarët më të mirë janë: Skënder Halili, Ali Mema, Petrit Dibra, Arben Minga dhe Agustin Kola. Emra të këtillë, vështirë se mund të rikthehen më në fushë të gjelbërt”- thotë ai, duke drejtuar gishtin drejtues nga faqet e jashtme të dyqanit të tij modest, për të na treguar kështu se këta lojtarë di se si t’i mbajë pranë vetes.

Lexo edhe :  Kongresi i luksit të madh politik të PS-së

Në një ditë të tërë, Meti mund të na flasë për historinë e çdonjërit. Jo në mënyrë të hapërdarë. Numëron me një saktësi të frikshme ndeshjet e tyre më të suksesshme, si dhe golat, të shënuarat më bukur, por edhe ato të prekura nga fati.

Diç i ka mbetur peng, që i biri nuk iu bë kurrë një futbollist i afirmuar.Me lot në sy, Meti pohon se e ardhmja e tij nuk u kushtëzua  nga mungesa e talentit, por nga dredhitë dhe hiletë e atyre që qendronin dikur pas të rinjve të Tiranës. “Tashmë im biri jep mësim për gjuhën gjermane, megjithatë, ende më gërryen…”-shprehet ai, për të ndërruar shpejtazi subjekt, me dëshirën për të mos përmendur emra konkretë.

Meti ndalet në tifogrupet që gëzon sot klubi i futbollit Tirana, ku dy më të shquarit janë “Ultras Tirona” dhe “Tirona Fanatics”.  Sipas tij, në gjirin e tyre duhet të mbërrijë një tjetër frymë, e ndierë vite më parë.“Tifozët e Tiranës, dikur kanë qenë zotërinj të vërtetë. Ata nuk shfaqeshin lakuriq nëpër tribunat e stadiumeve. Vinin me kostume, duke marrë me vete edhe fëmijët e tyre, të cilët sapo kishin filluar të kuptonin sportin e futbollit. Nuk shanin në kor me fjalor vulgar, si dhe nuk ishin aktorë kryesorë të episodeve kundërnjerëzore. Pesëdhjetë vjet më parë, tifozët kundërshtonin, nxeheshin, por nuk e fyenin futbollin, futbollistin, stadiumin dhe etikën publike. Sot, nuk shoh asgjëkundi si qëllim bashkimin e tifozëve. Shoh vetëm të rinj, të cilët janë ndarë lehtësisht në grupe. Duhet të mbizotërojë me çdo kusht dashuria për skuadrën e Tiranës, interesat individuale duhet të lihen menjanë”- thotë Meti, ndërkohë që një avokat hijerëndë, i  cili po ecën përballë dyqanit të këtij tifozi të arsyeshëm, e përshëndet dhe i uron një ditë të mbarë .

“Jam plotësisht kundër akteve të dhunës. Për mua, futbolli është një dhuratë e madhe, që të ofron emocion, adrenalinë. Përmes pasimeve dhe kontrollit të topit, është e vërtetë që kjo lojë të njeh me drejtësinë dhe poshtërsitë. Por, nuk duhet harruar në asnjë moment se të gjitha këto ndjesi përçohen përmes disa qenieve njerëzore, të cilët në fund të ditës nuk janë vetëm sportistë”-vijon Meti, i prerë dhe i qartë në atë çka thotë.

Ai qëndron çdo ditë në dyqanin e tij, pothuajse të rrënuar, që ka marrë trajtën e një kioskeje. Në lagjen “Pazari i Ri”, kjo strehëz e shkretë pikaset nga dy rrjeta me topa, të fryrë dhe shumëngjyrësh, të cilat qëndrojnë të varura. Është e qartë se Meti nuk gëzon një ekonomi të qëndrueshme, por ai nuk dëshiron të flasë për këtë çështje. Preferon të flasim gjatë e gjerë për futbollin, që padyshim për të është ushqim për shpirtin.

“E kuptoni përse nuk kam përmendur deri më tani një ndeshje të keqe të Tiranës?”-na drejtohet ai, si për të mos e vendosur aspak në dyshim këtë romancë jetëgjatë, të palëkundur aspak nga koha apo rrethanat. /Fjala.al/

Të fundit

SHBA e injoroi, Berisha: S’kam çfarë të them më…

Ish-kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur sot të ngarkuarit me punë të ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, David Wisner,...

Luhatjet e vazhdueshme të euros dhe dollarit, godasin eksportin e bimëve medicinale

Forcimi i monedhës vendase, leku nuk ka sjellë pasoja pozitive për eksportuesit të cilët i shesin mallrat e tyre me monedhën evropiane. Jo vetëm fasonët...

Masat ndaj të dyshuarve për Inceneratorin e Tiranës, sot seanca për 15 urdhër-arrestet

Ka nisur në Gjykatën e Posaçme masa ndaj të dyshuarve si të përfshirë në Inceneratorin e Tiranës, prej të cilëve janë ekzekutuar 12 masa. Kurse...

Keni probleme me kujtesën? Provoni këto dy përbërës dhe rezultati do t’iu lërë pa fjalë

Të dy këto përbërës natyralë janë fantastike për shëndetin e trurit, zemrën por dhe probleme të tjera shëndetësore. Arrat dhe rozmarina përbëjnë recetën ideale të...

Deklarim të rremë të pasurisë, Prokuroria e Durrësit dërgon në gjyq ish-prokurorin

Prokuroria e Durrësit përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq ish-prokurorin Petrit Fusha, i hetuar për deklarim të rremë të pasurisë. Ish-prokurori akuzohet për “Refuzim...

Lajme të tjera

Web TV