Humbja e memories; flamuri i Vlorës u zhduk, i Lushnjës u gjet i grisur

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

“Këngën e Kongresit, këngën e kongresit”. Batuta hapëse e këtij shkrimi është shkëputur nga filmi “Koncert në vitin ‘36” i regjisorit Saimir Kumbaro. Por, sot mund të qëndronte dhe në një tjetër ligjëratë: “Flamurin e kongresit, flamurin e kongresit”. Sepse, në memorien kolektive që prej kohës së shtetformimit, na mungojnë disa elemente themelore dhe akti i pavarësisë është njëra prej tyre, fjala vjen. Por, edhe flamuri i 1912-ës nuk ekziston. Dhe nëse ka fatkeqësi për një popull, pa dyshim që dhe kjo renditet ndër më të zezat…

…Për të qeshur e për të qarë historia jonë me simbolet, që në shtetformim. Atë ditë që Ismail Bej Vlora ngriti flamurin e Pavarësisë, për shans të keq aty rrotull nuk u gjet asnjë fotograf që të fiksonte çastin më kulmor të Shqipërisë. Fotografia që qarkullon sot e kësaj dite u bë një vit më vonë, në po të njëjtën dalë. Për më tej, akti i nënshkrimit nuk dihet se në çfarë sënduku u fut e nuk doli më prej aty. Sot kemi një fotokopje të tij, që për shkak të zhvillimit teknologjik, të paktën e kemi shumëfishuar disa mijëra herë, ndaj nuk ka si të humbasë më. Pastaj vjen flamuri, për të cilin, si në legjendat e mesjetës së hershme, ka nja tri versione; jo erdhi nga Bukureshti, jo e solli Syriai nga shtëpia, jo e qëndisi Marigoja me ca gra të tjera… Dhe ashtu siç nuk i dihet prejardhja, nuk dihet as ku përfundoi, flamuri më i rëndësishëm i shqiptarëve, pas atij të Skënderbeut të vitit 1943. Dhe kështu 28 nëntorit  nuk i mbeti as nami e as nishani. Flasim për atë të vitit 1912, se armët e Gjergj Kastriotit, si simbole të mesjetës, i ruan me fanatizëm një muze në Vjenë.

Por, të vijmë te historia e ditëve të sotme.

Flamuri i Kongresit të Lushnjës, i shkarravitur, i keqtrajtuar e i bërë për të ardhur keq, gjithashtu mund të ishte një tjetër humbje e kujtesës. Por jo. Kësaj here ia kemi hedhur paq. Ai u restaurua nga një prej restauratorëve më të mirë në Shqipëri, Frederik Stamatit.

Viti 2020 përkon me vitin e 100-të të Kongresit të Lushnjës. Sa për njohuri fillestare, Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920. Ky Kongres mori vendime të rëndësishme politike. Fillimisht, Kongresi shqyrtoi planet e Konferencës së Paqes së Parisit për copëtimin e Shqipërisë dhe i hodhi poshtë. U shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, kundër protektoratit të cilësdo fuqie të huaj dhe për mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit. Kongresi rrëzoi qeverinë e Durrësit, e cila, për shkak të administrimit të saj të keq, e kishte futur vendin në një anarki. Gjatë punimeve të tij u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe u zgjodh Këshilli i Lartë prej 4 anëtarësh, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit. Por u zgjodh gjithashtu dhe një Këshill Kombëtar me 37 veta. Kryeministër u emërua Sulejman Delvina. Kryeqytet: Tirana.

Pra, ishte një Kongres shumë i rëndësishëm, po të kemi parasysh se nga nëntori i vitit 1912, kohë kur u shpall Pavarësia e deri në janarin e vitit 1920, Shqipëria lundronte në ujërat e turbullta të një kënete, herë me Kryeministër Turhan Pashën e herë me Esat Pashën, herë si “Principatë kushtetuese…” e herë si provincë, tokat e së cilës mund të vazhdonin t’u dhuroheshin fqinjëve.

Gjatë 8 viteve të para të pavarësisë Shqipëria nuk stabilizohej dot as me kryeqendrën e saj, ku ca ditë qeveria qëndroi në Vlorë e ca ditë të tjera në Durrës, por Kongresi i Lushnjës vendosi që administrata të shpërngulej në Tiranë. Falë këtij vendimi, Tiranën vazhdojmë ta kemi edhe sot e kësaj ditë kryeqytet.

Kongresi i Lushnjës pati dhe flamurin e vet, një flamur i cili për një kohë të gjatë ka qëndruar i paekspozuar.

Flamurin e ka pasur atdhetari Veli Vasjari, i cili e ka çuar në ndërtesën ku bëheshin punimet e Kongresit të Lushnjës. Pas përfundimit të punimeve e mori përsëri në vitin 1928 ai, e dhuroi në Muzeun Kombëtar. Më pas Muzeu Kombëtar e ruajti në fondet e veta, ndërsa me ndryshimet ai kaloi nga një institucion në tjetrin dhe ky flamur mbeti në fondin etnografik”, – sqaron për publikun Frederik Stamati, i cili shton se për disa muaj me radhë ka punuar intensivisht për restaurimin e këtij flamuri, i cili për të thënë të vërtetën u gjet në kushte mizerabël.

Sipas Frederik Stamatit, “Flamuri historik i kongresit të Lushnjës u zbulua në vitin 2011 nga Ariola Prifti, e cila në atë kohë ka qenë përgjegjësja e fondit etnografik, ku ruhej flamuri”.

Lexo edhe :  “Marrëdhënie unike mes dy vendeve”, Le Figaro: Rama vlerëson partneritetin me Francën

Ndërkohë, Ariola Prifti me titullin “Doktor i Shkencave” në Trashëgimi Kulturore, e kontaktuar nga “Fjala” ka shpjeguar:

“Me dt. 25 nëntor 2011 u identifikua në Fondin Etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike flamuri i Kongresit të Lushnjës. Flamuri është realizuar në një pëlhurë mëndafshi, apo taftaje (mëndafsh artificial prej ksantoceluloze), por që akoma nuk është analizuar. Ai është i kuq dhe ka në qendër shqiponjën me dy krerë, e  stilizuar në formën e shqiponjës së përdorur në atë kohë dhe e ngjashme si ide me atë të flamurit të pavarësisë, kur akoma nuk ishte zyrtarizuar forma e shqiponjës në flamurin kombëtar. Shqiponja është realizuar në një pëlhurë të mëndafshtë që është qepur mbi pëlhurën e kuqe. Në njërën anë të flamurit ka tri unaza metalike, që shërbenin për ta lidhur flamurin në shkop. Dimensionet e flamurit janë: gjatësia 121cm, gjerësia 70 cm. Flamuri, në njërën anë, mbi shqiponjë, është vulosur me një vulë ku lexohet data 20.1.1920 dhe poshtë datës: LUSHNJE. Vula tregon zyrtarizimin e flamurit pikërisht një ditë para fillimit të punimeve të Kongresit. Ishte e martë. Nuk duhet të presim që flamuri të këtë pikërisht vulën e Kongresit, sepse Kongresi akoma nuk kishte filluar dhe nuk kishe marrë akoma asnjë vendim as edhe për miratimin e vulë”.

Pa dyshim, festimet me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Lushnjës nuk do të kishin shumë kuptim, nëse në vend të flamurit origjinal do të kishim një kopje të tij, prodhim industrial apo për më keq se kaq, një flamur shqiptar, por mall kinez, si ata që krijuan skandal ca vite më parë.

Frederik Stamati gjatë punës

Ndërkohë, në një postim në faqen e tij në “Facebook”, mjeshtri restaurator Frederik Stamati ka bërë të ditur edhe një detaj tjetër nga puna e tij: “Jemi së bashku me Migena Dibrën, punonjëse e IAKSA, e cila ka në arkivat e veta flamurin. Jemi duke punuar për trajtimin e flamurit. Është shumë rezultativ bashkëpunimi edhe me punonjës jo të laboratorit, por që kujdesen për konservimin e objekteve, që të njihen me problemet, vështirësitë, koston e ndërhyrjeve, në mënyrë që të dinë më qartësisht se çfarë ndodh me objektet gjatë ruajtjes dhe se çfarë duhet bërë”.

Në fotot e ekspozuara preh Frederik Stamatit, nga puna për restaurimin e flamurit dallohet qartë copa të grirë e të copëtuar. Por, që me një përkujdesje katërmujore prej duarve të arta të restauratorëve ai duket gati si i ri fringo.

Si zakonisht, kur punët nuk ecin dhe gjërat me vlerë i gjejmë në koshin e mbeturinave, e kemi si parim që  fajin t’ia hedhim shtetit, qeverisë, strukturave përgjegjëse… etj. Por, në këtë rast, pavarësisht kësaj, ka edhe një aspekt që nuk ka lidhje thjesht me mirëmbajtjen nga ana e strukturave të një flamurit simbol.

Dëmtimi shumë i avancuar që shihet në foto nuk ka ardhur si rezultat i keqtrajtimit të flamurit apo neglizhencës në ruajtje, por është pasojë e teknologjive të përdorura në shekujt e mëparshëm, për të rënduar mëndafshet me kimikate e për të rritur fitimet e prodhuesve, sepse pëlhurat e mëndafshta në ato kohëra shiteshin me kile. Është trajtimi kimik i bërë nga industria e atëhershme, që çon në shkatërrimin e pëlhurës së mëndafshtë. E gjithë bota muzeale ka gjetur belanë me këta lloj mëndafshesh që degradohen vetvetiu”, – sqaron mjeshtri Stamati.

Flamuri i Kongresit të Lushnjës i restauruar

Sado e vështirë situata, puna po ecën mirë dhe se shpejti do te keni rastin ta shikoni flamurin të ekspozuar pa probleme”, – siguroi më pas restauratori i njohur.

Dhe, falë përkushtimit të tij dhe të specialistes tjetër Migena Dibra, flamuri i grisur u restaurua dhe doli në dritë.

E gëzofshim flamurin e Kongresit të Lushnjës! Shqipëria nuk e ka flamurin e 28 nëntorit 1912. Por nëse Kongresi i Lushnjës konsiderohet si pavarësia e dytë e Shqipërisë, atëherë ne kemi flamurin e pavarësisë se dytë të Shqipërisë. Dhe ky është flamuri më i rëndësishëm që ka Shqipëria. Kujdesi ndaj ruajtjes së tij do të jetë i vazhdueshëm. Të tjera masa me bazë shkencore do të ndërmerren në vazhdimësi”, – thotë si ka përfunduar punën e tij me flamurin historik, mjeshtri restaurator Frederik Stamati.

Dhe më në fund na duhet të gëzohemi me një lajm të tillë, sepse duam apo nuk duam, veç gjuhës, është edhe flamuri ai që na bashkon si komb./Fjala.al

Të fundit

Erjola rrëfen dhunën e tmerrshme nga partneri: E gjeta veten në dyert e spitalit

E teksa në shtëpinë e “BBVIP” po diskutohej tema e dhunës ndaj grave, moderatorja Erjola Doçi ka rrëfyer historinë...

Rikja tregon se kush do të marrë çmimin e madh të BBV3

E ftuar në Wake Up”, ish-banorja e “Big Brother VIP 3”, Rike Roçi, foli më shumë për eksperiencën e saj brenda shtëpisë më të...

A do të ketë reshje shiu? Surpriza e motit për ditën e nesërme, ja çfarë pritet të ndodhë

Në vendin tonë moti do të jetë me vranësira reshje shiu me rrebeshe në zonën e Shkodrës, reshje bore në verilindje. Era do të...

Një vend dedikuar artit dhe kreativitetit, hapet Qendra e Artit dhe Inovacionit në Korçë

Ka hapur dyert për artistët dhe artdashësit Qendra e re e Artit, Kulturës dhe Inovacionit një projekt që e ka kthyer qytetin e Korçës...

Më shumë të rinj të papunë/ “Rinia të mbështetet me grante”

Më shumë se 44.7% e rinisë shqiptare (15-29) është ekonomikisht jo aktive, duke bërë që në vend të ketë praktikisht më shumë të rinj...

Lajme të tjera

Web TV