Kryeministri Rama ka mbajtur një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai u shpreh pas takimit se Shqipëria do të vazhdojë të përmbushë angazhimin e saj sa i takon buxhetit të dedikuar për NATO-n, pavarësisht situatës së rindërtimit që gjendet vendi pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Dua të rikonfirmoj atë se çfarë konfirmova edhe në samitin e NATO-s dhe në takimin tonë privat që Shqipëria, përtej nevojës për të riformësuar buxhetin e vetë dhe për të trajtuar nevojat për operacionin e madhe të rindërtimit, i mbetet angazhimit të saj për buxhetin e dedikuar për NATO-n dhe do të vijojë t’i përmbahet këtij angazhimi dhe të përmbushë objektin e vendosur në Uells”, tha Rama.
Nga ana tjetër, Stoltenberg tha se është e rëndësishme që NATO të investojë në infrastrukturë në vendin tonë. “Investimi në bazën ajrore të Kuçovës është domethënës, kemi vendosur ta bëjmë dhe po shtyjmë që të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo bazë mund të shërbejë si qendër për mjaft operacione, siç është ruajtja e sigurisë së hapësirës ajrore dhe trajnime”, u shpreh ai.