Këndvështrim/ Në udhën që të çon te Shekspiri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Fushëbetejën e një prej komedive e tij më të suksesshme, “Nata e dymbëdhjetë”, dramaturgu i famshëm anglez, Uilliam Shekspir, e ka vendosur në mbretërinë e Ilirisë, diku në bregdetin e saj. Madje, edhe një prej personazheve kryesorë, i quajturi Orsin, mban titullin e Dukës së Ilirisë. Dhe ne nuk e dimë për kë e ka pasur fjalën ai, për Sarandën në Jug, Durrësin, Ulqinin apo Raguzën Veriore. Sepse, për fat, asokohe territori i Ilirisë ishte shumë i madh. Dhe ne shqiptarëve, që mburremi gjithë ditën se jemi pasardhës të ilirëve, dashur padashur, një shkrimtar që nuk e ka shkelur kurrë këtë cep të botës, na ka bërë një nder shumë të madh, duke e përjetësuar truallin tonë në një prej veprave të tij.

Viola – Ç’vend është ky, o miq?

Kapiteni – Iliria, zonjë.

Viola – E ç’të bëj unë këtu në Iliri…?

Komedia është ngjitur në të gjitha skenat dinjitoze të botës, madje dhe në ato të dorës së tretë që ndryshe quhen si skena provincash. Dhe kjo ka ardhur pas popullaritetit të jashtëzakonshëm që patën një pjesë e veprave të shkruara prej Shekspirit të madh. E në të gjitha këto skena është dëgjuar të thuhet: “Iliria zonjë”. Ndërsa versioni shqiptar i vënies në skenë shkon edhe më tej, ku Kapiteni, pyetjes së Violës: “Ç’vend është ky, o miq?”, i përgjigjet: “Në Ilirinë e mrekullueshme, zonjë”.

Kur zbulova Shekspirin, nuk kisha lexuar asgjë tjetër mbi të, kritika mbi veprën apo jetëshkrimin e tij. Thjesht u magjepsa. Dhe më dukej vërtet gjenial në lojën e tij me atë që njihte më mirë: fjalën.

Viola – Zoti të faltë, o mik dhe muzikën tënde. Pranë daulles jeton ti gjithmonë?

Gaztori – Jo zotëri: unë jetoj pranë kishës.

Viola – Mos je gjë kishtar?

Gaztori – Jo zotëri. Jetoj në shtëpinë time dhe shtëpinë e kam pranë kishës.

Viola – Është njësoj si të thuash për mbretin se është i varfër për arsye se ka pranë një varfanjak ose se kisha është pranë daulles, meqenëse daullja jote është pranë kishës.

Që nga kontakti i parë e shumë kohë më pas, më ishte fiksuar në mendje e nuk më hiqej se as më pak e as më shumë Shekspiri ishte shkrimtari më i madh në kohë dhe hapësirë. Këtë mëndim kam dhe sot. Dhe ky ishte një vlerësim personal, i paskeduar dhe i pakërkuar nga askush.

Por Shekspiri u nda nga kjo botë 404 vjet më parë, shumë më larg se unë të rrekesha për të hedhur në letër ca mendime rreth tij. Nuk më dëgjon, dhe për më tepër nuk i intereson mendimi im, edhe nëse qenësia e tij shpirtëror vazhdon të vërtitet brenda shtresës së ozonit e merr vesh gjithçka thuhet për të, nëpërmjet ndonjë smartfoni, sigurisht.

E megjithatë, unë ngul këmbë të them se nuk ka të dytë si ai. Dhe nëse ka, pa dyshim, ka kaluar një herë mbi varrin e tij.

Por a është e vërtetë kjo? A mund të jetë Uilliam Shekspir shkrimtari më i madh i kohërave?

Ç’është e vërteta, pyetja nuk ka shumë sens, përderisa arti nuk ka njësi matëse, fjala vjen, nuk ka një etalon si pesha e kilogramit, njësia matëse e vëllimit apo metri linear. Estetikisht ajo që më pëlqen mua, neverit një tjetër dhe anasjelltas. Për më tepër kur çdo mediokër e idiot që shkruan një libër, me shumë gjasa mund të ketë aq shumë lexues sa ta ndjejë veten më gjeni se të tjerët.

Rusët njohin Tolstoin për më të madhin e të mëdhenjve. Francezët pompojnë fort Molierin si një superkomedian. Gjermanët mburren me Gëten. Spanjollët i kanë ngritur monument Servantesit. Ndërsa italianët mbajnë shpresa te Dante.

Lexo edhe :  Me kufje

Mirëpo, për shkak të famës së tij të pazakontë, i njohur në të gjithë botën tej e tej, Shekspiri mund të mbante mbi kokë kurorën e të gjithëve bashkë.

I vdekur në vitin 1616, Uilliam Shekspir ishte harruar dhe vepra e tij ishte mbuluar nga pluhuri. Por ai që i hoqi pluhurin e harresës, ishte një tjetër gjeni i letërsisë, Johan Volfgang Gëte. Përhapja me shpejtësi e mitit Shekspir erdhi menjëherë pas shkrimtari gjerman e sugjeroi atë për lexim. Dhe ishte në apogje për të paktën 100 vite me radhë kur drejt majës po afrohej një tjetër shkrimtar hyjnor, Leon Tolstoi.

Revista “Time” e ca kohëve më parë, në një studim të publikuar, ku shprehte mendimin e 125 shkrimtarëve dhe kritikëve të njohur në mbarë botën, vlerësonte si më të famshmin shkrimtar në kohë, pikërisht rusin Tolsto. Dhe pas tij, i dyti në radhë vinte Uilliam Shekspir.

Nuk ka hedhje dorezash për dyluftim. Rokada është bërë tashmë. Dhe sherri mes dy gjenive mbyllet këtu.

Sepse ka ndodhur që në fillim të viteve 1900, Tolstoi të mbante një qëndrim injorues ndaj dramaturgut anglez, duke e klasifikuar atë si autor të rëndomtë, madje imoral.

Shekspiri nuk i përgjigjej dot këtij reagimi, si ndodh sot përmes një statusi në “Faccebook”.

Nuk dua të futem në vlerësimin e Tolstoit e as ta kundërshtoj atë. Për më tepër që një gjë të tillë e ka bërë një mëndje e ndritur mes shqiptarësh, Fan Noli, i cili ka botuar dhe shkrimin eseistik me titull “Shekspiri në rrezik”, ku që në paragrafin e parë shkruan: “Një bujë të madhe ka bërë një kritikë e filozofit të krishterë rus Tolstoi përmi të madhin dramëtar Shekspir…”

Sot Shekspiri është një nga shkrimtarët më me ndikim në botë, ashtu si dhe Tolstoi.

S’duhet ta kuptojmë Shekspirin, po ta ndiejmë”, – ka thënë Fridrih Niçe, ky filozof gjerman.

Por a kemi të bëjmë këtu me përplasjen e dy shkollave, asaj anglosaksone nga njëra anë dhe asaj ruse nga ana tjetër?

Kjo po, edhe mund të ketë sens, madje dhe vend për debat.

Gëte ishte në kulmin e krijimtarisë së tij dhe dishepulli përfaqësues i rrymës letrare “Stuhi dhe vrull”, që pati ndikim të theksuar në letërsinë gjermane, por ai e shtyu njerëzimin ta lexonte Shekspirin dhe të njihej me gjenialitetin e tij.

Tolstoi u tregua më cinik. Ndoshta thjesht më i drejtpërdrejtë e pa asnjë prapavijë mendimi, si shkak i rivalitetit mes tij dhe një britaniku, për kurorën e vendit të parë.

Por edhe nëse Shekspiri nuk i ka pikët e duhura për të qenë shkrimtari më i famshëm i të gjitha kohërave, ai pa dyshim është një nga dy më të mëdhenjtë dhe kjo nuk i prish punë aspak.

Sot, nuk ka pikë rëndësie kush fshihet pas mantelit të tij. Në ishte një burrë fisnik a një grua oborrtare. Në mbante emrin origjinal të pagëzimit apo një pseudonim fantazmë. E rëndësishme është teksti. Dhe teksti është shkruar e zezë mbi të bardhë duke mbajtur mbi krye të njëjtin emër: SHEKSPIR. Dhe ne sot, e më parë se kjo ditë, gjykojmë veprën, jo njeriun i cili ka ekzistuar gati 500 vjet më parë. Dhe si i tillë tanimë nuk na intereson fare jeta e tij, në ishte moralist, homoseksual, me prirje monarkiste apo nga ato të tipit fashist.

Mbi të gjitha e në çdo kohë ai është SHEKSPIRI.

Leonard Veizi/Fjala.al/

Të fundit

“U largova nga futbolli pasi nuk e njihja më”,Klose: Të rinjtë e kanë mendjen tek makinat

Miroslav Klose është një nga ata që ka shkruar historinë me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, por edhe Bayern...

Shtatzënia përshpejton plakjen, por ja çfarë ndhodh pas lindjes

Ndryshimet e thella fizike, hormonale dhe kimike që lidhen me shtatzëninë mund të bëjnë që ora e plakjes të kthehet më shpejt, duke i dhënë moshës biologjike të...

“Eglën e njoh shumë mirë…”/Hygerta Sako zbulon detaje për banoren jashtë shtëpisë së BBV

ot e ftuar në emisionin “Big Brother Radio” ka qenë gazetarja Hygerta Sako, për të bërë një analizë të lojës së banorëve dhe për...

Aktiviteti elektoral i presidentit Biden me ish-presidentët Obama e Clinton,shënon rekord

Shuma e dhurimeve është një demonstrim i mbështetjes së demokratëve për presidentin Biden në një periudhë kur anketimet vazhdojnë të tregojnë nivele të ulëta...

Ngacmimet nga interneti/ Tirana në vend të parë për numrin e denoncimeve

Bullizimi dhe dhuna përmes rrjeteve sociale po përhapet edhe në qytete të vogla. Kuçova, është qyteti i dytë pas Tiranës që ka raportimet më...

Lajme të tjera

Web TV