“I love Tropoja”, polemikat që shkaktoi filmi i Ermal Mamaqit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ermal Mamaqi tregon për gazetën “Fjala” emocionet që kishte para premierës së filmit të tij të dytë, për aktorët dhe komentet e publikut

Nga Enkelejda Fishekaj/

“I Love Tropoja“ u shfaq për herë të parë në Pallatin e Kongreseve mbrëmjen e së mërkurës. Ishte hera e parë që në skenën e kësaj ndërtese, e cila ka mirëpritur shumë shfaqe teatrale dhe festivale, vendosej një film.

Në tapetin e kuq parakaluan të gjithë të ftuarit e aktorit dhe regjisorit Ermal Mamaqi. Kasti i aktorëve ishte mjaft pikant, pasi, siç e dimë tashmë, një nga personazhet që është komentuar më së shumti është roli i dajës, që luhej nga Kryeministri Edi Rama.

Pjesëmarrës në film ishin edhe shumë emra të tjerë të njohur të kinematografisë shqiptare, si: Bujar Asqeriu, Bruno Shllaku, Marjana Kondi, Ermal Mamaqi, Behar Mera, PranveraVeizi, Julian Deda, Irgen Çela, Enca Haxhia, Edi Rama, si edhe vetë djali i Ermal Mamaqit, Joel Mamaqi.

10.000 lekë të reja bileta?!

Pallati i Kongreseve si kurrë më parë ishte i mbushur me një publik, i cili kishte blerë një biletë prej 10.000 lekësh të reja. Publiku i pranishëm në premierë u pyet nga gazeta “Fjala” nëse iu duk i arsyeshëm çmimi i biletës. Përgjigjet kanë qenë nga më të ndryshmet, disa mendonin se ia vlen, pasi prisnin një film të suksesshëm dhe të tjerë e kanë quajtur të pajustifikuar vlerën, pasi organizimi nuk ishte i mirë dhe filmi nuk filloi në kohë. Pas premierës, Ermal Mamaqi është pyetur se si e vlerëson natën e parë të premierës. Ai u përgjigj siç e priste. “Salla ka qenë e mbushur plot, reagimet e njerëzve në sallë kanë qenë shumë pozitive, njerëzit kanë plasur nga të qeshurat, janë shitur shumë bileta dhe të gjithë e kanë përjetuar”.

Sa lekë ka marrë Rama?

Pa më të voglin dyshim që një interes të madh për filmin ka pasur edhe roli i Kryeministrit Rama. Por, si është pritur ai nga publiku dhe a ishte ai një aktor i denjë?

“Rama ishte rreth një minutë në këtë film, ka bërë maksimumin e tij, ka pasur emocione, ai ka qenë shumë profesionist edhe gjatë xhirimeve ka qenë korrekt me gjithçka”, – tregon Mamaqi, i cili ka pasur edhe rolin e regjisorit në këtë film.

Por, pyetja që na vjen ndërmend të gjithëve është se sa u pagua Kryeministri për një minutë si aktor?! Me sa duket, fare, të paktën në aspektin monetar. Vetë regjisori Mamaqi shprehet se Kryeministri nuk ka marrë asnjë shumë monetare, por ka dhënë shumë për filmin dhe për turizmin në Tropojë. “Rama nuk ka pranuar asnjë pagesë, nuk ka marrë asnjë lek, përkundrazi i ka dhënë shumë këtij filmi me prezencën e tij dhe kontributin që dha për Tropojën pasi do të vizitohet nga shumë turistë”, – shprehet ai.

Ka edhe bamirësi

Ndoshta 10.000 lekë për të parë një film janë shumë, por Ermali ka treguar se është jo vetëm një aktor dhe menaxher i mirë, por edhe një person human. Bëhet fjalë për 1 milion lekë të reja, të cilat do të shkojnë për bamirësi.

Filmi kushtoi 700 mijë euro

Por, nëse Kryeministri nuk ka marrë asnjë lek, sa para janë shpenzuar për realizimin e këtij filmi? As kjo nuk është ndonjë sekret, Ermali ka treguar që në krye të herës se sa para janë shpenzuar dhe nuk janë pak, por plot 700 mijë euro.

Tropojanët në protestë kundër filmit?

Ky film ka ngjallur shumë polemika, pasi shumë tropojanë janë ndier të prekur dhe janë shprehur se mesazhi i filmit është i padrejtë, duke deklaruar se traditat e tyre nuk ngjasojnë me atë që Ermal Mamaqi ka nxjerrë në film. Madje, disa prej tyre janë shprehur se do të ngrihen në protesta. Edhe për këtë Ermali e ka një përgjigje, ai i ka shpjeguar duke thënë: “Miq desha t’ju sqaroj për një lajm dashakeq që ka dalë dje. Sipas këtij lajmi, ‘në filmin tim, tropojanët respektojnë mikun me vajzën e shtëpisë duke e futur në krevat’ e të tjera idiotësi si këto… Nuk e kuptoj ç’lloj njerëzish janë këta që guxojnë të shpikin lajme. Ju sqaroj se është e kundërta. Nuk do të guxoja kurrë ta bëja një gjë të tillë, pasi mesazhi që jep filmi është pikërisht i kundërti”. Sipas tij, në film tropojanët dalin ashtu siç janë, njerëz të besës, të traditës dhe të nderit.

Lexo edhe :  “Nuk më njihte as mua për 6 orë”/ Albano flet ‘pa dorashka’, zbulon situatën e pazakontë

Ai tregon se mbrëmjen e së mërkurës, në Pallatin e Kongreseve ka qenë premiera më e madhe për një film, ku kanë marrë pjesë rreth 5000 të ftuar dhe filmi është ndjekur nga shumë tropojanë, duke filluar nga kryetari i Bashkisë së Tropojës, Rexh Biberi, dhe deri tek Erzen Breçani. “Të gjithë më falënderuan dhe më uruan për mesazhin që nxirrte filmi”, – shprehet Ermali.

Duket se vetë Ermali është prekur nga ky lajm, duke kërkuar edhe sqarime për ata që e kanë nxjerrë dhe besuar këtë “fake news”. “A ma shpjegon dot njeri që nëse do ta kisha bërë filmin për të çnderuar tropojanët, si mund të shkoja ta shfaqja këtë film për të gjithë ata? Mos u bëni pre e disa faqeve ose fjalëve që nxisin urrejtje. Ata gënjejnë”, – thotë ai.

“I love Tropoja”, Rezart Veleshnja “braktis” premierën e filmit

Aktori i njohur i humorit Rezart Veleshnja ka “braktisur” në rebelim e sipër premierën e filmit “I love Tropoja”. Në fakt, është një batutë që aktori i njohur bëri për ndjekësit e tij. Në një intervistë ekskluzive për gazetaren Enkeleda Fishekaj për “Fjala.al”, Veleshnja është pyetur se si i është dukur roli i Kryeministrit Edi Rama dhe kastës së aktorëve në filmin “I love Tropoja”. Ndërkohë, Veleshnja ka pyetur me humor gazetaren nëse luan si aktor Kryeministri në këtë film. Kur gazetarja i tha “po”, aktori në mënyrë “demonstrative” ka thënë se po largohet. Në fakt, gjithçka ka qenë në fomin e batutës. Rezart Veleshnja është mik i ngushtë i Ermal Mamaqit dhe nuk do të braktiste asnjëherë premierën e filmit të mikut të tij. Kujtojmë se Veleshnja ka luajtur në filmin tjetër të Ermal Mamaqit, “Dy gisht mjaltë”. Po ashtu dy aktorët kanë luajtur bashkë plot skeçe humori në “Portokalli”.

Soni Malaj, “xheloze” për të bukurën e Tropojës

Këngëtarja e njohur Soni Malaj, e pranishme në premierën e filmit “I love Tropoja”, është shprehur për mikrofonin e “Fjala.al” se do të kishte qenë e gatshme për të luajtur në filmin e Ermal Mamaqit. Megjithëse, sipas Sonit, ajo e ka provuar dikur aktrimin por që nuk ka “qenë për atë punë”, siç shprehet vetë këngëtarja. Por, në rastin e filmit “I love Tropoja”, Soni thotë se do ta kishte menduar për të qenë pjesë e kastit të aktorëve, duke qenë se është edhe vajzë tropojane.

Kam bërë një herë para shumë viteve një kinoprovë, por e pashë që nuk isha për atë punë. Megjithatë, kanë kaluar shumë vite. Tani që do shohësh ‘I love Tropoja’ mund të ndryshosh edhe mendim… Po të kishte qenë ky film, ndoshta do ta kisha menduar. Për film tjetër, nuk e di”, – u shpreh këngëtarja Soni Malaj kur u pyet nëse kishte menduar ndonjëherë për të marrë pjesë në ndonjë film. Gjithsesi, Soni Malaj shprehet entuziaste që filmi bën fjalën për Tropojën e saj si dhe për faktin që aktorja kryesore, Enca Haxhia, në këtë film është po nga Tropoja. “Unë, në fakt, kam parë vetëm copëza nga traileri, filmin po pres ta shoh. Jam entuziaste! M’u bë qejfi shumë që zhvillohet në Tropojë, në vendin tim të lindjes. Më vjen shumë mirë që edhe aktorja kryesore është tropojane, sepse vetëm një tropojane mund ta luajë me shpirt dhe me pasion. Kështu që, mezi pres ta shoh, të them të drejtën. Nuk e di a do të vija me kaq entuziazëm dhe do angazhohesha kaq shumë për një film tjetër”, – tha Soni Malaj.

Vis Ukcenaj: Rama si aktor, shpresoj që të mos jetë si në realitet

Aktori i njohur Vis Ukcenaj, i cili luan në spektaklin “Klanifornia”, ka thumbuar Kryeministrin Edi Rama mbi episodin që kreu i qeverisë luan si aktor në filmin “I love Tropoja”. Aktori Ukcenaj tha me humor se shpresonte që Rama si aktor të mos jetë siç është në realitet në postin e Kryeministrit. “Kryeministri gjithmonë është pikant. Pa e parë filmin, nuk dimë ta themi, por me siguri nuk do të jetë aq arrogant sa është si Kryeministër”, – u shpreh aktori Ukcenaj. Botuar sot në gazetën /Fjala/

Të fundit

Ndryshimet e fundit të WhatsApp inatosin përdoruesit

WhatsApp, në një përpjekje për të revolucionarizuar aplikacionin, përfundoi duke zemëruar përdoruesit së fundmi, duke shtuar shkronja të mëdha...

Makinat bëhen copë-copë, aksident masiv te Kthesa e Rinasit, detajet e para

Një aksident masiv ka ndodhur mesditën e sotme në rrugën Fushë Krujë-Vorë, pranë kthesës së Rinasit. Behet me dije se në aksident janë përfshirë disa...

“Meta dhe Kryemadhi drejt divorcit”/ Gazetari: Marrëdhënia mes tyre ka marrë fund

Gazetari Denis Dyrnjaja tha se marrëdhënia mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, ka marrë fund edhe në aspektin personal, e madje sipas tij së...

Protesta para bashkisë së Tiranës, Meta: Kjo është opozita e vërtetë!

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në rrjetin e tij social "facebook" ka postuar foto nga protesta që mbajti sot opozita para bashkisë...

Nuk ka rikthim në Mynih, Julian Nagelsmann rinovon me kombëtaren e Gjermanisë

Vazhdim me Gjermaninë apo rikthim te Bayern Munich? Tani nuk ka më dilema rreth së ardhmes së Julian Nagelsmann. 36-vjeçari, i cili kishte kontratë me...

Lajme të tjera

Web TV