Pse Rama i tha Peqe, Lepes së Ermalit dhe leksioni i hidhur për Lul Bashën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Lorenc Vangjeli për Fjala.al

Premiera e filmit nisi me vonesë. Gjëmime të forta daullesh shoqëruan hyrjen në sallë të aktorëve. Pak më shumë se daullet gjëmoi ankesa e Robert Ndrenikës. Tempulli i gjallë i kinemasë shqiptare u ankua për orën e pritjes. Salla e duartroket. Ermali i përulet dhe i kërkon ndjesë. Pak më parë ishte ankuar në të njëjtën mënyrë një tjetër ikonë e magjisë së filmit shqiptar. Roza Anagnosti kishte marrë me vete nga e shkuara e saj të njëjtën buzëqeshje që ka trallisur breza tërë shqiptarësh. Shumëkush ngutej të vinte rrotull hollit dhe sallës që t’i binte në sy sharmit të Vera Grabockës dhe t’i jepte dorën grupit të njerëzve që e mbanin në qendër. Ishte Valbona Selimllari, por mungonte Alketa Vejsiu. Të tjera personazhe arti e politike, të medias apo biznesit frymonin në mes të parfumeve që të merrnin frymën.

Parada e modës shpaloste edhe Tiranën që punon, edhe Tiranën vanitoze. Aty gjeje një mori bukuroshesh që e shohin botën nga “Instagram”-i, si ato vajzat shumëkombëshe që shohin kalimtarët nga dritaret e Amsterdamit. Ishin personazhe të së shkuarës që shijojnë si verë e vjetër, por i mungojnë menysë së re së modës, përgjigjeshin në apel mimika teneqeje, krijuar nga e njëjta bisturi kirurgu dhe dëshmonin prani edhe eglendisjeje otomane me bizhu Evrope; në premierën e filmit të Ermal Mamaqit me dashuri për Tropojën, ishte gjithë Tirana që zgjodhi të hante popcorn e të pijë Cola. Filmi me shumë bashkautorë, regjisorë e aktorë, “Unë e dua Tiranën”, kishte nisur të luhej për më shumë se një orë e gjysmë në hollin e Pallatit të Kongreseve. Kaq zgjati pritja e publikut para se Ermali “remake” të ngjitej në Tropojë për të rënë në dashuri me Valbonën e Tropojës, ndryshe nga sa kishte ndodhur nja dhjetë vjet më parë në Itali – një ribërje filmi francez – kur dikush zbriti nga Milanoja në veri, për të rënë në dashuri me Kastelabaten e Jugut.

Nuk mungonte as rreshti i mërzitshëm i reklamave: filmat kushtojnë dhe në këtë botë, as dashuria nuk jepet falas. Dikush paguan gjithmonë. “Paratë janë vetëm një koncept”, – thoshte dikur Doktor Berisha, tropojani më i famshëm i Tiranës, i cili i mungonte çuditërisht filmit. Për ironi të fatit, personazh i filmit ishte kundërshtari më i ashpër i tij, që me Tropojën e ka lidhur vetëm harta për shumicën dërrmuese të jetës së tij. Edi Rama i kishte thënë “po” filmit të Ermalit. Mbasi kishte bërë aktorin në jetë, mbasi kishte interpretuar pjesë që ia kishin shkruar të tjerë, mbasi kishte shkruar skenar për të tjerë aktorë jete, mbasi kishte provuar role karakteresh dhe kishte vënë pa fund në lojë karaktere të deformuara, luajti edhe vetë në film. Duke i afruar Tiranës vanitoze një fabul të re debati. Buzëqeshje llamarine nga ndjekësit e tij dhe acid neverie nga kundërshtarët. Duke krijuar sërish keqkuptimin e radhës dhe kurthin politik në të cilin bien rregullisht të dyja palët.

Edi Rama ishte serioz në filmin e Ermal Mamaqit. Filmi të bënte për të qeshur, edhe pse nuk kishte natyrisht as shkëlqimin e Hollivudit e të Kanës dhe as sofistikimin e Berlinit apo të Venecias. Ai ishte një operacion marketingu politik i të parit dhe jo vetëm një sprovë artistike e të dytit. Kryeministri, personazhi i dajës në film, që nuk do të lejonte të martohej nipi me zor, zbret në skenë nga helikopteri. I kënduar siç është, me të gjitha gjasat i kujtohet se edhe grekët e lashtë dhe latinët kishin zbuluar me kohë se “Deus ex machina”! Në Tiranën e sotme ku drejton individi dhe nuk lëvizin institucionet, Rama ka kohë që sillet si zot, edhe pse ai vetë Zotin e përfytyron me fytyrën e tij dhe paruket e gjata të rolit.

Vullneti i tij është gjithçka në Tiranë. Bën shiun dhe diellin, sipas humorit të tij. Mbas 30 vjetësh në jetën publike, ai është i bindur se ka fuqi të epërme në këtë vend. Kush i qan hallin që administrata e ka lënë në hall, ai e zgjidh; kush ka problem me shtëpinë nga tërmeti, ai ia ndërton; kush do të bëjë karrierë, të jetë i suksesshëm, të ndërtojë rrugë apo pallate, të marrë PPP apo të jetë KÇK, Kryeministri, falë një mijë e një rrethanave, është në gjendje ta bëjë dhe ta afrojë.

Dhe kjo nuk është hiç diçka e re, kështu ka qenë edhe vullneti i Sali Berishës. Para tij kështu ka qenë Zogu, Enveri dhe kështu do të vazhdojë të jetë sa kohë ky vend do të zgjedhë të qëndrojë atdhe i njëshit, i fisit dhe i prijësit. Edhe nëse kalohet ylberi dhe Basha, përkundër të gjitha basteve që edhe vetë vë kundër vetes, arrin të bëhet Kryeministër ndonjëherë.

Lexo edhe :  Pse Europa i dha shuplakë Athinës për Fredi Belerin?

Kjo do të ishte metafora gjigante që, as Ermalit, autorit të një ore e gjysmë gazmore në ekranin e kinemasë, nuk i ka vajtur mendja se luhet në Tiranë. Ai thjesht ka zgjedhur të marrë kontrastin mes të vërtetës dhe mitit, mes reales që ndodh në jetë dhe asaj që shkruhet në media, që recitohet në politikë dhe besohet në publik; kontrastin mes Tropojës siç e dinte ai dhe asaj mrekullie të Perëndisë që e kanë demonizuar ata që edhe Perëndia i ka bërë lanet.
Kush kërkon tjetër gjë nga filmi i Ermalit, gabon! Kush i kërkon karaktere realë në komedi, duhet të mësojë se bota deformohet në sytë e komedianit, kush thotë se tropojanët nuk janë siç dalin në film, kanë të drejtë, por komedia nuk është foto celulari pa filtra Instagrami, kush gjykon se plaku tropojan dhe gruaja e tij duken qesharakë, ka pritshmëri të gabuar nëse do t’i donte ata si të dalë nga Eposi i Kreshnikëve. Eshtë njëlloj si të nervozohesh se nuk gjen vajguri në markatën e lagjes, të kërkosh anestezi tek berberi dhe të presësh flokë e thonj tek dentisti. Ata që kërkojnë Tarantinon në Tiranë, siç po tentojnë të gjithë të bëjnë mbas filmit, do të gjenin po të njëjtin zhgënjim nëse do të prisnin të zbulonin naftë në zyrën e Edi Ramës. Filmi është komedi marketingu dhe maketing komik i vetë jetës shqiptare.
Gjithë ata që duket se po mbrojnë Tropojën nga “turpi” qe ju hodhi Ermali, në fakt duhet të mësojnë të duan më shumë gjithë Shqipërinë; një atdhe tragjik që të bën të qeshësh dhe një vend komik që të bën të qash!
Komeditë kanë gjithmonë fund të lumtur, por rrallë ndodh që edhe të japin leksione të hidhura.
Te “Benvenuti al Sud” në Itali, ky leksion, për shembull, mungoi, por erdhi si leksion në Shqipëri për ata që mund ta kuptojnë. Sa për një shembull, Lulzim Basha nuk merr pjesë në film, por duhet të jetë spektatori më i vëmendshëm i tij. Mbasi të shohë filmin, ai mund të kuptojë se Shqipëria që ai vizaton si një agjenci funerale, ku njerëzit vetëm vdesin e vriten, ku qeveria vjedh çdo qindarkë të buxhetit, ku njëra gjysmë i shet drogë gjysmës tjetër të vendit, nuk ekziston. Nuk ekziston, njëlloj si Tropoja e maktheve të Ermalit në fillim të filmit. Shqipëria është e tillë vetëm për të dhe për naivët që shohin vetëm bardhezi dhe mezi presin të vijnë në pushtet, me propozimin për një rrotacion që fton të ndryshojë ngjyra, por jo mendësia sovjetike e të qeverisurit mbi një vend të mjerë. Pa asnjë dyshim, Shqipëria është një vend shumë herë më i mirë sesa ka qenë në të shkuarën, por shumëfish më keq sesa do të duhej të ishte dhe meriton të jetë! Falë qeverisjeve të këqija që ka pasur dhe pasojë e një mijë e një aksidenteve historike që ka pësuar. Por, pavarësisht nga të gjitha këto, e vetmja rrugë për të mbërritur në qeverisje nuk është urrejtja, por dashuria. Jo mohimi, por pohimi. Jo lufta sociale, por paqja njerëzore.

Po e kuptoi këtë kryetari i opozitës, atëherë Rama ka luajtur për hir të Bashës rolin e jetës, ndërsa Ermal Mamaqi i ka dhënë leksionin e duhur, duke qenë në krah të tropojanes së bukur, të cilës mund t’ia shijojnë buzëqeshjen plot trishtim edhe të verbrit. I gjithë filmi “E dua Shqipërinë” u luajt nën vëmendjen e lodhur të Robert Ndrenikës, buzëqeshjen e Roza Anagnostit, sharmin e Vera Grabockës, shkëlqimin metalik të gocave që e shohin “Instagram”-in si dritare Amsterdami, medias, biznesit dhe gjithçkaje që e bën kaq interesante vetë Tiranën reale, filmin më të madh të luajtur ndonjëherë në shqip. Një qytet i vonuar në kohë, por që i ka dhënë në çdo kohë kaq shumë dashuri edhe maskarenjve!

P.S. Ka gjithmonë një epilog në komedi. Epilogu i “I Love Tropoja” ishte diku nga mesi i filmit dhe në rrugë e sipër për në Tropojë. Në tragetin që lundron në Koman, kërcejnë pothuaj gjysmëlakuriq ca vajza kalendarësh. Edhe nëse do të ishin të veshura me rroba zjarrfikësish, ato do të bënin të psherëtinte njëlloj e gjithë gjindja në film. Burrat do të psherëtinin për një arsye që e tregojnë zakonisht në bisedë mes burrash dhe gratë për një arsye të ngjashme me atë të burrave dhe që gratë bëjnë sikur nuk e dinë që ekziston.

Të fundit

Plas skandali, okulistja i ngatërron numrin e syve qytetares tek “Iraniani”

Një qytetare u ankua në Fiks Fare se, pasi bëri një vizitë te një okuliste te Poliklinika e Specialiteteve...

Albano Bogdo ‘thumbon’ Robert Berishën për Nora Istrefin, moderatori habit me përgjigjen

Konkurrentët e “Ferma VIP” janë vënë përballë disa pyetjeve pikante në sfidën “E vërtetë ose Dënim”. “Ne të dyve na pëlqen shumë kënga  “Ana” të...

Ndahet nga jeta në moshën 82 vjeçare ish-senatori amerikan

Ka ndërruar jetë Ish-senatori amerikan Joe Lieberman, i cili ishte shumë pranë postit të Nënpresidentin kur kandidoi me demokratin Al Gore në zgjedhjet e...

Qytetari akuzon Metën se ka vjedhur floririn në Krrabë, ja si i përgjigjet ish-presidenti

E ndërsa emri i ish-presidentit Ilir Meta mbetet ndër emrat më të lakuar se fundmi në dyert e SPAK për shkak të akuzave te...

Furnizuesi më i madh i ujit në Britani zhytet në krizë më të thellë financiare

Thames Water i rrënuar nga borxhi nuk ka arritur të mbledhë një injeksion të madh parash nga aksionerët, zbuloi ajo të enjten, duke fajësuar...

Lajme të tjera

Web TV