Ligji ANTI-KÇK/ Reagon SHBA: Koha për të luftuar krimin e organizuar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pas miratimit të paketës ligjore nga qeveria të ‘ANTI-KÇK-së’ ka reaguar edhe ambasada amerikane në Tiranë. Në një deklaratë për shtyp ambasada e Shteteve të Bashkuara deklaron se mirëpresin përpjekjet e intensifikuara nga qeveria shqiptare për të parandaluar dhe luftuar krimi e organizuar.

Sipas SHBA-ve, mekanizmat e përforcuar për zbatimin e ligjit duhet edhe të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë të ngarkuara me ndjekjen penale të krimit të organizuar, edhe të harmonizohen me standardet e procesit të drejtë ligjor.

Ndërsa vazhdon zbatimi i reformave të rëndësishme të drejtësisë, Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e intensifikuara nga Qeveria e Shqipërisë për të parandaluar krimin e organizuar që të përdorë pasurinë e paligjshme për të minuar themelet e shtetit ligjor. Mekanizmat e përforcuar për zbatimin e ligjit duhet edhe të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë të ngarkuara me ndjekjen penale të krimit të organizuar, edhe të harmonizohen me standardet e procesit të drejtë ligjor. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim zbatimin e këtij ligji me interes te madh”, thuhet në deklaratën për shtyp të ambasadës amerikane.

Çfarë parashikon ligji ANTI-KÇK?

Gazeta “Fjala” zbardh draftin që godet krimin e organizuar, grupet terroriste, gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Si do të futet në lojë Policia e Shtetit, BKH-ja dhe ligji “Antimafia” në funksion të “Anti-KÇK”-së

Nga Bardhi Quku

Qeveria ka miratuar paketën ligjore “Anti-KÇK”, e cila parashikon ashpërsimin e luftës ndaj krimit të organizuar, grupeve që tentojnë të kryejnë akte terroriste apo grupeve, të cilat sfidojnë shtetin duke mos justifikuar pasurinë e tyre. Paketa “Anti-KÇK” do të sjellë rrjedhimisht edhe ndryshime në ligjin “Anti-Mafia”, ligjin e Policisë së Shtetit, ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara si dhe Kodin Penal. Drafti i zbardhur nga gazeta “Fjala” sjell një panoramë të plotë të të gjithë aktivitetit të “Anti-KÇK”-së.

Kjo paketë parashikon verifikimin e pasurisë së personave të dënuar për krim të organizuar, pjesëmarrje në organizata kriminale, grupe që kryejnë akte terroriste apo trafiqe dhe krime të tjera të rënda. “Anti-KÇK”-ja, e cila lindi si ide e Kryeministrit Rama kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të sjellë ndryshime gjithashtu edhe në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, pasi edhe kjo kategori do të jetë në objektivin e kësaj pakete. Kjo paketë do të jetë pjesë edhe e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku BKH-ja i bën kërkesë Policisë së Shtetit që të ndalojë apo kufizojë lëvizjen e subjekteve të dyshuara, si pjesë të krimit të organizuar, grupeve terroriste apo gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. “Akti normativ i miratuar do t’i japë Policisë së Shtetit, SPAK-ut dhe gjykatave të posaçme mjetet dhe kornizën e duhur ligjore për të luftuar krimin e organizuar në mënyrën më efikase të mundshme. Të gjithë këta individë, qofshin të dënuar apo të akuzuar, do të duhet të provojnë se banesat, bizneset, tokat, llogaritë bankare, mjetet motorike në posedim të tyre apo edhe të familjareve të tyre burojnë nga puna dhe jo nga aktiviteti i paligjshëm dhe i pajustifikuar”, – tha ministrja Etilda Gjonaj në konferencën e djeshme gjatë prezantimit të paketës ligjore.

Sipas nenit 6 të kësaj pakete, në rastin kur personat e dyshuar të lidhur me grupet e krimit të organizuar ndodhen jashtë Shqipërisë atyre nuk u lejohet që të hyjnë brenda vendit pa iu nënshtruar verifikimit të hollësishëm të Policisë së Shtetit në çdo pikë të kalimit kufitar. Ndërsa në kushtet kur është emergjente kur nevojitet ndërhyrja e Policisë së Shtetit, personave të dyshuar iu hiqet pasaporta ose i bëhet pezullimi i saj.

Kjo paketë parashikohen goditjen edhe në rastet e abuzimeve me tenderat publikë me koncesionet në formatin e PPP-ve. Policia e Shtetit në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit fillon procedimin në rastet kur ka dyshime se nuk justifikohet pasuria, e cila mund të rrjedhë nga aktivitete të paligjshme si krimi organizuar apo veprimtari të grupeve terroriste. Hetimet pasurore shtrihen edhe ndaj subjekteve të cilat përfitojnë dhe abuzojnë me fondet publike, prokurimet apo koncesionet e PPP-ve. Hetimet në këtë rast do të kenë objekt edhe bashkëshortët, fëmijët dhe shkojnë deri te bashkëjetuesi i 5 viteve të fundit si dhe ndaj të gjithë personave, të cilët kanë lidhje direkte apo indirekte me pasurinë e paligjshme. “Subjekte të kësaj pakete janë të gjithë ata, të cilët për të fshehur pasuritë e tyre të paligjshme, i kanë transferuar ato në emra të palëve të treta. Këto lloj transferimesh apo transaksionesh në bazë të këtij akti normativ do të anulohen dhe konsiderohen të pavlefshme. Personat që kanë menduar se përmes këtyre veprimeve do të shpëtonin pasurinë e tyre, do të duhet të japin llogari një më një, e të justifikojnë çdo qindarkë”, – u shpreh Gjonaj. Një pjesë e paketës do të ketë në objektiv edhe gjyqtarët dhe prokurorë të korruptuar, të cilët sfidojnë shtetin dhe ligjin, me vendime si ai gjyqtares së Gjykatës së Krujës, Enkeleida Hoxha, e cila liroi ish-numrin dy të Bandës së Durrësit, Endrit Dokle.

Lexo edhe :  Bardhi “lider” i Rithemelimit, mënjanohet Noka dhe Boçi

Por, si do të arrihet deri te këta persona? Për këtë paketa “Anti-KÇK” ka menduar formën e gjurmimit, ku policia do të bashkëpunojë me kompanitë telefonike për të identifikuar në kohë individët apo grupet dyshuara dhe për të bërë lokalizimin e tyre. Gjithashtu, policia do të ketë akses në data-bazën e regjistrave elektronikë të institucioneve shtetërore dhe të subjekteve private. Paketa “Anti-KÇK” që i bashkëngjitet edhe ligjit “Antimafia” parashikon gjithashtu se ku do të shkojnë paratë apo pasuritë që do t’u konfiskohen grupeve të caktuara kriminale. Përveç rasteve kur asetet e këtyre grupeve do të përdoren për të mira publike, një pjesë e këtyre të ardhurave rreth 3 për qind do të shkojnë për bursat për fëmijët e familjeve në nevojë. Të gjithë ata që do të jenë nën objektivin e “Anti-KÇK”-së do të kenë barrën e provës, për të për të justifikuar ligjshmërinë e pasurisë se tyre apo nëse nuk bëjnë pjesë dhe nuk kanë lidhje me krimin e organizuar.

“Anti-KÇK”, Bardhi: Si të besosh se hijena do të bëhet vegjetariane

Gazment Bardhi, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka ironizuar hyrjen në fuqi të paketës “Anti-KÇK”, e miratuar nga qeveria e Edi Ramës. Bardhi thekson se kjo paketë do të dështojë njësoj si “Forca e ligjit”, pasi “në krye të qeverisë është ortaku i krimit të organizuar”. “Që do të zbatojë Edi Rama ndonjë ligj që godet krimin e organizuar, është si të besosh se hijena do të bëhet vegjetariane. Sa herë ka një hall të madh, Rama shpik një ligj me emër të madh. ‘Anti-KÇK’ ka për të dështuar, siç dështoi ‘Forca e ligjit’, sepse në krye të qeverisë është ortaku i krimit të organizuar. Me Edi Ramën kanë dalë jashtë burgut kriminelët më të rrezikshëm. Me Edi Ramën, Shqipëria është shndërruar në bazë operacionale për krimin e organizuar. Me Edi Ramën nuk ka për të pasur luftë kundër krimit. Ka vetëm propagandë dhe bashkëqeverisje me krimin e organizuar”, – shprehet Bardhi.

Gjonaj: Ja kush është në shënjestër të ligjit

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka dhënë detaje në lidhje me paketën “Anti-KÇK”, e cila u miratua në mbledhjen e qeverisë. Sipas saj, akti i kësaj pakete hyn në fuqi menjëherë dhe ka të bëjë me pasurinë e të dënuarve për krim të organizuar. Më tej, ministrja shtoi se kjo paketë prek të gjithë të akuzuarit apo të dënuarit që enden të lirë dhe do t’u duhet të provojnë se pasuria e tyre nuk është krijuar nga aktiviteti i paligjshëm. “Pas një procesi diskutimesh shterues mes përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme përfshirë këtu dhe zyrën e Kryeministrit, Policinë e Shtetit, shërbimet partnere dhe ekspertët vendas dhe të huaj të reformës në drejtësi, sot kemi miratuar në mbledhjen e qeverisë paketën ligjore ‘Anti-KÇK’. Nëpërmjet kësaj pakete forcohet dhe ashpërsohet lufta kundër krimit të organizuar dhe të gjithë atyre që mendojnë në këtë vend se mund të sfidojnë forcën e ligjit.

Vendimet e miratuara sjellin ndryshime në ligjin ‘Antimafia’, në ligjin e Policisë së Shtetit, ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara si dhe Kodin Penal. Të gjitha këto ndryshime së bashku me ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë tashmë vendimmarrje të Kuvendit të Shqipërisë. Akti thelbësor i paketës ‘Anti-KÇK’ të miratuar sot nga qeveria shqiptare është akt normativ i cili hyn në fuqi menjëherë dhe ka të bëjë me pasurinë e atyre që janë dënuar për krim të organizuar, pjesëmarrje në organizata dhe grupe të strukturuara kriminale në çdo grup tjetër kriminal apo terrorist apo trafiqe dhe krime të tjera të rënda”, – deklaroi ministrja e Drejtësisë.

Sipas saj, “Anti-KÇK” shënjestron të gjithë ata që, ndonëse të akuzuar për kryerjen e krimeve të rënda apo përfshirje në krim të organizuar ose terrorizëm për shkak të sistemit të kalbur dhe të korruptuar të drejtësisë nuk u dënuan kurrë dhe sot lëvizin të lirë. “Të gjithë këta individë, qofshin të dënuar apo të akuzuar do të duhet të provojnë se banesat, bizneset, tokat, llogaritë bankare, mjetet motorike në posedim të tyre apo të familjarëve të tyre burojnë nga puna dhe jo nga aktiviteti i paligjshëm dhe i pajustifikuar. Barra e provës do të qëndrojë mbi ta për të justifikuar ligjshmërinë e kësaj pasurie”, – u shpreh Gjonaj.

Të fundit

A është normale të ndiheni të uritura gjatë ditëve të ciklit menstrual

A keni pasur ndonjëherë një nga ato ditët kur zgjoheni të uritura, teksa keni në kokë fantazi për kavanoza...

Rritet sërish euro, si këmbehen sot monedhat e huaja

Monedha e eurozonës shitet sot me 104.8 lekë. Dollari amerikan këmbehet me 97 lekë. Paundi britanik kap sot vlerën e 121.5 lekëve. Dollari kanadez këmbehet në tregun valutor me 71.7 lekë. Franga zvicerane kap vlerën...

Disa mënyra se si të lehtësosh sikletin e alergjive në pranverë

Për shumë njerëz ardhja e pranverës është sinjali i parë i hyrjes në lojë të alergjive. Ata që i përjetojnë tashmë e dinë mirë...

Pluhuri afrikan, Guri: Duhet të ishte parashikuar, qytetarët të painformuar

Të gjithëve iu ka rënë në sy këtë të mërkurë moti i pazakontë. Shqipëria u zgjua e mbuluar nga një re pluhuri që shumë...

A do rikthehet pluhuri saharian në Shqipëri? Sinoptikani zbulon çfarë pritet të ndodhë

Të gjithëve iu ka rënë në sy këtë të mërkurë moti i pazakontë. Shqipëria u zgjua e mbuluar nga një re pluhuri që shumë...

Lajme të tjera

Web TV