Lëvizja Qytetare Sopoti, me përfaqësues Rexhep Hanën është ajo që ka vënë në lëvizje prokurorinë e Përgjithshme duke kërkuar formularin e vetëdeklarimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të verifikuar të kaluarën e kryebashkiakut të Librazhdit, Kastriot Gurra.
Sipas kallëzimit të depozituar pranë prokurorisë së Përgjithshme, theksohet se Rexhep Hana kërkon që të verifikohet dhe hetohet Kastriot Gurra, që është eprori i tij, pasi sipas tij, ka indice dhe dyshime se në vitet 2007-2008 kryebashkiaku aktual ka falsifikuar vulën e Drejtorit të Ujësjellësit në Librazhd.
Në atë kohë prokuroria me dosjen 994, nisi hetimet për Gurrën me akuzën se falsifikoi vulën e ujësjellësit për formimin e një bordi të ri me qëllimin vendosjen e një drejtori të ri në krye të ujësjellësit. Sipas kallëzimit, Kastriot Gurra në atë kohë u shpall në kërkim.
Pikërisht këtë pjesë të padisë së Rexhep Hanës, Kastriot Gurra nuk e ka pasqyruar në formularin e dekriminalizimit dhe për këtë sipas tij është në kushtet e ndalimit për t’u zgjedhur në krye të bashkisë së Librazhdit.
“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Kastriot Gurra, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të larte publik, në kuptim të nenit 2 të ligjit nr 138/2015. Ai në vitin 2008 ka qenë në hetim nga Prokuroria e Rrethit gjyqësor Elbasan për procedimin penal nr 944, vepra penale “Falsifikim i vulave i stampave ose formularëve, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, neni 188 Kodi Procedurës Penale” thuhet në padi. Gjithashtu, Rexhep Hana i kërkon prokurorisë që të mbledhë provat, ndërsa PD-së i kërkon që të ndjekë këtë kallëzim. Hana shprehet gjithashtu se disponon dosjen e plotë 994 të vitit 2008 të prokurorisë dhe nëse i nevojitet organit të akuzës është gati t’ia vendosë në dispozicion. Kastriot Gurra, i cili fitoi zgjedhjet për bashkinë e Librazhdit më 30 qershor, i bashkohet listës së emrave të denoncuar, që kanë probleme me sistemin e drejtësisë, si Valdrin Pjetri i Shkodrës, (i dorëhequr), Agim Kajmaku i Vorës (në kërkim nga drejtësia) Mark Babani i Vaut të Dejës, Agron Malaj i Matit dhe Qerim Ismailaj i Mallakastrës./Fjala.al/