Tridhjetë vjet akuza, denoncime, krim dhe politikë. Flet për gazetën “Fjala” sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi. Si i siguroi dosjet e dënimeve të kryebashkiakëve socialistë dhe akuza për apatinë e Prokurorisë në hetimin e rasteve.
Intervistoi: Sebi Alla/Në çdo dalje publike të Partisë Demokratike në denoncimin e rasteve të dyshuara të kryebashkiakëve socialistë të dënuar më parë për krime të ndryshme, shfaqej numri dy të PD-së, Gazmend Bardhi, kjo edhe për shkak të njohurive juridike. Në një rrugëtim denoncimesh, që në fund një pjesë janë mbyllur me shkarkimin e krerëve të bashkive, Bardhi konstaton edhe probleme të apatisë së Prokurorisë në hetimin e thelluar të çështjeve. Çfarë ka ndodhur me ligjin e dekriminalizimit dhe akuzat për Kryeministrin Edi Rama për përfshirjen e elementëve të krimit në politikë. Bardhi analizon situatën aktuale dhe çfarë duhet të ndryshojë për ta shkëputur krimin nga politika.
Partia Demokratike ishte nismëtare e ligjit të dekriminalizimit edhe me miratimin e mazhorancës, si një masë parandaluese për të penguar futjen e krimit në politikë. Pas afër katër vitesh funksionim, a mendoni se ia ka arritur qëllimit për të cilin u miratua?
Kriminalizimi i politikës dhe i administratës publike ishte një fenomen shqetësues që u konstatua pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste në vitin 2013. Sot pas 4 vitesh, janë larguar nga Parlamenti, bashkitë dhe administrata publike me qindra trafikantë droge, trafikantë qeniesh njerëzore, vrasës, përdhunues dhe persona me rekorde të tilla të rënda kriminale. Për pasojë, mendoj se ligji e ka arritur qëllimin e tij fillestar. Sigurisht, ka më shumë nevojë për vullnet politik për të siguruar jo thjesht zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, por për shkëputjen e plotë të lidhjes mes krimit dhe politikës. Kjo, për faktin se pas miratimit të ligjit është vënë re një tjetër fenomen shqetësues. Personat me rekorde kriminale, duke qenë se personalisht ndalohen me ligj të kandidojnë, caktojnë përfaqësuesit e tyre në lista, që sigurisht nuk u shërbejnë më pas qytetarëve, por kriminelëve që i kanë promovuar.
Veçanërisht kohët e fundit, PD ka qenë aktive në denoncimin e kryetarëve të bashkive që dyshohet se kanë qenë me të kaluar kriminale. Përse këto denoncime erdhën pasi u zgjodhën kryebashkiakë, ishte një taktikë politike e opozitës që ta vendoste mazhorancën në vështirësi apo dokumentet kompromentuese për një pjesë të tyre u siguruan pasi u mandatuan si kryebashkiakë?
Duhet të kuptojmë që procesi i dokumentimit të rasteve nuk është një proces i lehtë dhe që realizohet në një kohë të shkurtër. Për disa nga rastet kishim të dhëna që përpara 30 qershorit dhe nisëm menjëherë punën për verifikimin dhe dokumentimin e tyre, por për fat të keq dokumentacioni që provonte se ata ishin të dënuar apo kishin probleme me ligjin e dekriminalizimit, u sigurua vetëm në momentin kur ne kemi bërë denoncimin publik, pra pas votimeve të 30 qershorit. Strategjia jonë ka qenë dhe mbetet që për çdo rast të sigurohemi për vërtetësinë e informacionit, përpara se të bëjmë denoncimin publik.
Ju personalisht keni qenë denoncues i çdo rasti. a keni pasur presione nga vetë subjektet apo nëpërmjet personave të tretë që të tërhiqeni nga denoncimet?
Jo, nuk kam pasur asnjë lloj presioni, ndoshta edhe për faktin se kush më njeh, e di se unë nuk tërhiqem përballë asgjëje, nëse bëhet fjalë për të denoncuar shkelje të ligjit. Qëndrimi i Partisë Demokratike është qëndrim parimor dhe jo personal me asnjë prej subjekteve të ligjit. Është e qartë për këdo që nëse shkel ligjin, duhet të përballet edhe me pasojat e shkeljes së ligjit.
Për shumë qytetarë ka interes që të mësojnë si janë siguruar dokumentacionet që vërtetonin përfshirjen e një pjese të kryebashkiakëve në dënime jashtë dhe brenda vendit. Keni bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë apo ka edhe indicie nga qytetarët?
Ne marrim informacione apo të dhëna nga subjekte të ndryshme. Pasi bëjmë një verifikim paraprak, nëse ekziston një dyshim i arsyeshëm që e dhëna mund të jetë e saktë, kërkojmë bashkëpunimin e partnerëve ndërkombëtarë për të siguruar dokumentacionin provues. Roli dhe ndihma e tyre ka qenë e pazëvendësueshme. Mund të them se pa ndihmën e miqve ndërkombëtarë nuk do të arrinim të dokumentonim që Valdrin Pjetri ishte i dënuar për trafik droge, që Agim Kajmaku ishte në kërkim nga drejtësia greke, që Mark Babani ishte i dënuar për vjedhje në bashkëpunim apo që Qerim Ismailaj ishte i dënuar në Greqi.
Kryeministri Edi Rama është shprehur shpesh që nuk ka pasur dijeni që kandidatët e përzgjedhur prej tij dhe forcës politike që përfaqëson, PS, të jenë me të shkuar kriminale. A qëndron ky pretendim? Përderisa çdokush mban përgjegjësi personale përpara ligjit, përse akuzoni Kryeministrin si të implikuar?
Kjo është një alibi e sajuar keq nga Edi Rama. Ai ka përgjegjësi direkte për kandidimin e këtyre personave. Ato nuk janë as kandidatë të pavarur dhe as kandidatë të propozuar nga strukturat lokale të Partisë Socialiste. Ato janë zgjedhje personale e Edi Ramës. Pse nuk ka një person me rekorde kriminale ndër kandidatët e propozuar nga Partia Demokratike? Përgjigjja është e qartë: Partia Demokratike dhe Lulzim Basha kanë zgjedhur të jenë në luftë me krimin e organizuar, ndërsa Edi Rama ka zgjedhur t’i ketë në krah, të marrë pushtet dhe të ndajë pushtet me krimin. Këtu nuk bëhet fjalë për përgjegjësi ligjore, sepse sigurisht ajo i takon subjektit të ligjit të dekriminalizimit. Por Edi Rama ka përgjegjësi politike për kriminalizimin e politikës, nëpërmjet promovimit të personave me rekorde kriminale në Parlament dhe bashki. Ai ka pasur të gjitha instrumentet e nevojshme dhe institucionet në dispozicionin të tij për të verifikuar të kaluarën e kandidatëve të tij. Këtë mundësi ia krijon ligjërisht edhe ligji i dekriminalizimit. Besoj e mbani mend që edhe në 2015-ën u justifikua po njëlloj, edhe pse partnerët tanë ndërkombëtarë e kishin informuar për të shkuarën kriminale të disa prej kandidatëve të tij, të cilët jo vetëm nuk i tërhoqi, por i mbrojti deri në fund, edhe kur pas miratimit të ligjit ata u vërtetuan se ishin subjekte të ligjit.
A mendoni se elementë të lidhur me krimin do të kalojnë sërish “filtrin” dhe të angazhohen në politikë? Si do ta vlerësoni punën e Prokurorisë së Përgjithshme në hetimin e rasteve të denoncuara nga ana juaj?
Një nga objektivat madhorë që duhet të realizojë reforma zgjedhore është pikërisht shkëputja e lidhjeve midis politikës dhe krimit. Ne jemi parti politike dhe në zgjedhje duhet të përballemi me platforma politike, mënyrën se si ofrojmë zgjidhje ndaj problemeve të qytetarëve, dhe jo me armë apo muskuj. Mirëpo, nëse Partia Socialiste do të vazhdojë të tregojë vullnet për të angazhuar krimin në zgjedhje, duhet t’i mbajë të gjitha pasojat që mund të vijnë nga ky deformim i përballjes politike mes kundërshtarëve politikë. Duke u kthyer te pyetja juaj për rolin e Prokurorisë së Përgjithshme, kam konstatuar se ky organ nuk po e kryen mision e tij kushtetues dhe ligjor. Deri më sot nuk ka asnjë rast për të cilin Prokuroria e Përgjithshme të ketë nisur vetë verifikimin e thelluar. Për rastet e denoncuara nga PD, kemi konstatuar një zvarritje të qëllimshme nga organi i Pokurorisë, që ka penguar nxjerrjen e shpejtë të rezultateve. Ligji i dekriminalizimit dhe kuadri nënligjor është i plotë. Ai garanton që kandidaturat e mundshme në zgjedhje të verifikohen kohë përpara kandidimit. Sipas ligjit, një kryetar partie në çdo moment mund të kërkojë verifikimin e një personi që synon ta kandidojë në zgjedhje lokale apo qendrore.