Lorenc Vangjeli: Rama dhe Kurti, të dënuar të jenë bashkë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

-Kosovë-Shqipëri/ Kufiri që ndan Ramën dhe Kurtin

Kryeministrat Kurti dhe Rama përballë njëri tjetrit dhe në “pasqyrën” që shihet nga fuqi shumë më të mëdha se ata. Protagonizmi personal dhe nevoja për të bashkëpunuar, qoftë edhe me imponim.

Kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti zhvilloi në Tiranë vizitën e tij të parë, si kreu i qeverisë ku pati takime me homologun Rama dhe personalitetet të tjera në vend. Si e konsideroni këtë vizitë, veçanërisht për mesazhet që përcolli?

Lorenc Vangjeli: Ka pritshmëri të gabuara për takime të këtij lloji. Në mënyrën sesi zhvillohen, por edhe në atë çfarë pritet prej tyre. Ato afrojnë pak butafori vënieje në skenë sikur po ndodh diçka e rrallë dhe e pazakontë. Sikur shënohet një start dhe duhet patjetër të bëhet një bilanc. Edhe seriali i takimeve të përbashkëta mes dy qeverive, një traditë e ngulitur disa vjeçare tashmë, nuk i shpëton të njëjtës skemë. Shumë zhurmë e bujë dhe pak realizim praktik dhe edhe më pak realizëm politik në segmentin me skaje: si zhvillohen dhe çfarë pritet! Edhe serioziteti që është i nevojshëm në raste të tilla, më ngjan falls dhe i shtirur kur përfshihen edhe drama e melodrama vetjake që kanë nisur të luajnë personazhet mes tyre. Fotot e dikurshme nga Prizreni ku pjesmarësve ju dukej vetja nga pak si luftëtarë të Rilindjes Kombëtare, pozimet me duar mbi flamur dhe me patriotizëm edhe pak naiv, edhe pak folklorik, ka ndodhur që ja kanë lënë vendin padive të akullta në gjykatë për shkak akuzash edhe tmerrësisht naive, edhe jashtëzakonisht folklorike. Kryeministri Kurti bëri mjaft mirë që realizoi vizitën e tij të parë në Tiranë, ashtu siç do të bënte shumë mirë që ai dhe Rama, në fundjavat në vijim, të gjejnë kohë për njëri-tjetrin jo si dy individë që duhet të njohin njëri-tjetrin, por si dy personazhe politikë të dënuar nga detyra që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Dhe që minimalisht duhet të bëjnë maksimumin që humori personal të mos ndikojë në marëdhëniet mes dy vendeve. Shqipëria dhe Kosova janë shumë të mëdha për t’u matur me staturën e përkohshme të politikanëve të tyre. Dy shtetet shqiptare janë një realitet shumë i madh për të qenë të ndikuara ligsht nga emocione të vogla njerëzore. Eshtë edhe pak perceptim, edhe pak realitet që Rama e Kurti nuk kanë “dashuri” reciproke, por kjo nuk duhet të ndikojë në të nesërmen. Ata nuk duhet të jenë medoemos miq, por janë të dënuar të jenë partnerë.

Që në takimin e parë u vunë re ndarjet, sidomos në momentin kur dy kryeministrat u pyetën për “Minishengenin Ballkanik”, ku specifikisht Kurti foli për “makro-schengenin shqiptar”, ndërsa Rama mbrojti idenë se: “s’ka makro-schhegen shqiptar pa mini-schengen Ballkanik”. A do jetë kjo çështje një ndarje thelbësore mes dy qeverive edhe në të ardhmen?

Ndjehet në ajër që Rama e Kurti janë shumë të zënë me emocione vetjake, edhe kur flitet për gjëra që janë shumë më të mëdha se detyrat e tyre. Rama me shpinën e kërrusur nga pushteti absolut që mban prej shumë vjetësh dhe Kurti me kurrizin e harkuar këto katër muaj nga pesha e pushtetit që ende nuk e ka marë plotësisht. Modestia, e cila është një virtyt që i pari nuk e njeh si koncept dhe i dyti e shpërdoron kaq shumë sa e kthen në të kundërtën e saj, duhet të ishte mesazhi i parë që duhet të jepnin ata përpara publikut shqiptar. Si përfaqësues të klasave politike këtej dhe andej vijëzës së kufirit, ata në rastin më të mirë janë bashkaksionerë në gjithçka që klasa politike ka bërë keq. Ndarja mes dy kryeministrave është në thelb më pak sesa duket në sipërfaqe: ajo ka të bëjë me distancën mes dëshirës dhe mundësive, humnerën mes shpresës në opozitë dhe zgjimit në pushtet, mes romantizmit të fjalëve dhe realizimit të ashpër gjeopolitik praktik. Edhe njëri, edhe tjetri, kanë gabuar më se njëherë kur kanë folur për Tiranën duke bërë hesape për Prishtinën dhe kanë gjykuar mbi Prishtinën, të nisur nga hesapet e hapura të Tiranës. Çfarë u pa në takim është fatura që nisi t’i paguhet kësaj mendjelehtësie. Dy kryeministrat gabojnë kur mendojnë secili për veten se i kanë nevojën përtej vijëzës së kufirit, se Prishtina ka nevojë për Ramën dhe se Kurti mund të japë një dorë në Tiranë. Dhe më tej akoma, sidomos në rastin e kryeministrit Kurti, situata komplikohet pak më shumë sepse ai ka marë “qelepir” një dashuri të paprovuar dhe të kushtëzuar nga Tirana dhe ca segmente të Prishtinës. Dhe të gjithë ata që për shumë arsye nuk durojnë dot Ramën, e kanë shndëruar urrejtjen në dashuri me klering për Kurtin. Ca nga dëshira për të fjetur me secilin që e quajnë “armik” të armikut, ca nga pamundësia për të bërë ndryshe, ca dhe nga zakoni i yshtur dhe nga vetë tipi i keq njerëzor i Ramës për t’u përplasur me të gjithë, ata bëjnë gabimin thelbësor të krahasimit të njërit me tjetrin. Ramës i bëjnë çdo rast bilancin e punëve të shumë viteve në pushtet e politikë, tjetrit i peshojnë vetëm jehonën e fjalëve të rrjedhshme në opozitë. Pa kuptuar dhe pa ditur se mes të thënës dhe të bërës është një gardh telash me i egër se kufiri i imponuar mes ish-Jugosllavisë së vdekur dhe ish-socializmit grotesk të Shqipërisë së dikurshme.

Lexo edhe :  “Korrupsion politik me porosi”, Bardhi: Ja pse bëhen ndryshimet në ligjin për Gardën

Si mendoni se do të jenë marrëdhëniet në vijim. A besoni se do vijojnë të jenë të tendosura dhe në një pikë gati absurd, ku Kosova dhe Shqipëria kurrë më parë në aspektin e marrëdhenieve politike nuk kanë qenë kaq të ngrira. Përse ka ardhur kjo ftohje, e cila asesi nuk pranohet nga qytetarët në Kosovë dhe Shqipëri?

Ecja përdore e të dyve në politikë, e kushtëzuar nga rrethana, forca e faktorë shumë më të mëdhenj se ata, është e vetmja gjë që mund të bëjnë së bashku. Përtej gjithë pritshmërive, emrave që mund t’u vihet nismave apo dhe inisiativave konkrete, ka një detaj që përmendet shumë pak, por që është i pari në rëndësi. Rikthimi amerikan në Ballkan. Ngjan se presidentit Trump i duhen “fitore” në politikën e jashtme të vendit të tij, për ta shënuar në CV-në e tij të zgjedhjeve të ardhshme. Dhe në Ballkanin që ngjan shumë i komplikuar, ajo mund të vijë shumë më lehtë, krahasuar me tentativat për të krehur lëmshet arabe, për të çaktivizuar terrorin bërthamor iranian apo socializmin qesharak korean. Akti politik që mund të frymëzohet dhe të shtyhet nga Uashingtoni që është aksioneri kryesor për hartën e re politike të këtij gadishulli plot kapriçio, mund të zgjasë sa një tëitter në komunikimin e Presidentit Trump, por në mënyrë absolute do të ndikojë në shumë vite në temperaturën e rajonit dhe në fatin e shumë milionë banorëve të tij e më gjerë. Shqipëria dhe Kosova në përgjithësi apo dhe vetë rajoni në veçanti dhe qoftë edhe Rama, Kurti me gjithë hijen e Vuçiçit në sfond, do të kenë shans të rriten vetëm nëse e kuptojnë sesa të vegjël janë realisht dhe çfarë skaji i harruar do të mbetej Ballkani pa interesin amerikan, në rastin më të mirë. Sepse ka edhe shumë më keq. Askush nuk mund të verë bast se çfarë erërash mund të fryjnë në rajon nga stepat e Lindjes e ca më tutje edhe nga hieroglife Azie. Dhe nëse fryjnë ato erëra, nuk ka pikën e rëndësisë nëse gabon në Prishtinë Edi Kurti apo ja fut kot në Tiranë Albin Rama. Në rajonin ku heronjtë kanë të njëjtin portret me tradhëtarët kjo do të quhej sërish vërtetim i faktit se shqiptarët mund t’i mundin realisht vetëm shqiptarët./ FJALA.al

Robelli: Kosova është më e madhe nga ç’shihet me dylbitë e kabinetit Rama

Të fundit

Shqiptari arratiset nga burgu në Zvicër

ZVICËR- Një shqiptar nga Kosova është arratisur nga burgu në Wauwilermoos i Lucernit, ku ishte i dënuar me kusht. Ai...

Aplikacioni Telegram rrezikon bllokimin në Rusi, Kremlini: Po përdoret nga terroristët

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka deklaruar sot se aplikacioni i komunikimit Telegram dhe krijuesi i tij Pavel Durov duhet t’i kushtojnë më shumë...

Këshilli Bashkiak miraton bonusin e qerasë për familjet e Kombinatit

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi listën e familjeve të Kombinatit, të cilat përfitojnë bonus qiraje pasi banesat e tyre u prekën nga procesi i...

Sterilizimi/ Ilir Beqaj zbulon detaje nga dosja hetimore: Kemi bërë kërkesë për…

Pas daljes nga SPAK ku u njoh me dosjen hetimore për Sterilizmin, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, tha...

Ekspertët thonë jo! Nga tani mos qëndroni më zbathur në shtëpi, ja arsyeja e fortë

Pas një dite të gjatë me këpucët veshur me siguri gjithçka që doni të bëni është t’i largoni ato nga këmbët tuaja. Kjo për shkak...

Lajme të tjera

Web TV