Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u drejtoi në instagram qytetarëve pyetjen se cili do të ishte vendimi i parë që do merrnin nëse do të ishin vetëm një ditë në krye të Ministrisë së Arsimit. Pasi dëgjoi prej tyre përgjigjen se anulimi i ligjit për Arsimin e Lartë do të ishte ndër kryesoret, shkruan: “anulimi i ligjit për arsimin e lartë është edhe pika e parë në programin e Partisë Demokratike”
Basha premton se do të punojë për financimin e shkollave dhe universiteteve për të krijuar kushte më të mira për studentët, me kushte dinjitoze dhe më pas me paga më të larta në punë.
“Jam shumë i befasuar që vetëm brenda pak orësh mijëra prej jush ndjekës në instagram i jeni përgjigjur pyetjes se cili do të ishte vendimi i parë nëse do të t’ju besohej drejtimi i Ministrisë së Arsimit. Mes mijëra sugjerimeve dhe propozimeve spikat anulimi i ligjit për arsimin e lartë. është pika e parë e programit tim, programit të PD për arsimin e lartë.
Sugjerimet e tjera kanë të bëjnë me shtimin e financimeve për shkollat dhe universitetet dhe në veçanti në krijimin e kushteve më të mira në universitete, që studentët të dalin në tregun e punës me kushte dinjitoze dhe paga të larta.
Ju falënderoj nga zemra që bashkëbiseduat me mua sot në Instagram dhe shpresoj ta vijojmë këtë formë të shprehjes së problemeve që janë për ju.”- thotë Basha.