Liria, ky “mit” e koncept abstrakt mbi “skllavërinë”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

A e dini ç’do të thotë “Liri”?

Ashtu si në klasën e pestë fillore mund t’i drejtohesh fjalorit të gjuhësisë për të marrë një shpjegim modest. Aty do të gjesh këtë togfjalësh interesant: “Të qenit i lirë në jetë e në punë; mungesa e shtypjes e varësisë, e kufizimeve që pengojnë…” dhe ca pallavra të tjerë si bishta nga pas.

Ne jetojmë në një epokë globale të zgjeruar tejskajshmërisht, por plot kufizime, ndaj dhe koncepti i lirisë si terminologji abstrakte a si veprim fizik, shkon përtej imagjinares. Sepse, “i lirë” mund të jesh vetëm në mendimin tënd ekstrem e të pakapshëm.

Mos jemi futur gjë në të thella?

Do ta anashkalojmë filozofinë, pasi burra të tjerë më me mend e kanë bërë shumë kohë më parë dhe shumë më mirë këtë punë. Sepse, historia e tjerrjes së mendimit ka nisur me Pitagorën e Aristotelin, për të ardhur deri te Sartri e Kamyja.

Por të vijmë tek analiza jonë e përciptë dhe e thjeshtëzuar.

Ne jemi njerëz të kapur, dhe kur them NE, e kam fjalën për të gjithë, pa veçuar askënd, as presidentin e vendit më të fuqishëm, dhe as atë që ka më shumë se 50 miliardë dollarë në xhep.

Në pamundësi për të realizuar një liri tonën, ashtu siç e përcakton nënndërgjegjja, ne kemi krijuar një tollovi fjalësh, të cilat ashtu si opiumi na vënë në gjumë. Kjo është dhe një nga mënyrat, jo domosdoshmërisht më efikasja, që na vjen në ndihmë për të qetësuar shpirtrat tanë. Dhe në shpjeguesit elektronikë gjen fraza të tipit: “Liria tregon të qenit i lirë, kushtin e njeriut që nuk është i burgosur, nuk është i kufizuar apo i penguar”.

Kësaj i thonë: Merre me lëng…

Më pas akoma: “Liria në një kuptim më të gjerë është aftësia e njeriut për të vepruar e menduar me vetëvendosje të plotë, është kushtëzimi i njeriut që mund të veprojë sipas zgjedhjeve të veta…”

Nuk bëhet fjalë më për mish e dhjamë, por edhe lëngu qenka mbaruar.

Dhe të vijmë me këmbë në tokë: Në fakt, ne jetojmë në një botë shërbimesh. Ne u shërbejmë të tjerëve, ca të tjerë na shërbejnë ne. Të gjithë i shërbejmë dikujt tjetri… E kështu me radhë. Hallkat e vargonjve janë kaq të sakta, të lidhura mirë e të salduara, sa po të shkëputet një prej tyre futet në kolaps i gjithë sistemi. Atëherë vijnë shpërthimet frenetike, vrasjet e kusaritë, për të mbërritur tek maja më e lartë: revolucionet.

E frikshme kjo? Jo dhe aq, ma do mendja… Sepse, bota, në mënyrë cirkuite, ka ricikluar vazhdimisht të njëjtën situatë.

“Nuk ka gjë më të shtrenjtë se liria”… domethënë të mos jesh shërbëtor… Po kjo shprehje teatrale a nuk ju duket fare qesharake? Ashtu si në teatrin e mesjetës. Shumë romantike dhe e lyer me një rozë të plotë, e denjë për “showbiz”-in, tavolinat e kabareve dhe kubin e striptizmit.

Slogani, për të cilin janë bërë luftëra e kanë ikur për dhjamë qeni mijëra jetë njerëzore, tanimë është tërësisht jashtë mode. Kush e ka kuptuar, është futur në rresht dhe ka mbyllur gojën. Kush nuk e ka kuptuar, e ka për të zezën e vet. Sepse, vazhdon të besojë në një absurditet duke u lodhur së menduari se do ta gjejë një ditë Kullën e Lirisë, qoftë dhe duke u munduar si Sizifi të çojë një sferë guri në majën e malit, aty ku besonte të pabesueshmen, se me siguri do t’i shpëtonte mallkimit.

Në ditët e sotme, të një zhvillimi të skajshëm teknologjik dhe marrje informacioni pa kufi, shprehja që citova pak më parë dhe që është motivuar politikisht të paktën që prej kryengritjes së Spartakut, pa dyshim që ka dalë nga loja. Dhe nuk gjen dot të dytë frazë më naive dhe idiote se ajo. Për më tepër, kush beson ende në një terminologji të tillë, është ca më shumë naiv e idiot, sesa po thuhet tani.

Lexo edhe :  E vërteta e naftës së Shpiragut

Ne të gjithë kemi ëndërruar për lirinë, kemi luftuar për të. Ose të paktën kemi menduar se po e bëjmë këtë gjë, pa vënë mend nga dështimet e të tjerëve. Tek e fundit secili bën të vetën, në një përpjekje të pazakontë për t’i shpëtuar skematizmit, por duke qenë se në këtë botë nuk ka më gjë të re, veç përsërisim njëri-tjetrin. Dhe lirinë nuk është se e kemi gjetur, që të paktën të kishim motivin për t’iu vënë nga pas me shpresën për ta kapur. Dhe në rastin me ekstrem, kur nuk na i ka mbajtur bytha, kemi llomotitur për qenësinë tonë të lirë, pikërisht në mungesën totale të saj. Dhe, thjesht, një fjalë të zakonshme të fjalorit bazë prej 3000 fjalësh, e kemi kthyer në “mit”.

A mund të jesh i lirë në një botë të skllavëruar?

Ne nuk jemi gjë tjetër veçse skllevër të lirisë sonë. Jemi shërbëtorë të dikujt. Pra, me të drejta të kufizuara. Njeriu që gëzon më shumë liri se punëtorët e thjeshtë është një drejtor, pak më shumë liri ka një ministër dhe shumë më i lirë është kryeministri apo presidenti i një vendi. Ata mund të bëjnë plot gjëra që ne të tjerët nuk na e mban t’i bëjmë, ose nga censura, ose nga autocensura, që ndonjëherë është shumë më e fortë se e para. Dhe kur shkojmë të shohim majën, atje ku mendojmë se ka ndërtuar fortesën e saj “Liria”, kuptojmë gjithashtu se po ashtu si Sizifi jemi lodhur kot, sepse, dhe si presidentit apo kryeministrit ia kanë zënë kokën me derë ca të tjerë e punojnë për ta. Ndaj rrëshqasim përsëri në fund, bashkë me copën e shkëmbit a të gurit në formë sferike, që mallkimi të vazhdojë e ne ta ringjisim sërish deri në majë, për të bërë një punë që nuk i vlen askujt.

Por a mund të blihet Liria?

Nëse ke shkuar në sportelin e një banke, ke paguar “cash” kursimet e jetës dhe ashtu si gladiatorët e Romës ke marrë një certifikatë ku edhe me një vulë noteriale të thuhet se je poseduesi i Lirisë sate, sërish je po aq i skllavëruar sa më parë. Domethënë nuk ke fituar asgjë.

A mos është një lojë fjalësh kjo?

Absolutisht jo. Qarkulloje mendimin dhe do të kesh të njëjtin përfundim sa herë të shkosh te zgjidhja e problemit. Ndaj është e mira që paratë të mos i shpenzosh kot, por t’i mbash për një ditë më të keqe. Veç në qoftë se je idiot klasik e ëndërrimtar.

Dhe çfarë del nga e gjitha kjo: Me siguri që jemi skllevër të lirisë tonë, por që me aq pathos trumbetojmë të kundërtën.

Ne jemi shërbëtorë me të drejta të kufizuara, si rrogëtari me pagë nën minimumin jetik, ashtu edhe miliarderi, të cilët plebenjtë që punojnë për të janë gati ta shqyejnë e t’i marrin gjithçka ka, nëse nuk i ushqen përditë me nga një çapë buke thatë.

Të gjithë shërbejmë diku, edhe atëherë kur nuk e kuptojmë. Qoftë dhe si gazetar “të lirë dhe i pavarur” me një shkrim “surrogato” të botuar në gazetë, i kemi shërbyer dikujt duke goditur dikë tjetër.

Këtë mendim të thjeshtë e pa shumë ngarkesa, burra të mençur që kanë shëtitur mbi literaturë filozofike apo mburren se e kanë marrë me pikë maksimale diplomën e filologjikut, do ta kishin shtjelluar ku e ku më mirë. Do kishin dredhur e spërdredhur fjalët, për të na mbushur mendjen se në fakt nuk është kështu siç po shkruaj unë, por diçka tjetër, diçka që… mendja nuk na e rrok dot.

Kësaj i thonë të ngopesh me lugën bosh, duke ëndërruar vazhdimisht se po ha e po shqepesh në tasin që ke përpara, po aq bosh sa dhe luga që fut në gojë.

Dhe kjo është jeta!

Të fundit

Parkim publik me energji diellore në Durrës, Rama ndjek nga afër punimet

Një parkim modern multifunksional po ndërtohet në Durrës, në shërbim jo vetëm të qytetarëve, por edhe në funksion të...

Zbulohen 3 mysafirët specialë që do të hyjnë sonte në Big Brother VIP

Sonte në Big Brother VIP Albania do të ketë mysafirë. Me rastin e 100 ditëve të nisjes së edicionit të tretë të BBVA, në...

Protesta e dhunshme para Bashkisë Tiranë/ Reagon BE-ja dhe SHBA-ja

Me anë të një reagimi në X, prezenca e Bashkimit Europian në Shqipëri ka dënuar dhunën gjatë protestës së Rithemelimit para bashkisë Tiranë ditën...

Video/ Nuk ndalet Egla, bën veprimin e pazakontë ndaj banorëve, ja si reaguan ata

Marrëdhënia e Eglës me banorët e tjerë të shtëpisë së “Big Brother Vip” nuk ka qenë fort e mirë që në fillim, dhe duket...

Tensionet në Lindjen e Mesme, ministria del me njoftimin e rëndësishëm për shqiptarët

Ministria e Jashtme i ka bërë thirrje shqiptarëve që të shmangin udhëtimet në vendet që janë në konflikte ushtarake, vende me trazira politike, epidemi...

Lajme të tjera

Web TV