Të marrët zgjohen në mëngjes me bindjen se në darkë do të shpikin rrotën “KÇK”

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Lorenc Vangjeli për Fjala.al

Pakkush e mban mend historinë e rrotës së Piro Manit, regjisorit unik të teatrit shqiptar. Ajo tani tregohet si një anekdotë e të shkuarës dhe si një metaforë fantastike për të shënjuar një veprim të mençur përballë gjykimit sipërfaqësor, për të vizatuar sipas rrethanave dorën që tregon hënën dhe në të njëjtën kohë, gishti i hyn vrimës së hundës.

Dikur, Piroja i madh i Tiranës vendosi një rrotë në skenografi, e cila nuk kishte asnjë lidhje me pjesën që interpretohej. Censura komuniste e kohës u mor me të: “çfarë është, pse duhet, si duhet, si e vure, ta heqësh, more!”, duke harruar të ushtronte autoritetin e saj ideologjik mbi vetë pjesën. Shumë kohë përpara se Piro të tallte censurën komuniste për hir të mbijetesës së tij artistike, në të njëjtën mënyrë, marinarët e vjetër gënjenin në emër të jetës vetjake kur dilnin për gjueti balenash. Ata hidhnin fuçi boshe në ujë që të shpërqendronin gjitarin e madh dhe të shmangnin sulmin që ai mund t’i bënte anijes së tyre. Krijesë gjigante, por pa tru, balena merrej me fuçitë që kishte shpikur mendja gjigante e njeriut, pa kuptuar se ishte shndërruar nga gjahtar në pre.

Edhe në politikë është e njëjta gjë, madje sot shumë më shumë se kurrë më parë: afrohen detajet për të shmangur thelbin, tregohet e dukshmja, për të gënjyer gjithë gjindjen intelektuale që kruan syrin me gishtin e futur brenda hundës.

E njëjta gjë po ndodh ende me ngutin budalla, me nxitimin e marrë dhe hallakatjen idiote për të gjetur se pse policja që lexon komunikatat e OFL-së mban syze të errëta. Fakti që është edhe simpatike, edhe bionde e bën debatin më inkandeshent dhe shumë herë më të përqendruar te syzet e saj sesa te kumtet që ajo përcjell duke lexuar. Vajza me uniformë u shndërrua fare papritur në yllin e mbrëmjeve, u kthye në tisin e munguar rozë të lajmeve të zymta të kronikës së zezë dhe kronikës po aq sterrë të politikës së ditës, duke u rishpikur në metaforën perfekte të asaj që po ndodh sot në Shqipëri.

Edhe skica e ditëve të trazuara të këtij fillimviti është pothuaj bardhezi, si ky lloj gjykimi. Shteti ka nisur të japë me ligj armë e mjete të reja në dorë Policisë së Shtetit për të luftuar krimin ordiner. Dhe nga ky moment, gjithë debati politik është derdhur në viset e marrëzisë, sipas një vije shumë të qartë ndarjeje: Kush urren Ramën, i sulet edhe ligjit si gjermani punës, ndërsa kush e do Ramën, pret të dëgjojë çfarë do të thotë Kryeministri për ta mbrojtur ligjin me mungesën e ngutit që ka turku për punën.

Për të mbërritur në një gjykim sado pranë të vërtetës, me gjasë duhet të përdoret sërish kontrasti mes të bardhës dhe të zezës, mes dyshimit dhe sigurisë, mes të dukshmes dhe të padukshmes. Përballë pyetjes se pse mban syze policja e OFL-së duhet të jepet përgjigjja se a kanë qenë të mjaftueshme mjetet që ka pasur në dispozicion policia për të bërë punën e saj. Përballë dilemës se nëse shkelen të drejtat e njeriut nga akti normativ, duhet gjykuar nëse kufizimi i tyre për një kategori të caktuar qytetarësh është në dobi të pjesës tjetër. Përballë frikës se nëse krijohet hapësirë për standarde të dyfishta në zbatim, duhet të jepet përgjigjja urgjente nëse shteti i ka kapacitetet politike dhe morale, njerëzore dhe të vullnetit për të vijuar në të njëjtën rrugë. Dhe nëse e çon përtej apo i dorëzon sërish iniciativën rrugës.

Lexo edhe :  Pse Europa i dha shuplakë Athinës për Fredi Belerin?

Është aksiomë: Krimin e organizuar nuk e mposht dot as kambalja e policit dhe as kallashnikovi i RENEA-s, as frika nga burgu dhe as kërcënimi me pranga. Krimin e organizuar e mund lapsi i ekonomistit dhe logjika e bankierit. E mposht zbulimi, identifikimi dhe konfiskimi i parave të pista të rrjedhura nga aktiviteti kriminal.

Është fat i madh që Shqipëria është vend i vogël, ku të gjithë njohin të gjithë dhe të gjithë e dinë se si është pasuruar në mënyrë të befasishme njëri apo tjetri personazh i botës së errët. Është fat i madh, gjithashtu, që vetë bota e errët e krimit shqiptar tenton me çdo kusht të dalë në dritë dhe të dëshmohet si e tillë. 20-30-vjeçarë që nuk kanë punuar një ditë, me prindër të papunë dhe që banojnë në pallate periferie, papritur shfaqen me makina dhjetëra mijëra euro, mbajnë në sediljen e parë të njëjtën tipologji femre që luan me telefon, që ka fryrë buzët te parukierja e lagjes dhe ëndërron të dalë në televizor e të bëhet yll “Instagram”-i mbasi të bëjë edhe cicat. Kjo pasaportë krimineli mund të ngecë fare kollaj në doganën e ligjit. Dhe ky duhet të jetë vetëm fillimi dhe për pjesën që duket. Thelbi sërish është gjetkë. Shumë më e rrezikshme për shëndetin e shoqërisë shqiptare është një tjetër kategori. Janë 20-30-vjeçarët e brezit të viteve ‘90 që tashmë një pjesë janë bërë edhe gjyshër ndoshta, që mbajnë kostume të shtrenjta, që kanë bërë ndërhyrje në fytyrë e trup, që kanë biznese shumëmilionëshe e të diversifikuara, që mbajnë të njëjtën grua gjithmonë e më të shëndoshë në shtëpi dhe dashnore gjithmonë e më të re përjashta, ende jo aq të pasur sa për të blerë të shkuarën e tyre kriminale, por mjaftueshëm të tillë sa për të blerë ndikim politik. Ky është brezi që ka shkatërruar standardet normale të shoqërisë dhe e ka futur shoqërinë në krizë të thellë morale. Këtij rreziku as ligji “Anti-KÇK” nuk ka çfarë i bën, sepse mentaliteti dhe tradita e ngulitur nuk luftohet me pranga e kallashnikovë.

Kjo është diferenca mes të dukshmes që luftohet dhe të padukshmes që rrezikon vërtet. Në shoqërinë e sotme shqiptare është shndërruar në normë që shkëlqimi i sipërfaqes është shumë më i dukshëm se thelbi ulëritës. Zgjedhja që bën individi apo edhe vetë shoqëria në përgjithësi mes këtyre dy skajeve është gjithashtu një test minimal inteligjence për të dalluar mes turmës gjithë budallenjtë e mrekullueshëm. Ata që fitojnë shumë para dhe rrjedhin sot fjalë pa mbarim, njëlloj si tirrnin lesh dhie plakat e dikurshme. Ata që ngrihen çdo mëngjes të vetëkënaqur me veten dhe me bindjen e thellë se në mbrëmje, live, në sy të të gjithë dynjasë, do të shpikin rrotën! Madje, edhe më shumë: do t’i sjellin botës së vogël shqiptare rrotën e rrotave!

/FJALA.al

Të fundit

600 mijë euro për të prezantuar BBV? Arbana përgjigjet pas largimit nga Topi

Ish-moderatorja e Big Brother VIP Albania, Arbana Osmani, ka vendosur të ndajë mendimet e saj të qëndrueshme rreth çështjeve...

3 shenjat e horoskopit që e lëshojnë dorën thuajse gjithnjë me miqtë për para borxh

Nëse i jepni një shoku apo shoqeje vetëm ca lekë borxh sepse ka harruar portofolin në shtëpi, kjo është tjetër gjë krahasuar me disa...

‘Ethet e Dengës’?/ OBSH ngre alarmin: Sëmundje virale, ka shënuar shifra rekord këtë vit

Epidemia e Etheve të Dengës po përhapet me shpejtësi në Karaibe dhe Amerikën latine, duke shënuar shifra record nga fillimi i vitit deri tani....

“Në Maj nisin faturimet e reja”/ Ja sa kilovati do të paguajnë furrat që tregtojnë bukë

2600 furra buke që operojnë në mbarë vendin nuk do të preken nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Nga Lushnja, Zv/Kryeministria Belinda Balluku...

Meta denoncon në Prokurori: Më kanë vjedhur hard diskun në zyrën e PL!

Kreu i PL, Ilir Meta ka denoncuar në Prokurorinë e Tiranës se në zyrën e Partisë së Lirisë, persona të paidentifikuar kanë vjedhur një...

Lajme të tjera

Web TV