Gjimanzi “Sami Frashëri” në Tiranë do të shembet. Instituti i Ndërtimit ka evidentuar tipologjinë e ndërhyrjes dhe mesa duket është e pamundur që struktura të qëndrojnë në këmbë vetëm me një rikonstruksion.
Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka njoftuar sot se shkolla e re do të jetë një prej atyre që do të përfitojë nga fondet e mbledhura nga Konferenca e Donatorëve për t’u ndërtuar e re. Godina u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Lajmi i mirë që na erdhi nga Brukseli dje, ishte se e gjithë shuma e kërkuar u realizua. Një sukses spektakolar i Edi Ramës dhe i skuadrës që punoi për t’ia mbërritur kësaj dite. Sigurisht, prioritet për Bashkinë e Tiranës janë kopshtet, shkollat dhe çerdhet e reja. Një shkollë e re, që me shumë gjasa do të burojë nga ky projekt, është ish shkolla ime, gjimnazi “Sami Frashëri”. Mund ta rikonstruktosh me nyje higjieno-sanitare sa të duash, me dyer të reja, por themelet dhe kolonat janë po ato të viteve ‘60. Shkolla mund të rikonstruktohet sa të dojë, por janë po ato themele, po ato kolona, të cilat nuk mbajnë me një tërmet tjetër, që larg qoftë mos ardhtë kurrë. Shkolla “Sami Frashëri” do të jetë e para që do të përfitojë nga grantet e fituara në Bruksel për Bashkinë e Tiranë, sigurisht edhe shkollat e tjera nëpër fshatra dhe padyshim edhe lagjet e reja të Tiranës”, tha Veliaj.
Ajo që mbetet për t’u saktësuar është nëse godina e re e gjimnazit “Sami Frashëri” do të ndërtohet në të njëjtin vend, apo do të përzgjidhet një hapësirë tjetër në zonë.