Një tjetër njoftim i rremë po përhapet në rrjetet sociale ku pretendohet se në Shqipëri janë identifikuar rastet e para me coronavirus, madje janë 22. Ky postim që shihni të publikuar po qarkullon kryesisht në Instagram, por ka filluar të përhapet edhe në Whatsapp.
Rasti është i njejtë me mesazhin zanor që u përhap dje në Whatsapp dhe që më pas rezultoi i rremë.
Në mesazhin e fundit është lehtësisht e kuptueshme që informacioni i pretenduar nuk është i saktë dhe nuk bazohet askund. Gjithsesi, ajo që vihet re është se ende ka njerëz që po e ripublikojnë.
Prokuroria e Tiranës reagoi sot duke bërë me dije se ka filluar kryesisht hetimin për veprën penale të “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga neni 267 i Kodit Penal.
“Duke treguar impenjimin maksimal të prokurorisë, në trajtimin e rasteve të tilla, sjellim në vëmendjen e qytetarëve se çdo përhapje e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim, apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku tek njerëzit është penalisht e dënueshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.