Task Forca e ngritur nga Ministria e Shëndetësisë për përballjen me coronavirusin ka bërë me dije se 8 rastet e dyshuara për coronavirus në Shqipëri kanë rezultuar negative. Kjo u konfirmua sot në konferencë nga Eugena Tomini, e cila foli për mediat pas përfundimit të mbledhjes.
Tomini theksoi se deri më tani nuk është identifikuar asnjë rast me infektim me coronavirus në vend.
Sa i përket përdorimit të maskave mbrojtëse, Tomini i kërkoi qytetarëve që të mos i përdorin ato nëse nuk janë të sëmurë ose nëse nuk kanë rekomandim mjekësor.
Çdo person që ka shqetësime shëndetësore dhe ka dyshime për prekjen e mundshme me coronavirus mund të telefonojë në numrin 127 për të marrë infromacionin e nevojshëm.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, çdo udhëtim i ardhur nga Italia monitorohet në pikat kufitare shqiptare.