Ku jemi, çfarë po bëhet dhe ku do të shkojmë në shkurt-marsin e vitit 2020

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Spartak Ngjela ekskluzivisht për Fjala.al

I

Gjendja politike në Shqipëri aktualisht është me konflikte të brendshme, të cilat, siç po shihet, nuk kanë karakter kontradiktor politik. Por, çfarë është?

Aspekti i parë që spikat qartë është frika e Presidentit Ilir Meta nga reforma. Meta mendoi të bllokonte reformën në drejtësi dhe shkeli Kushtetutën, ndërkohë kërkon që me destabilizimin e Shqipërisë ta shpëtojë vetveten nga akuzat për shkarkim.

Aspekti i dytë është opozita jashtëparlamentare, e cila ka dalë nga Parlamenti, pikërisht në funksion të shqetësimit nga reforma në drejtësi dhe, përsëri, si Ilir Meta, mendoi të krijonte pështjellim shoqëror për të bllokuar reformën në drejtësi. Ndërkohë, ajo është jashtë Parlamentit dhe nuk ka forcë juridike.

Aspekti i tretë është mazhoranca aktuale dhe Kryeministri Rama. Në këtë aspekt, shohim një lloj paqartësie në aktin politik të Kryeministrit, por vetëm kaq, sepse Kryeministri ende nuk i ka thënë “jo” politikës amerikane në lidhje me reformën në drejtësi. “Paqartësia” e tij politikisht mund të arsyetohet me gjykimin që as Rama nuk e pranon plotësisht reformën në drejtësi dhe pasojën e saj antikorrupsion në politikë.

Aspekti i katërt është angazhimi i plotë i politikës amerikane dhe politikës gjermane në lidhje me reformën në Shqipëri. Pjesëmarrja aktive e ndërkombëtarëve në strukturimin e reformës në drejtësi dhe vetë reformës shqiptare antikorrupsion tregon një interes imediat të politikës amerikane kundrejt Ballkanit Perëndimor.

II

Kjo është fusha e lojës politike. Në funksion të kësaj loje, lind pyetja: Kush do ta fitojë këtë lojë – Meta, Berisha, Rama apo politika amerikane?

Opinioni publik shqiptar është i ngarkuar emocionalisht me një ndjenjë të zjarrtë antikorrupsion. Shqiptarët sot janë të bindur se varfëria e tyre vjen nga grabitja 30-vjeçare e lidershipit politik që i ka drejtuar. Opinioni publik shqiptar, gjithashtu, ka shumë shpresë te politika amerikane dhe po pret rrjedhojën direkte të reformës anktikorrupsion që po drejtohet kryesisht nga ajo politikë.

Lojtarët e mësipërm janë të shqetësuar pikërisht për këtë. Po, ku reflekton aspekti real i drejtpërdrejtë i reformës antikorrupsion? Reforma antikorrupsion spikat në Kushtetutën e re që ende nuk ka hyrë në funksionim; spikat te formimi i SPAK-ut dhe te kompetenca që ai ka për të kontrolluar imtësisht dhe në mënyrë drastike aktorët e korrupsionit të lartë shqiptar.

Duke u nisur nga kjo konsideratë dhe madje, nga ky fakt, arsyetojmë se opinioni publik shqiptar do të krijojë me bindje shpresën e tij kur SPAK-u të fillojë hetimin e krerëve të politikës shqiptare. Po SPAK-u, pse nuk e fillon?

SPAK-u ende nuk ka marrë formën e plotë të institutit juridik, sepse nuk po funksionon në të gjitha aspektet e strukturës juridike. SPAK-u ende nuk ka levën kryesore të hetimit, Byronë Kombëtare të Hetimit, e cila po formohet dhe është në hapat e fundit.

A do ta lejojë politika e lartë shqiptare funksionimin e SPAK-ut?

Kjo është substanca e politikës së sotme; sepse pikërisht në këtë sferë vjen dhe krijohet e gjithë kontradikta aktuale dhe pikërisht këtu, dallojmë se qëndron edhe momenti substancial i konfliktit aktual të brendshëm në Shqipëri.

Në këtë rrjedhë gjykimi, del kjo pyetje: Konflikti i brendshëm i shoqërisë shqiptare dhe politikës së lartë shqiptare është si pasojë e mospranimit të qeverisë “Rama” apo të mospranimit të reformës antikorrupsion nga Meta, Berisha dhe Basha?

Esenca është mospranimi i reformës antikorrupsion nga treshja Meta, Berisha, Basha, e cila, nga frika e aktit si antiamerikanizëm, është pozicionuar me akt politik kundër Kryeministrit aktual shqiptar.

Po Kryeministri aktual që drejton mazhorancën dhe qeverinë shqiptare, ku pikërisht ndodhet në këtë situatë?

III

Kryeministri shqiptar aktualisht drejton një mazhorancë të madhe në Parlament dhe ka, në favor të reformës antikorrupsion, edhe opozitën parlamentare, e cila doli në skenën politike si kartë rezervë kushtetuese, në zëvendësimin e deputetëve që u larguan nga Parlamenti për t’iu drejtuar popullit. Akt ky që e cekëm më lart.

Lexo edhe :  Rama ndan fotot: Ngrihet nga themelet shkolla 9-vjeçare “Demokracia” në Kamëz

Kryeministri shqiptar, i cili ndihet se ka një hall apo frenim në funksion të reformës antikorrupsion, pas zëvendësimit parlamentar të opozitës, ndihet i pasigurt për bllokimin e reformës.

Por, si qëndron qeverisja? Sepse, gjithçka duhet të analizohet në funksion të qeverisjes, dhe jo dëshirës personale të individit Rama.

Qeverisja nuk ka shqetësim opozitar parlamentar. Por, kuptohet se ndërkombëtarët, përkatësisht politika amerikane, ka pritur më shumë në funksion të reformës antikorrupsion. Qeveria shqiptare është në politikë dhe në pushtet, prandaj nuk e ka luksin që t’i thotë “jo” politikës amerikane në lidhje me reformën antikorrupsion. Por, fakti që nuk ka mundësi të thotë “jo!” nuk do të thotë se nuk i ka mundësitë ta zvarrisë reformën antikorrupsion.

Pikërisht këtu duhet të spikasë forca e politikës amerikane dhe politikës gjermane. Kryeministri aktual ka sot gjithçka në dorë për të vijuar miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, por ai, në fakt, ka ngecur në vend.

Po SPAK-u? Nëse do të përdornim një figurë, SPAK-u është dhe duhet të jetë “guri magjik” i reformës antikorrupsion. Po reforma antikorrupsion, çfarë është? Reforma antikorrupsion është një monedhë me 2 krahë. Reforma në drejtësi dhe reforma në akuzën kontrolluese të liderëve të politikës shqiptare në 25 vitet e fundit.

Nga kjo kuptojmë se, në funksion të reformës antikorrupsion në Shqipëri, del një dypushtet: forca e SPAK-ut me mbështetjen amerikane dhe forca e qeverisë shqiptare, në funksion të mazhorancës parlamentare dhe të pushtetit të fuqishëm që ka aktualisht.

Si pasojë e asaj që shprehëm më lart, dypushteti shqiptar është: akt juridik akuzator i SPAK-ut kundër të gjithë lidërshipit politik shqiptar dhe forcës së qeverisë me mazhorancën absolute në parlament.

Mazhoranca absolute parlamentare krijon pushtet absolut, megjithatë jo në funksion të votës në Parlament, por të mangësive institucionale të kontrollit juridik: Gjykata Kushtetuese.

Sipas kësaj, kemi një qeveri të fortë, pa kontroll kushtetues, atëherë: Çfarë po ndodh dhe si krijohet balanca për të ardhur qetësisht tek aplikimi i reformës antikorrupsion?

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese tani është fenomen objektiv, sepse ajo Gjykatë rezultoi e korruptuar dhe dëmprurëse për ecurinë e moralitetit në Shqipëri. Prandaj, përse duhej? Ajo duhej flakur ashtu siç u flak në një proces të rregullt gjyqësor. Por, pyetja që bëhet përsëri, ajo që u ngrit edhe më lart: Kush e balancon forcën e tejme të qeverisë?

Nëse ajo forcë nuk balancohet nga një autoritet, shoqëria shqiptare bie në autokratizëm. E pra, cili është autoriteti që do të mbushë boshllëkun e kontrollit për balancë kushtetuese? Ky autoritet duhet të jetë politika amerikane, me denoncime të hapura. Por, a ka qenë deri tani? Po! Autoriteti i politikës amerikane dhe rast pas rasti edhe i politikës gjermane ka qenë i plotë mbi kontrollin e miratimit të ligjeve në Parlamentin shqiptar.

Kur flasim për kontroll kushtetues në funksion të balancës kushtetuese, kuptojmë gjithmonë ligjin e ri që del. Prandaj, kush e ka në dorë balancën kushtetuese në funksion të ligjit të ri? Deri tani atë e ka pasur dhe e ka politika amerikane dhe ajo gjermane. Ky është arbitri i ri provizor dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët. Atëherë, për një gjë duhet të jemi të qartë: nëse nuk ka folur arbitri ndërkombëtar për një ligj, ecuria e reformës antikorrupsion është brenda normalitetit moral, kushtetues dhe në përkrahje të perspektives antikorrupsion në Shqipëri.

Të fundit

“3 fakte qesharake”/ Luarasi-Bardhit: Do të të kisha ngelur në klasë

Akuzat e kreut të PD Gazment Bardhi ndaj vëllait të kryeministrit Olsi Rama kanë ngjallur debat  në studion e...

“Në Tiranë, 40% e trafikut shkaktohet nga…”/Shefi i qarkullimit zbulon shkaqet e kaosit

Rreth 40% e trafikut në Tiranë krijohet nga parkimet e gabuara në rrugë. Kështu u shpreh, shefi i qarkullimit rrugor, Besmir Qibni në një...

Përpjekjet për të justifikuar ‘marrëveshjen’ që shuajti revolucionin

Nga Mero Baze Për të identifikuar personat të cilët donin të fitonin besimin tek Berisha kur ai po përpiqej të rikthej në pushtet në vitet...

Ledjona tregon për të atin pas daljes nga “BBV3”: Ka pasur probleme shëndetësore

Në një intervistë të dhënë në “Ftesë në 5”, Ledjona ka folur për herë të parë për familjen e saj dhe mënyrën sesi ata...

EMRAT/ Kush janë të arrestuarit nga SPAK në Bashkinë e Tiranës

Emrat e dejtorëve të Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës të arrestuar ditën e sotme nga SPAK janë bërë publike. Mësohet se në pranga kanë...

Lajme të tjera

Web TV