Spitali Infektiv në QSUT do të vihet i gjithi në dispozicion të të sëmurëve me koronavirus, në rast se ky virus do të shfaqet në vendin tonë. Mediat nuk janë lejuar deri më sot të hyjnë brenda në ambientet e izolimit dhe uniformat speciale të personelit mjekësor në shërbimin infektiv të reklamuara nga qeveria përmes faqes zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.
Burimet bëjnë të ditur se në të gjithë shërbimin infektiv janë operative 4 aparatura të ventilimit mekanik, thënë ndryshe respiratorë. Të 4 aparaturat ndodhen në reanimacionin e shërbimit infektiv ku momentalisht kurohen të sëmurë të tjerë që në rast të shfaqjes së koronavirusit do të duhet të transferohen në shërbime të tjera brenda QSUT-së ose në spitale të tjera.
Por nëse nga njëra anë proklamohet nga qeveria se janë marrë të gjitha masat për të përballuar një skenar të ngjashëm me Italinë, nga ana tjetër mësohet se i gjithë Spitali Infektiv ka në dispozicion vetëm 4 aparatura të ventilimit mekanik, që konsiderohen jetike për rastet me komplikacione tepër të rënda në mushkri, si pneumonitë bilaterale që kërkojnë intubim të menjëhershëm.
Mësohet se prej disa ditësh po punohet për shtrirjen e sistemit të oksigjenimit në të gjitha dhomat e spitalit infektiv që në total numëron 76 shtretër.