Dejvi Dashi – Regbi, loja e ashpër e mendjes dhe muskujve

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Nga Alessia Selimi

Ngjizur në fillim të shekullit XIX në Angli, regbia merr padyshim jetë nga forca e mendjes dhe muskujve. Kjo lojë është një alternativë mjaft e mirë për t’u larguar nga ritmi shpesh banal i jetës ndonëse tabloja e saj mbart të tjera ngjyra në vend. Teksa kërkon formësim identiteti, sporti shqiptar po kalon një moment delikat të ekzistencës. Mirëpo, ka djem të apasionuar, të cilët, pavarësisht mungesës së përkrahjes dhe mbështetjes financiare, ofrojnë çdo ditë e më shumë nga vetja për këtë disiplinë agresive. Një ndër ta është Dejvi Dashi, me profesion fizioterapist. I gjatë dhe i bëshëm, trupi i këtij 25-vjeçari flet shumë. Regbia ngjason së tepërmi me një terren luftarak, ja përse ka të lënduar njërën shpatull.

Dejvi rrëfen për “Fjala” se përse zgjodhi të përqafonte këtë sport pak të lëvruar në vend, si dhe rrugëtimin e tij, atë çka pritet në një të ardhme të afërt. “Jam njohur me lojën e regbisë në Kanada, ku kam kryer shkollimin e mesëm dhe të lartë. Ishte i vetmi sport që ofrohej, si ndër më të preferuarit nga kanadezët. Kësisoj, si individ që i pëlqen të merret me disiplina të ndryshme, m’u duk interesante përfshirja”, – tregon Dejvi, i vendosur tashmë në Shqipëri prej tri vitesh.

Pohon se has ende vështirësi për t’u përshtatur me atë çka e konsideronte deri vonë si pjesë të së shkuarës. E megjithatë, Dejvi shton se në ndihmë i ka ardhur pikërisht loja e regbisë; ky sport atletik që kontribuon në disiplinë vetjake, vendosmëri dhe frymë skuadre.

“Kam vendosur të marr përsipër rolin e organizatorit në fushë, duke qenë krah trajnerit anglez Adam Vernon”, – thotë ai, teksa nuk ngurron të ndalet në formimin dhe zhvillimin e skuadrës. “Fillimet e sportit të regbisë shënohen rreth viteve 2010-2011, nga disa djem të shkollës së mesme ‘Petro Nini Luarasi’. Gjithçka filloi në mënyrë amatoreske, por dalëngadalë djemtë morën trajtën e një ekipi të mirëfilltë”, – tregon Dejvi, të cilit i vihet re dukshëm bluza sintetike e lojtarit, poshtë njërës bluze të trashë, ngjyrë të zezë. Me shumë gjasa kërkon të shmangë një rrugë drejt shtëpisë, një rrugë që rrjedhimisht do ta përshkojë edhe për t’iu drejtuar asaj çka njihet si fusha e “Ali Demit”, ku stërvitet për plot një orë e gjysmë.

“Në hershmëri, duke qenë se askush nuk e njihte, rregullat e lojës shiheshin në internet. Vështirësi të këtij lloji janë zbehur me kalimin e kohës nga pasioni për lojën, si dhe nga kontributi i personave të huaj dhe me eksperiencë”, – vijon Dejvi. Duke lënë pas të shkuarën, ndalet edhe në të tashmen, si dhe në synimet e prekshme, jo shumë të largëta.

“Klubi ka marrë kupën e Superligës Ballkanike. Bëhet fjalë për një kampionat që zhvillohet çdo vit mes vendeve ballkanike, si jashtë ashtu dhe brenda vendit. Sezonin që vjen, kemi ndërmend t’i bashkohemi ligës greke, të paktën rajonit verior të Greqisë, sepse ka shumë ekipe të cilat janë në zhvillim e sipër. E teksa atyre po i rritet numri i ndeshjeve dhe lojtarëve, klubit tonë po i rritet niveli profesional”.

Pyetjes se përse regbia nuk ka përftuar vëmendje mediatike në vend, sikurse të tjera sporte, Dejvi i jep një përgjigje me dy derivate. “Skuadra e regbisë nuk gëzon ende një federatë. Mosekzistenca e saj sjell pashmangshmërisht edhe distancimin e vëmendjes mediatike, për vetë faktin e mungesës së nyjeve lidhëse. Por, besoj fort tek ndikimi i frymës sportive. Nëse pretendojmë që regbi të jetë një sport i njohur në vend, duhet të jetë i dashur. Televizionet duhet të kenë në axhendën e tyre programe të mirëfillta sportive, ku të debatohet dhe të flitet për çdo sport, jo veçse për futbollin, që për hir të së vërtetës e konsideroj si një sport amator”, – shprehet Dejvi, ndërkohë që dëshiron të jetë i qartë, duke e ditur fare mirë se pohimi i fundit mund të shkaktojë polemika të forta. “Artikulohem në këtë mënyrë për futbollin sepse regbia është një sport që të ofron shumë më tepër adrenalinë. Në të gërshetohen një sërë disiplinash; kërcimi për së larti, mundja, sprinti…”

Duke iu rikthyer sërish vëmendjes së pakët që gëzon sporti i regbisë, Dejvi shuan kureshtjen edhe për mënyrën se si mblidhen ata pak njerëz të gatshëm që duan të merren me këtë sport. “Dikur ishte thjesht një lojë mes shokësh të një klase. Por, ku lindi dëshira e të promovuarit regbinë si një sport të ri në vend, tentuam shumë mënyra rekrutimi, sikurse vazhdojmë t’i ushtrojmë edhe sot. I referohem ngjitjes së fletushkave dhe postimeve të vazhdueshme nëpër rrjete sociale. Është paksa e vështirë, përpos faktit që ragbi është një sport me kontakt fizik. Megjithatë, konstatojmë se çdo ditë e më shumë po shtohet interesi dhe dëshira e të rinjve për t’u marrë me sporte të reja”, – thotë Dejvi.

Lexo edhe :  Plagosje, grabitje e trafik droge, arrestohet 31-vjeçari i shumëkërkuar në Durrës

I lexohet në sy dëshira për të folur gjatë e gjerë për regbinë, si pjesë të pandashme të përditshmërisë së tij. Por papritur bashkëbisedimit i vjen fundi. Kësisoj, Dejvi duhet t’u drejtohet angazhimeve dhe stërvitjes së përditshme. Përpara se të marrë çantën mbi shpinë, jep një këshillë për të gjithë ata të rinj, që ndoshta enden kuturu për një pasion, udhë shpëtimi. “Ta quash veten të rritur, idiotësi. Nuk shërben për asgjë, përpos plakjes së shpirtit. Ta quash veten të vogël, kjo po që mund të cilësohet si një fitore e vogël. Fëmijëria është një periudhë që fatkeqësisht ka shpejtësinë e një treni. Në udhëkryq marrëdhëniesh, pasionet duhen marrë seriozisht”.


Të fundit

Vidhet kisha ‘Shën Gjergj’ në Fier, hajdutët thyejnë drynin e arkës së qirinjve dhe marrin para

Kisha e ‘Shën Gjergjit’ në fshatin Libofshë të Fierit është grabitur. Policia njofton se disa persona të paidentifikuar kanë...

Asfaltohet rruga në Qukës Shkumbin, Balla: Transformimi i infrastrukturës së brendshme të fshatit ka qenë prioritet

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Prrenjasit, Nuri Belba pa nga afër rikonstruksionin dhe...

Ambasadori i BE: Shqipëria shumë pranë integrimit në BE

Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca ndodhet në Korçë në kuadër të një turi të nisur që prej ditës së Europës nga ku...

Rama: Yuri Kim i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve me SHBA

Kreu i qeverisë Edi Rama u shpreh gjatë fjalës së tij në ceremoninë e stërvitjes “Defender 21” në Tiranë, se ambasadorja e SHBA Yuri...

Yuri Kim: Amerika ka një aleat të vërtetë dhe të guximshme si Shqipëria

“Defender Europe 21” pas disa qytetesh këtë herë ka zbarkuar në Tiranë, ku ditën e sotme do të ketë surpriza në tokë dhe ajër...

Lajme të tjera

Web TV