Historia e dhunës barbare ndaj viktimës Esmeralda Filopati dhe lirimi me vendim gjykate brenda 5 muajsh e Fatmir Kolecajt. Hyrje-daljet e tij në pika kufitare pas lirimit dhe fshirja e vendimit nga sistemi
Nga Nikoleta Kovaçi
Ai ka mundur të udhëtojë i vetëm dhe në këmbë nga Rrësheni deri në Zejmen. Me armën e krimit me vete, armë me të cilën iu kishte marrë jetën nënës së fëmijëve të vet dhe dajës së tyre, ai ka qenë i bindur në sipërmarrjen e tij për të qëlluar këdo që do i dilte përpara. Për fatin e mirë të kujtdo tjetër Fatmir Kolecaj, i liruari i gjykatës së Lezhës me qëllim edukimin e fëmijëve, nuk është përballur me askënd derisa ka mbërritur në shtëpinë e tij. Aty ka qëndruar i vetëm derisa e ka rrethuar policia, rrethim që për pak sa nuk ka qenë fatal për jetën e një efektivi policie. Ai me të parë që shtëpia e tij ishte e rrethuar, ka dalë në ballkon dhe ka qëlluar mbi ta. Policia ka tentuar të komunikojë edhe nëpërmjet një të afërmi të tij që ai të dorëzohet. Ka nisur shkëmbimi i zjarrit dhe policia e ka patur të pamundur të vijonte e vetme. Meqë një pjesë e mirë e RENEA-s ishte zhvendosur në një tjetër operacion, një grup krejt i vogël kishte mbetur në repart. Atëherë në ndihmë të FNSH-së së Shkodrës janë nisur edhe forcat Speciale. Njohës i mirë i policisë, Kolecaj ka kuptuar kur në rrethimin e parë ka hyrë RENEA. Ai ka qëlluar sërish dhe plumbi kap në këmbë njërin nga efektivët e FNSH-së. Policia i ka bërë sërish thirrje të dorëzohet para se të bëhej rrethimi i afërt dhe duke qenë se e dinte që nuk kishte më shpëtim, ai kryen aktin e vetëvrasjes. Policia thotë në banjë! Pikërisht aty ku linte armën e krimit sa herë i duhej të kërcënonte Aldën, kur jetonte me të, kur ajo nga fakti që të mos turpëronte familjen e saj nuk fliste për dhunën e tmerrshme që përjetonte çdo ditë prej Fatmir Kolecajt, personit që gjykata i kishte dhënë vetëm 5 muaj burg për tri vepra penale. Madje edhe me argumentin se ai ishte i penduar për dhunën me tub uji mbi Aldën, kërcënimin e saj me jetë me armën që e mbante në banjë dhe të mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve që policia i kishte sekuestruar ditën e arrestimit të tij, pikërisht në vendin ku edhe u vra.
Lëvizjet jashtë vendi të Kolecajt!
Ndërsa kishte lënë qelinë për të dalë dhe edukuar fëmijët, sipas vendimit të gjykatës, i arrestuari për dhunë të vazhdueshme në familje, Kolecaj, sapo ka lënë qelinë ka mundur të largohet në drejtim të Greqisë. Ai atje kishte të atin, Lekën që jeton prej shumë kohësh. Dalja e parë shihet që është kryer nga pika doganore e Kapshticës dhe mban datën 6 tetor të vitit 2018, ko kur në fakt, referuar tri veprave penale për të cilat ishte arrestuar Kolecaj ai duhej të ishte në qeli. Ka hyrë po nga ajo pikë në fundin e dhjetorit të po atij viti. Shihet që ka lëvizur edhe tri herë të tjera në vitin 2019 dhe të tri lëvizjet i ka nga Greqia, konkretisht nga pika doganore e Kakavijës! E fundit e fiksuar në sistemin TIMS është ajo e prillit të 2019-s ku autori i masakrës së Rrëshenit ka bërë dalje me automjet ndërsa hyrjen e ka bërë në këmbë në fundin e qershorit. Megjithatë, fakti që Alda ishte marrë nga familja e saj dhe mbahej në shtëpinë e prindërve edhe divorci ishte kryer ka bërë që Kolecaj, i cili jetonte i vetëm në Lezhë të mendonte edhe për aktin e rëndë të vrasjes së saj dhe të familjes së saj. Akt të cilin e realizoi në një kohë kur ai sërish mund të ishte në qeli duke iu referuar edhe dëshmisë që Esmeralda Filopati la në prokurorinë e Lezhës. Por me sa duket Gjykata në shqyrtimin e dosjes dhe në dhënien e vendimit, vendim që mban emrin e gjyqtarit Ilir Përdeda, nuk kanë marrë parasysh dëshminë e asaj që sot nuk jeton më falë plumbave që lëshoi i liruari i tyre.
Dëshmia e Esmeraldës në polici
“Rasti i fundit, të cilin e dëmtuara Esmeralda Kolecaj e ka denoncuar në polici, është ai i orës 16.00 të datës 12.7.2017, në të cilën i pandehuri sapo ka hyrë në banesë ka filluar të godasë me shuplaka bashkëshorten e tij, pastaj ka marrë një tub gome dhe me të e ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit për rreth një orë! E dëmtuara Esmeralda Kolecaj ka mundur të telefonojë babanë e saj, të cilit i ka bërë me dije faktet e mësipërme, ndërsa ky i fundit ka njoftuar policinë. Në këtë moment i pandehuri ka shkuar në banjën e banesës dhe ka marrë një armë zjarri që e mbante pa leje të organeve kompetente, të cilën e ka vendosur në tavolinë, ndërsa bashkëshortes së tij i ka thënë “të parën do te vras ty, pastaj do të merrem me ato”. Pas rreth 30 minutash nga kryerja e veprimeve të mësipërme, i pandehuri ka dalë bashkë me armën në oborrin e banesës dhe është rikthyer në banesë, duke mos e patur armën me vete!” E në fakt ashtu ka vepruar, siç edhe i kishte thënë para tri vitesh nënës së fëmijëve- se të parën do vras ty e pastaj do vras policinë! Po ky vendim gjykate që daton 15.01.2018 nuk gjendet më në faqen e Gjykatës, që prej ditës së djeshme! Vendimi duket se është fshirë ndërkohë që ende kanë mbetur copëzat e dëshmisë së Aldës së ndjerë nëpër transmetimet e panumërta të këtij akti të tmerrshëm kur një person që duhej të ishte në qeli për dhunë në familje ishte i lirë e madje merr edhe armën e ikën nga Zejmeni i Lezhës në Rrëshen pa u pikasur dhe as kontrolluar nga askush duke iu zënë pritë në derën e shtëpisë ish-gruas së tij dhe vëllait të saj të vogël, Vledisonit dhe duke ua marrë jetën mizorisht me breshëri. /Fjala.al