Dhuna në familjet shqiptare duket se është kthyer në rutinë, ku është arritur deri në kufijtë e vrasjes, siç janë rastet e pak ditëve më parë në Mirditë dhe Durrës. Ndërsa vetëm 24 orët e fundit janë arrestuar tre burra pasi kanë rrahur motrat, gratë dhe vajzat e tyre.
Ata janë vënë në pranga nga policia duke nisur me një 59-vjeçar i cili ka shembur gardhin e motrës së tij në Farkë të Madhe dhe më pas ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Kjo e fundit ka marrë urdhër mbrojtje të menjëhershëm.
Po ashtu në Yzberisht është arrestuar në flagrancë një 59 vjeçar, i cili pasi ishte bërë tapë ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së tij.
Gjithashtu, një rast tjetër është evidentuar në Vorë, ku është arrestuar shtetasi R. M.., 57 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së mitur. Edhe këtyre të fundit iu është lëshuar urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes.
Njoftimi i policisë: Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 3 shtetas, për dhunë në familje. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. V., 59 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, në Farkë të Madhe, në Rrugën e Agallarëve, ka shembur gardhin rrethues të banesës së motrës së tij dhe më pas ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, të cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. L., 59 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë, pasi në Yzberisht, në banesë, në gjendje të dehur, ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së tij.
Gjithashtu, nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. M.., 57 vjeç. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe vajzës së mitur së tyre, të cilave iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.