Partia Demokratike ka kërkuar sot nga Sokol Sadushi, drejtor i Shkollës së Magjistraturës dhe njëkohësisht gjyqtari i ardhshëm i Gjykatës së Lartë, që të thyejë heshtjen për dosjen “Lazarati”.
Në çështjen ku po hetohen rreth 40 persona, midis tyre edhe botuesi Henri Çili, është përmendur “një person i lartë i drejtësisë”, i cili do të ndikonte për rivlerësimin e dënimeve për dy vëllezërit Aliko, të dënuar për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha në Lazarat.
Duke qenë se Ardian Dvorani, kreu i Gjykatës së Lartë, mohon të ketë lidhje me çështjen, Sadushi mbetet zyrtari i lartë i drejtësië që nuk ka mbajtur ende një qëndrim.
Reagimi i PD-së
Ardian Dvorani deklaroi një ditë më parë se nuk është ai personi që prokuroria e identifikon në dosjen penale si drejtues i një organi të lartë të drejtësisë, që ka premtuar favore të paligjshme për një dosje në Gjykatën e Lartë.
Në mungesë të zbulimit të emrit nga policia dhe prokuroria, që vazhdojnë të punojnë me dy standarde, Sokol Sadushi duhet t’i japë fund heshtjes dhe të japë shpjegime publike për pozicionin e tij.
Sokol Sadushi, i cili udhëhoqi reformën në drejtësi si ekspert i lartë, është drejtor i Shkollës së Magjistraturës, një organ i lartë i sistemit të drejtësisë. Si kandidat pa rival për Gjykatën e Lartë, emërimi i tij pritet të ndodhë në mars, kohë në të cilën, sipas prokurorisë, drejtuesi i lartë i organit të drejtësisë do të kryente takimin e rradhës për favorin e paligjshëm.
Është koha që Sokol Sadushi të flasë! Heshtja nuk e ndihmon dot gjatë!