Individi përballë shtetit, liria dhe përgjegjshmëria përballë autoritarizmit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Adrian Civici, ekskluzive për Gazetën Fjala

Në një fjali të vetme, Maks Veber ka përmbledhur bazat filozofike dhe antropologjike të individit dhe liberalizmit: individi, i cili është zot i vetvetes dhe zotëron të drejta fondamentale të patjetërsueshme nga askush, të drejta që rrjedhin dhe bashkëjetojnë me natyrën humane pavarësisht strukturave sociale apo shtetërore ku individi bën pjesë. Këto të drejta janë: e drejta e lirisë dhe e drejta e pronësisë.

Në këtë sens, dominimi i shtetit nga shoqëria nuk është veprim liberal, por edhe absorbimi i shtetit nga shoqëria gjithashtu nuk është liberale. Shteti nuk duhet të jetë pronari i individit, por shërbëtori i tij.

Në sferën politike, liberalizmi bën pjesë në trashëgiminë e doktrinave të “së drejtës natyrore”, e thënë ndryshe, “në kalimin nga shteti natyror në shtetin civil mbi bazën e vullnetit të lirë të individëve të lirë”. Në sferën ekonomike, liberalizmi bazohet në doktrinat etike që përcaktojnë se “interesi i përgjithshëm është produkt i kombinimeve të interesave individuale”.

Përcaktimi i lirisë individuale buron nga neni 4 i “Deklaratës së të drejtave të njeriut dhe qytetarit të 1789” ku thuhet se “liria konsiston në mundësinë për të bërë gjithçka pa cenuar lirinë e të tjerëve: në këtë mënyrë, ushtrimi i të drejtave natyrore nga çdo njeri ka si kufi vetëm mospengimin që gjithë anëtarët e tjerë të shoqërisë të gëzojnë të njëjtat të drejta”. Emanuel Kant e përcakton lirinë individuale si “autorizimin për të mos iu bindur asnjë ligji jashtë atyre që pranon uni dhe ndërgjegjja e çdo individi”.

Teza e të drejtës natyrore u zhvillua veçanërisht nga Xhon Lok. Nga kjo teori lindën më vonë konceptet moderne të të drejtave të njeriut që dhanë një kontribut të rëndësishëm historik në justifikimin ideologjik të Revolucionit Amerikan dhe Revolucionit Francez të fund shek. XVIII.

Xhon Stjuart Mill apo Xheremi Bentam pohonin se “parimet e liberalizmit nuk buronin nga respekti për të drejtat natyrore, por nga kontributi esencial që liria sjell në mirëqenien e gjithsecilit”. Sipas “utilitaristëve”, “një shoqëri e lumtur është një shoqëri e lirë në të cilën çdo njeri jeton ashtu siç dëshiron pa cenuar lirinë dhe mirëqenien e të tjerëve”. Shoqëri liberale janë ato që maksimizojnë mirëqenien e individit dhe jo detyrimisht ato që privilegjojnë vetëm lirinë individuale”.

Në këtë mënyrë, liria përkthehet si një e drejtë e secilit për të vepruar ashtu siç ai mendon se mund të realizojë objektivat e tij, të përdorë mjetet e tij, të shprehet lirisht dhe të zgjedhë në mënyrë të lirë burimet e informacionit, të shoqërizohet dhe kontraktojë lirisht sipas vullnetit të lirë, etj.

E drejta e pronësisë është e drejta e çdo individi të disponojë frytet e aktivitetit të tij si dhe pasuritë që ka krijuar apo trashëguar në mënyrë legjitime, që të pronësojë çdo gjë që nuk është ndërkohë pronë e një individi tjetër.

Këto të drejta kanë karakter “universal” dhe janë të aplikueshme për çdo qenie njerëzore, në çdo moment e në çdo vend, duke formuar në këtë mënyrë “barazinë në të drejta”. Këtu profilizohet dhe një diferencë evidente ndërmjet shkollës liberale të të drejtave natyrore dhe liberalizmit utilitarist, pasi utilitarizmi e pranon sakrificën e disave në emër të mirëqenies së shumicës nën moton “qëllimi justifikon mjetin”, ndërsa liberalizmi e konsideron jetën dhe individin si të shenjta, të paprekshme dhe të pacenueshme nga asnjë lloj detyrimi të jashtëm pasi “respekti absolut për çdo individ diktohet nga e drejta natyrore” qoftë edhe duke vënë në dyshim legjitimitetin e shtetit.

“Morali liberal” përmblidhet në një frazë: Ti nuk mund të cenosh të drejtat natyrore të një qenie tjetër njerëzore. Ai lejon gjithkënd të zgjedhë në mënyrë të lirë qëllimet, mjetet dhe moralin e tij deri në atë masë sa të mos pengojë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.

“Morali liberal” përjashton çdo lloj agresioni kundër integritetit të një personi tjetër, kundër dhunës, vrasjeve, skllavërimit, diktaturave, intolerancës ndaj ideve të të tjerëve, besimit fetar, etj. Liberalizmi nuk “përshkruan ndonjë set rregullash morale” në nivel individual duke konsideruar se “morali dhe feja janë jashtë fushës së tij të veprimit”, se rregulli i tij është “moskufizimi i të drejtës së të tjerëve në këto sfera”.

Si frymëzim dhe mënyrë veprimi, liberalizmi politik është shumë i afërt me idealin demokratik, për të cilin Monteskje thotë se “në një republikë, kur populli është pjesë e trupëzuar e fuqisë sovrane, atëherë kjo është demokraci”.

Megjithëse në ndryshim nga liberalizmi, demokracia nuk ka si qëllim të fundmë final mbrojtjen e lirisë individuale, përsëri demokracia dhe liberalizmi konvergojnë në faktin se të dyja e gjejnë burimin e frymëzimit në të njëjtat tradita siç janë filozofia greke e romake, periudha e rilindjes evropiane, shpirti i shekullit të ndritur e deri tek fryma judeo-krishtere.

Lexo edhe :  Berisha: Fyerjet dhe kërcënimet akte të turpshme, skenarist është Rama

Rajmond Aron, në librin “Essai sur la libertés” shprehet se “logjika e liberalizmit të çon drejt demokracisë nëpërmjet parimit të barazisë përpara ligjit. Por, demokracia, për të qenë reale, kërkon respektimin e lirive individuale, lirinë e shprehjes, lirinë e fjalës, lirinë e veprimit etj.”.

Thelbi i liberalizmit qëndron tek nocioni i “përgjegjshmërisë së individëve” të cilët duhet të marrin përgjegjësinë e veprimeve të tyre, qofshin këto të mira apo të këqija. Kjo konsiderohet si një nga kushtet fondamentale të vetë “lirisë” e cila shihet e lidhur ngushtë me nocionin e “barazisë në të drejta”, pasi për liberalët “të gjithë njerëzit duhet të trajtohen si të barabartë cilado qofshin diferencat e tyre”.

Liberalizmi nuk ka asgjë të ngjashme me “çrregullimin apo anarkinë sociale” si rezultat i mungesës së rregullave dhe ligjeve, pasi e “drejta në liberalizëm” formohet apo trupëzohet si nga e “drejta natyrore” ashtu dhe nga e “drejta pozitive” që është produkt i kontratave ndërmjet individëve të ndryshëm, apo ndërmjet tyre dhe institucioneve përkatëse.

Liberalizmi kërkon nga shoqëria që të “respektohen të drejtat natyrore dhe të kufizohen sa më shumë që të jetë e mundur kompetencat e shtetit” duke krijuar kështu një vizon specifik liberal për shoqërinë.

Liberalët nisen nga konstatimi se “qenia njerëzore është një kafshë thellësisht sociale, mjaft e ndjeshme ndaj ndjenjave dhe mirëqenies së të tjerëve dhe e ndërgjegjshme se bashkëpunimi me të tjerët është mënyra më e mirë për të mbijetuar dhe plotësuar nevojat e kërkesat e secilit”.

Duke pranuar diversitetin njerëzor në gjithë komponentët e tij, liberalët, megjithëse evidentojnë si prioritet “veprimet spontane”, mendojnë se “individët janë të prirur nga instinktet dhe arsyeja që të kooperojnë dhe aplikojnë zgjidhje eficente sociale”.

Aksionet kolektive janë të mirëpritura por me kusht që ato të “ndërmerren në mënyrë lirë e vullnetare dhe të mos ushtrojnë asnjë kufizim apo detyrim të imponuar ndaj anëtarëve të tyre”, që organizimet sociale ti shërbejnë realizimit të qëllimeve të gjithsecilit brenda kooperimit të lirë.

Liberalizmi, kur është fjala për shtetin, pranon faktin se ai është i nevojshëm “për të penguar dhunën në çfarëdo forme që të shfaqet ajo” duke nënvizuar se, pavarësisht parimit themelor të liberalizmit që është “përgjegjshmëria individuale, “shteti ka monopolin e mbrojtjes së çdo individi nga individë të tjerë”, por gjithmonë me rezervën se “njerëzit që veprojnë në emër të shtetit mund të abuzojnë me këtë monopol dhe të ushtrojnë dhunë ndaj individëve të tjerë” duke përfituar nga ajo që Maks Veber e quan si “monopoli i dhunës së legjitimizuar”. Ndërkohë që shteti mendohet si garant i lirive individuale, ai perceptohet edhe si kërcënim për dhunimin e këtyre lirive.

Liberalët klasikë u përcaktuan qartë në favor të minimizimit të funksioneve të shtetit brenda funksioneve legjitime të tij që garantojnë mbrojtjen e qytetarëve të vet të tilla si: policia, drejtësia, diplomacia dhe ushtria, funksione që profilizojnë “shtetin minimal të kufizuar në të ashtuquajturat “funksionet regaliane” shprehje të garantimit të sovranitetit.

Hajek shprehej se “unë do të preferoja më shumë një diktaturë liberale se sa mungesën e liberalizmit në një qeveri demokratike”. Në ushtrimin e këtyre funksioneve, shteti duhet t’u nënshtrohet të njëjtave ligje e rregulla si qytetarët e tij, të mos bëjë e aplikojë ligje e rregulla “vetëm për qytetarët e tij por jo për atë vetë”.

Liberalizmi klasik nuk promovon ndonjë formë të veçantë institucionale të shtetit, por kërkon limitimin e pushteteve të tij, zgjerimin e demokracisë dhe ndarjen e pushteteve, duke mos i njohur të drejta të veçanta shumicave qeverisëse edhe kur këto zgjidhen në mënyrë demokratike.

Në të njëjtën mënyrë që ju ndalon mazhorancave imponimin e vullnetit të tyre, koncepti liberal, ju ndalon dhe individëve të veçante që t’u imponohen grupeve të ndryshme sociale. Roli i “shtetit liberal është mbrojtja e individëve dhe minoriteteve kundrejt shumicës apo individëve imponues.

Ky qëndrim u zhvillua dhe përpunua më shumë gjatë gjysmës së dytë të shek. XX nëpërmjet tezave dhe analizave të “Shkollës së zgjedhjes publike” që i shikonte veprimet e shtetit si ato “të çdo organizate tjetër, që thjesht kërkon të maksimizojë interesat e saj” dhe konstatonte mungesën e “interesit të përgjithshëm në aktivitetin e tij”. Liberalët më radikalë shkonin akoma më tej duke e konsideruar shtetin si armik duke kërkuar zhdukjen apo shuarjen sa më të shpejtë të tij.

Të fundit

Tmerrohen banorët e Freskut në Tiranë, helikopteri u hedh një lëndë të paidentifikuar

Pasditen e sotme në zonën e Freskut në Tiranë, banorët e zonës janë alarmuar nga një ndodhi aspak e...

Berisha: Zhvillimi për çështjen “McGonigal”, detyroi Ramën të bënte draftin për Kosovën

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se drafti që kreu i qeverisë Edi Rama prezantoi sot për Kosovën është i hartuar në Serbi. Gjatë një interviste në...

VIDEO/ Benzema prezantohet në mënyrë spektakolare tek Al-Ittihad mes 60 mijë tifozëve

Pamjet e para të Karim Benzemas me fanellën e Al-Ittihad janë mbresëlënese. Sulmuesi francez u prezantua para tifozëve në fushë në “King Abdullah Sports...

Rubini më i madh dhe më i vlefshëm ndonjëherë shitet në ankand, ja sa kushtoi ai

Një rubin 55,22 karatësh është bërë guri më e madh dhe më i vlefshëm i këtij lloji që është shitur ndonjëherë në ankand, duke...

Analiza e VOA: Mike Pence sfidon Trump për të qenë kandidat i republikanëve

Këtë javë disa republikanë kanë shpallur kandidaturën për president në përpjekje për të penguar ish-Presidentin Donald Trump që të marrë emërimin e Partisë Republikane...

Lajme të tjera

Web TV