Pas tregimit të forcës në Bulevard nga ana e presidentit Ilir Meta, a do të ketë lëvizje të reja në politikë? Si do t’i përgjigjet Lulzim Basha me aksionet opozitare dhe a do të ofrojë kryeministri Edi Rama një marrëveshje të re para 15 marsit. Si ta lexojmë manifestimin e së hënës. Flasim për gazetën Fjala, analistët Lorenc Vangjeli dhe Roland Qafoku
Nga Blerina Gjoka
Nën tingujt e himnit kombëtar, flamujve që valëviteshin dhe luleve të para pranverore të mimozave u shpall një kumt politik. Kreu i shtetit, Ilir Meta, në një dalje të pazakontë për një president, jo nga zyra shtetërore por nga sheshi, i vuri një ultimatum mazhorancës qeverisëse; ose hiq dorë nga ligji për “kapjen” e Gjykatës Kushtetuese ose do të shpërndajë parlamentin.
Afati kohor i vendosur prej tij jo më kot është 15 Marsi, dita e përfundimit të reformës së re zgjedhore, një prej kushteve thelbësore të Bundestagut gjerman, dhe ndoshta rruga e vetme që do të pajtojë palët pas një krize të gjatë politike.
Por duke ndjerë zgjedhjet në prag, Meta jo më kot zgjodhi sheshin për ta dhënë këtë kumt, pasi duke folur para njerëzve ai tregoi se nuk është një zyrtar i ngecur në zyrën presidenciale, por një politikan që kërkon të rrijë gjatë në skenën politike.
Po çfarë do të ndodhë deri më 15 mars ose pas kësaj date? Në fakt nuk është shpërndarja e parlamentit akti final i luftës politike, pasi sipas gjitha gjasave dhe një dekret për shpërndarje të parlamentit mazhoranca do ta injorojë, siç bëri me dekrete të mëparshme të presidentit.
Më shumë se sa 15 marsi duket se më e qenësishme është ajo çfarë do të ndodhë përpara dhe pas kësaj date. Opozita e drejtuar nga Lulzim Basha, e cila prej muajsh është në një gjendje të fjetur në aksionet politike kundrejt mazhorancës pritet të ketë fjalën e saj, ndonëse në dukje e detyruar nga lëvizjet e fundit të Presidentit Meta.
Shumëkush e lexoi manifestimin e thirrur nga Ilir Meta të hënën si një mesazh të fortë ndaj Lulzim Bashës në këtë drejtim.
Ndërkohë, Edi Rama nga zyra kryeministrore është vënë në dilemën e re me Ilir Metën, për të cilën ka zgjidhje të vjetra në sirtar; të dy ata i lidh një histori e gjatë lufte dhe paqeje me njëri-tjetrin. Pra, kreu i mazhorancës do të zgjedhë nëse do të ofrojë një pakt të ri për Metën apo do ta luftojë me çdo mjet.
Në frymën e një tryeze, ku të gjitha palët janë ulur tashmë për të kryer një Reformë Zgjedhore që do t’i hapë rrugë një palë zgjedhjeve të reja dhe të ndodhur para kushtëzimit të BE-së për dialog dhe zgjidhje për çeljen e negociatave, por edhe me presionin që nuk mungon nga amerikanët, paqja me çdo kusht duket se është zgjidhja më optimale. Por nëse palët zgjedhin luftën me çdo mjet atëherë na mbetet të presim nëse 15 marsi do të jetë një ditë furtune në nisje të pranverës.
Si lexohet manifestimi i Metës dhe mesazhet që u dhanë për Ramën e Bashën nga presidenti Meta për gazetën Fjala flasin analistët e politikës; Lorenc Vangjeli dhe Roland Qafoku.