Karantina/ Ekonomia shqiptare mund të humbasë mbi 25 milionë euro në ditë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Vetëkarantinimi pa afat i shoqërisë shqiptare, mbyllja e bareve, restoranteve, fabrikave dhe bizneseve të tjera, si masë drastike për parandalimin e përhapjes të koronavirusit, po jep efekte edhe në ekonomi. Sektorët më të prekur janë transporti, nëndegët e sektorit të akomodimit, baret e restorantet, prodhimit të këpucëve, call center. Situatë pasigurie është krijuar edhe tek industria e fasonëve, tregtia me shumicë dhe pakicë, duke përjashtuar tregtimin e artikujve ushqimorë, si dhe agjencitë e udhëtimeve. Të gjithë bizneset qarkullojnë mesatarisht 50 milionë euro në ditë. Një rënie me 50% e shitjeve të tyre (në ditët e pezullimit ka qenë dhe më e lartë) do të shkaktonte të ardhura të munguara ditore prej të paktën 25 milionë eurosh.

Nga Dorina Azo

Bizneset shqiptare kishin të ardhura rreth 22 trilionë lekë (rreth 18 miliardë euro) për vitin 2018, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Mesatarisht qarkullimi ditor i 107 mijë subjekteve, që veprojnë në vend, në fushën e tregtisë, të shërbimeve, transportit, industrisë, ndërtimit, energjisë, telekomunikacioneve e të tjerave është rreth 50 milionë euro. (44% e këtyre të ardhurave sigurohen nga aktivitetet e tregtisë me shumicë e pakicë, 12% nga ndërtimi, 8.5% nga shërbimet, rreth 3% nga akomodimi e shërbimet ushqimore etj).

Por, ekonomia ka hyrë në një territor të paeksploruar për shkak të paralizimit të pothuajse të gjitha aktiviteteve
në vend, me synim frenimin e përhapjes së koronavirusit, që nuk dihet sa do të zgjasë. Shumë biznese janë mbyllur (sidomos bare e restorante), të tjerat po punojnë me kapacitete minimale, konsumatorët kanë frenuar konsumin, përveç blerjeve të domosdoshme. Ndërmarrjet eksportuese, pasi u goditën nga Italia (partneri ynë tregtar) tashmë kanë probleme me vazhdimin e prodhimit për shkak të mosardhjes në punë të punonjësve.

Pjesa më e madhe e bizneseve raportojnë rënie të aktivitetit me 70%, ose dhe mbyllje të përkohshme. Ndonëse është shumë shpejt të bëhet një bilanc, nëse marrim në konsideratë një reduktim prej 50% të aktivitetit ekonomik në vend, kjo do të sillte të ardhura të munguara prej të paktën 25 milionë eurosh në ditë .
Sektorët më të prekur

Degët që vuajnë dhe humbjen më të madhe janë Transporti, sektori i Akomodimit që përfshin baret, restorantet, lokalet; Tekstilet, lëkurët e këpucët, agjencitë e udhëtimeve, tregtia me shumicë dhe pakicë.

Kompanitë ajrore, të cilat realizojnë fluturime direkte me Italinë, do të preken në të ardhura të munguara në pasqyrat e tyre financiare mujore, me rreth 18 milionë deri në 20 milionë euro. “Shifra është e konsiderueshme dhe më shumë mundësi që efekti do të mbartet për një periudhë më shumë se 1 -vjeçare”, u shpreh Etleva Hoxha, administratorja e kompanisë Albawings për “Monitor”.

Në total të ardhurat mujore të sektorit të transportit, sipas shifrave të INSTAT, janë 28 milionë euro. Duke përfshirë këtu mbylljen e sektorit të transportit të brendshëm dhe ndërurban, lëvizjen e trageteve dhe 20 milionë euro në transportin ajror, humbjet për sektorin e transportit llogariten rreth 25 milionë euro. Duhet përmendur se sipas Shoqatës së Transportit vetëm nga mosrimbursimi i biletave për shtresat e margjinalizuara humbjet janë 3 milionë dollarë në muaj.

Në situatë amullie dhe pasigurie janë përfshirë edhe agjencitë e udhëtimeve. Në total, në vend operojnë 950 agjenci udhëtimi, ku 350 prej tyre janë në Tiranë. Agjencitë janë futur në “luftë” me kompanitë ajrore, pasi të gjithë qytetarët kërkojnë anulime biletash, spostime datash ose rimbursime. “Ne aktualisht nuk po punojmë, jemi kthyer në qendër thirrjesh për anulime apo spostime të udhëtimeve.

Qytetarët nga frika kanë reduktuar 80% lëvizjet dhe nuk po priten më bileta. Asnjë nuk merr iniciativën për të ikur, përjashto rastet ekstreme, kur dikush kërkon të udhëtojë në ndonjë destinacion që i nevojitet për punë. Prenotimet dhe udhëtimet për bileta pothuajse janë pezulluar. Kjo është tendenca, për shkak të situatës të krijuar nga koronavirusi. Aktiviteti ekonomik në agjencitë e udhëtimeve pothuajse është i paralizuar, dhe që me shpalljen e rasteve të para me koronavirus në vend prerja e biletave ka arritur në minimum”, shprehet një nga përfaqësueset e agjencive të udhëtimeve në vend për “Monitor”.

Agjencitë e udhëtimit qarkullojnë rreth 21 milionë euro në muaj, sipas INSTAT, por xhiro e tyre është e dubluar, pasi prej më se tre vitesh pas kërkesave të reja të standardeve të kontabilitetit, ato raportojnë edhe vlerën e biletës, ndërsa më parë deklaronin vetëm marzhin që ato arkëtonin.

Efekti te baret dhe restorantet

Baret dhe restorantet janë aktiviteti më i preferuar i shqiptarëve, krahas tregtisë. Në vend, sipas INSTAT, ka gjithsej 18 mijë bare dhe restorante, duke qenë ndër të parët në botë për numrin e lartë të bar-kafeve për banorë.
Prej disa ditësh, të gjitha baret e restorantet në qytetet kryesore janë të mbyllura. Humbjet konsiderohen të jenë rreth 70% për këtë sektor sipas kontabilistit Armand Mala. Ai shpjegon për “Monitor” se pasojat nga mbyllja e bareve, restoranteve, pub-eve do të jenë si në nivelin makro, ashtu edhe mikro.

“Për fat të keq, në rastin e koronavirusit, dëmi shëndetësor shkon përkrah me dëmin ekonomik, që po shkaktohet në përgjithësi. Kokat e para të turkut ishin diskoketat, pub-et e klubet e natës, që me të drejtë u dha një urdhër për bllokimin e tyre menjëherë sapo u shfaqën rastet e para. Më tej urdhri u ashpërsua, duke mbyllur edhe baret e restorantet. Pasojat janë, si në nivel mikro dhe në atë makro. Në nivel mikro, gjithë këto biznese do të kenë humbje, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për shpenzimet e larta fikse që këto biznese kanë. Qiratë e larta, amortizimi shumë i shpejt i investimit (kujtojmë që Lounget kryesore në kryeqytet ndryshojnë totalisht interiorin mesatarisht çdo 3-4 vjet), shpenzimet e tjera kontraktuale janë vetëm disa nga zërat e përmuajshëm”, shprehet Mala.

Zoti Mala rekomandon se për të përballuar këtë situatë, humbja duhet të shpërndahet. Përfaqësuesi i zyrave të kontabilistëve thotë se kjo situatë do të ndikojë edhe te Prodhimi i Brendshëm Bruto. “Punonjësit duhet të sakrifikojnë diçka, të mos të presin të paguhen, meqë janë në një kontratë pune. Qiradhënësit duhet të mos ushtrojnë presion këtë periudhë, duke kërkuar respektimin e afateve të pagesave.

OSHEE gjithashtu të mos ushtrojë presion për kryerjen e pagesave në kohë, zyrat e tatim-taksave duhet urgjentisht të nxjerrin urdhëresa, duke shtyrë afatet e deklarimeve dhe pagesave, vetëm në këtë formë bizneset nuk do ta mbajnë të vetëm këtë barrë të rëndë. Në nivel makro, panorama është më e qartë, me ndaljen e kësaj ‘rrote’ mënjëherë krijohet një ‘gropë’ në PBB-në e vendit tonë”, thotë Mala.


Industria e këpucëve dhe fasonëve

Sipas të dhënave të INSTAT, industria e lëkurës dhe prodhimit të këpucëve gjeneron për ekonominë 18 milionë euro të ardhura në muaj. Ekspertët e kësaj industrie shprehen se humbjet llogariten të arrijë rreth 60 deri 70%, apo rreth 13 milionë euro në muaj.

Donika Mici, përfaqësuesja e kompanisë të prodhimit të këpucëve, “Donianna” tha për “Monitor” se aktualisht, kur situata paraqitet e përkeqësuar në vend, dhe në kushtet e shpalljes të pandemisë botërore, fabrikat e prodhimit të këpucëve mund të mbyllen. Zonja Mici shpjegon se pas përkeqësimit të situatës në Itali, menjëherë iu kërkoi punonjësve të cilët kishin kontakte fizike me shtetas në këtë vend, si dhe kush nuk ndihej mirë fizikisht, apo në gjendje ankthi të mos paraqitej në punë. “Sipas urdhrit të qeverisë, nga e premtja deri të hënën, fabrikat janë mbyllur.

Nga e hëna do të nisë edhe forcimi i masave mbrojtëse, sipas udhëzimeve të dhëna nga institucionet shtetërore. Pas marrjes të masave që kam në dorë, fabrikat do të mbyllen. Kjo pasi nuk është e sigurt ardhja e punonjësve në fabrikë, ku shumë prej tyre vijnë me autobusë, të cilat janë të mbipopulluar, apo mund të jenë në kontakte me njerëz të sëmurë. Pra e gjithë kjo situatë dhe mënyra sesi përhapet virusi të krijon pasiguri, çka unë preferoj më shumë që punonjësit t’i dërgoj në shtëpi, sesa t’i mbaj në fabrikë. Jam shumë drastike në këtë drejtim, pasi më shumë më intereson shëndeti dhe jeta e punonjësve”, – shprehet Mici.

Lexo edhe :  A bëni pjesë në listë? Njihuni me shenjat e horoskopit që do të dashurohen këtë pranverë

Përfaqësuesja e kompanisë “Donianna” shprehet se efektet u ndien që në hapat e parë të përhapjes të virusit në Itali. “Blerjet kanë ndaluar, shumë shtete do të izolohen, çka do të sjellë që të mos prodhojnë, pasi nuk kanë treg shitje. Nuk del asnjë njeri në rrugë të marrë porosi, nuk del njeri në rrugë të shesë. Është një krizë globale dhe përpara aktivitetit ekonomik, unë dhe punonjësit e mi preferoj të jetoj. Fillimisht nuk dimë se si do të na shkojë jeta, dhe pak na intereson vazhdimi i punës.

Kjo është lufta e tretë botërore, që shkatërron ekonominë dhe shëndetin e njerëzve. Parashikoj që gjithçka do të nisë nga zero, si pas luftës të Dytë Botërore. Ajo çka më shqetëson më shumë në këto momente, është që të dalim nga kjo luftë pa numër të lartë viktimash. Pritet që kjo situatë të zgjasë deri në qershor në Itali, çka do të ndikojë edhe në vendin tonë. Pra, ky 6-mujor do të jetë katastrofik”, shprehet zonja Mici.

Sektori i tekstileve e këpucëve nuk është aq i rëndësishëm për qarkullimin vjetor, sesa për të punësuarit, që janë përgjithësisht të shtresave të ulëta. Në total, sipas INSTAT, zyrtarisht ka rreth 55 mijë të punësuar në industrinë e tekstileve e këpucëve, por numri është më i lartë dhe për shkak të punësimit indirekt (shumë shtëpiake p.sh., qepin faqet e këpucëve, apo shërbime të tjera).

Bizneset e Call-Center rrezikojnë të falimentojnë

Për shkak se grumbullimet masive duhet të shmangen në këtë periudhë që po qarkullon koronavirusi, bizneset e call center rrezikojnë falimentin. Agron Shehaj, pionier i call center në Shqipëri, ka pohuar se bizneset e këtij sektori rrezikojnë të falimentojnë, për shkak të situatës. Ai tha se dëmi është i pallogaritshëm, duke pohuar se do të ketë një seri të pashmangshme falimentesh. Vetë Shehaj ka zgjedhur që për kompanitë ku është aksioner, të zbatojë punën nga shtëpia, pasi jeta e gjithsecilit është më e rëndësishme.

Italia, burimi kryesor i punës për call center me Shqipërinë, është tashmë në karantinë, ndërsa në Shqipëri, virusi është në ditët e para të përhapjes së tij. Autoritetet shëndetësore në vend kanë këshilluar që të shmangen grumbullimet e mëdha, me sugjerime të tilla si grumbullime familjare p.sh., dasmat dhe funeralet. Bizneset e call center dhe fasonit janë të parat që do të shpërbëhen në një situatë edhe më të agravuar.

Teksa qeveria italiane ka marrë masa që të kompensojë humbjet që u vijnë bizneseve nga kjo situatë, Shqipëria nuk ka mundësi financiare të tilla. Shpenzimet publike shqiptare janë të pamjaftueshme për të mbuluar as nevojat elementare të spitaleve për të përballuar flukset, por të kompensuar bizneset dhe popullsinë në karantinë as që bëhet fjalë.

Gjatë vitit të kaluar, operonin 659 biznese si call center. Sektori njohu një zgjerim të shpejtë ku, nga 382 ndërmarrje që vepronin në 2011, numri i tyre kërceu në 848 në vitin 2015, ku është regjistruar edhe numri më i lartë në vend. Bashkë me rritjen në numër, u rrit edhe pesha e punësimit të sektorit në ekonomi, duke u bërë shpëtimtar i shumë të rinjve, që po arrinin të siguronin paga mbi mesataren e tregut të punës në Shqipëri.

Sipas të dhënave që i takojnë 6-mujorit të parë të vitit 2019, në call center punonin 22,266 individë, nga 25 mijë të punësuar që punësonte i gjithë sektori në periudhën 2015-2016, duke shënuar një rënie me 11%. E parë në përqindje, rënia ka qenë më e madhe te bizneset, të cilat për të njëjtën periudhë u mbyllën me një ritëm më të shpejtë se sa numri i të punësuarve.

Aktorët e tregut shpjegojnë se një pjesë e call center të mbyllur ishin qendra të vogla me pak të punësuar. Rënia e sektorit call center vitet e fundit u nxit nga masat shtrënguese që mori qeveria italiane për veprimtaritë call center jashtë shtetit italian, duke aplikuar gjoba të rënda për shkeljen e tyre.

Sektorët e tjerë që preken

Ky trend apo kurbë në rritje e krizës, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ka detyruar gjithë faktorët dhe aktorët ekonomikë vendas të zbresin me këmbë në tokë dhe të analizojnë me kujdes dhe jo pa shqetësim se çfarë do të thotë për ekonominë shqiptare gjendja e vështirë e brendshme dhe globale që lidhet me koronavirusin.

Ngjarjet dramatike me Italinë fqinje dhe ndërvarësia ekonomike që kemi me këtë shtet fqinjë apo edhe shtete të tjera si Greqia (ku janë shënuar edhe atje viktimat e para) apo më tej akoma deri në Kinë, kanë futur në karantinë edhe ekonominë tonë. E ndërsa Bankat Qendrore të qeverive të fuqishme botërore si ajo e SHBA-së, Britanisë së Madhe apo edhe Banka Qendrore Europiane po injektojnë shifra shumë të mëdha parash në treg për të zbutur efektin e krizës, ne do të presim mbledhjen e radhës të institucionit qendror bankar që të mësojmë nëse do të ketë masa efektive dhe konkrete të përfshirjes të këtij institucioni qendror financiar për lehtësimin e ekonomisë shqiptare.

Një shqetësim real që ka ndjekur të gjitha ekonomitë e mëdha të prekura nga virusi vdekjeprurës është aftësia e vetë sistemit shtetëror, apo edhe bankar, për të garantuar likuiditet normal në një situatë të jashtëzakonshme të ngjashëm me luftën me një armik të padukshëm. Që do të thotë shqetësim mbi pagesat në kohë dhe pa kaos të pensioneve, pagave, kompensimet e lejeve të lindjes në kohë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, apo shlyerjen e pagesave të aftësisë së kufizuar.

Po kështu do të vihen në pikëpyetje primet e kompanive të sigurimit dhe në çështje kohe, ndoshta të diskutohet nëse kompanitë e sigurimeve do të shtyjnë afatet e pagesave të sigurimeve pa dallim, nëse kanë të bëjnë me automjetet, me shtëpitë etj., në një situatë të pazakontë e të paparashikuar në kohëzgjatjen e ndalimit të lëvizjes dhe punës nga qeveria për shkak të koronavirusit.

Edhe nëse kalohet faza aktuale e karantinës ekonomike dhe shoqërore nuk mund të neglizhohen problemet që do të lindin me rinisjen e motorëve të ekonomisë tonë, pasi po të marrim vetëm sektorin e fasonerisë, që për specifikën e vet ka me qindra apo edhe mijëra punëtorë bashkë, askush nuk siguron se asnjë prej tyre nuk do të preket me koronavirus, që e njëjta forcë punëtore nuk do vetëkarantinohej e që do ishte solide dhe pa probleme për veten dhe kompaninë për t’u rifutur në prodhim me të njëjtën eficencë si më parë.

Të gjitha këto nëse nuk do të ketë shkurtime të porosive nga Italia apo Greqia e me radhë. Pikëpyetje të mëdha, serioze që do të kërkojnë përgjigje si nga institucionet financiare, ashtu edhe nga institucionet fiskale, tatimore, shtetërore etj./Monitor.al

Të fundit

Investimet e huaja/ Rama projekton rritje me 4 miliardë dollarë

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, e sheh dialogun mes qeverisë dhe...

Dosja “5 D”/ Korrupsion dhe shpërdorim detyre, SPAK  lëshon 9 masa sigurie

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dha detaje për arrestimin e 9 personave, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës nën...

Horoskopi për ditën e sotme, 29 Mars 2024

Dashi Mund të keni bërë shumë shpenzime në të kaluarën dhe tashmë mund t’ju duhet të përballeni me pasojat. Si rezultat, mund ta gjeni veten...

“U largova nga futbolli pasi nuk e njihja më”,Klose: Të rinjtë e kanë mendjen tek makinat

Miroslav Klose është një nga ata që ka shkruar historinë me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, por edhe Bayern Munich. I tërhequr nga futbolli...

Lajme të tjera

Web TV