Në Serbi numri i të prekurve nga koronavirusi ka shkuar në 46. Sipas Zlatibor Lonçar, ministrit serb të Shëndetësisë, tre nga pesë të infektuarit janë lëshuar në shtëpi, ndërsa dy qëndruan në spital dhe gjendja e tyre ishte e qëndrueshme.
Më herët, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se ai nuk e përjashton mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend për shkak të epidemisë.
Vuçiç saktësoi se qytetarët nuk duhet të shqetësohen për produktet themelore ushqimore, duke deklaruar se ka rezerva të mjaftueshme për një vit.
Vuçiç: Konsumojmë 100,000 ton miell çdo muaj, dhe kemi një milion ton rezervë. Gjithashtu, nuk ka asnjë problem me ushqimet e tjera, vajin dhe sheqerin. Me vendim qeverie kemi ndaluar eksportimin e produkteve ushqimore bazë dhe dezinfektuesve për të paktën 30 ditë. Askush nuk do të mbetet i uritur, ne kemi rezerva themelore të ushqimit për një vit, dhe shteti do të ndihmojë në pagimin e një pjese të pagave të punonjësve në kompanitë më të rrezikuara. Shteti është financiarisht i qëndrueshëm dhe ka 13.5 miliardë euro rezerva të huaja.
Ai u bëri thirrje pensionistëve, si grupi më i prekshëm, të mos dalin në rrugë.
Vuçiç: Unë kërkoj nga qytetarët tanë më të vjetër që të mos dalin në rrugë, u kërkoj njerëzve nga qendrat e gerontologjisë të mos i lënë pensionistët të shkojnë në dyqane, të rinjtë tu dërgojnë atë që u nevojitet. Pensionistë, Zoti na ruajt, qëndroni në shtëpi, ne do të gjejmë një mënyrë për të ofruar ushqim dhe gjithçka që ju nevojitet.