Ja si do ta ndryshojë koronavirusi gjithë ekzistencën tonë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Olga Tokarczuk “Corriere Della Sera”/ Nga dritarja ime shoh një pemë mani të bardhë. Është një pemë që më magjeps, dhe qe një nga arsyet pse u transferova këtu. Mani është një bimë bujare. Përgjatë pranverës dhe verës, ushqen dhjetëra familje zogjsh me frutat e tij të ëmbëla dhe të shëndetshme.

Por tani pema e manit nuk ka gjethe. Ndaj unë mund të shoh nga dritarja një pjesë të rrugës së heshtur, ku dikush kalon shumë rrallë, duke ecur për tek parku. Në Vrosllav është praktikisht verë. Një diell verbues shkëlqen, qielli është blu, dhe ajri është i pastër.

Sot, gjatë shëtitjes së zakonshme me qenin tim, pashë 2 laraska që po përzinin një buf nga foleja e tij. Unë dhe bufi pamë njëri-tjetrin, nga më pak se një metër larg. Kam përshtypjen se edhe kafshët janë duke pritur atë që do të ndodhë.

Për mua, bota e kishte tepruar prej kohësh. Po ecte shumë shpejt, ishte bërë tepër e zhurmshme. Prandaj, unë nuk vuaj nga “trauma e izolimit”, dhe as nga të mos qenit në gjendje të takoj askënd. Nuk ma ndjen që kinematë janë mbyllur, dhe jam tërësisht indiferente që qendrat tregtare nuk funksionojnë.

Ndoshta vetëm nëse mendoj për të gjithë ata që kanë humbur  punën e tyre në këtë periudhë. Kur dëgjova për karantinën si një mjet parandalimi të përhapjes së pandemisë, ndjeva një lloj lehtësimi. Dhe e di që shumë të tjerë ndihen kështu, megjithëse u vjen turp ta thonë.

Qenia ime introverse, e imponuar dhe e keqtrajtuar nga diktatet e tipave ekstroversë dhe hiperaktive, nisi të rigjallërohej.

Nga dritarja ime shoh fqinjin tim, një avokat në profesion. Si gjithmonë ai ishte shumë i zënë. Vetëm pak kohë më pare, e shihja të dilte përditë herët në mëngjes, për të shkuar në gjykatë me togën e tij të zezë të hedhur krahëve.

Tani është i veshur me një palë tuta sportive të gjera, dhe po përpiqet të thyente një degë në kopshtin e tij. Ndoshta ka nisur të pastrojë. Ndërkohë, shoh disa djem të rinj që shëtisin një qen të plakur, i cili nuk ecën që kur hyri dimri i fundit.

Qeni zvarrit këmbët, por ata të durueshëm, e mbajnë atë të shoqëruar, duke ia ngadalësuar hapin sa më shumë që të jetë e mundur. Kamioni i plehrave mbledh duke bërë zhurmë qeset me mbeturina. Jeta vazhdon, por me një ritëm krejt tjetër.

Sistemova dollapin e rrobave, dhe hodha në kosh gazetat që i kisha lexuar tashmë. Mbolla disa lule. Shkova mora biçikletën tek tekniku. Gatimi më lumturon. Më kthehen në mendje kujtimet e fëmijërisë, kur kisha shumë më tepër kohë, kur kisha luksin që ta “humbja” atë, duke parë për orë të tëra nga dritarja, duke vëzhguar milingonat, duke qëndruar nën tryezë, dhe duke imagjinuar se ajo ishte një arkë.

Ose duke lexuar një enciklopedi. Mos ndoshta jemi kthyer në ritmin normal të jetës? Mos vallë është virusi tërheqja e përgjithshme, apo krejt e kundërta, që bota e ethshme para virusit ishte anormale? Në fund të fundit virusi na kujtoi diçka që e kemi mohuar me pasion, që jemi qenie të brishta, të krijuara nga një materie delikate.

Që vdesim dhe jemi të vdekshëm. Që nuk jemi të ndarë nga bota me “humanitetin tonë” dhe veçantinë, por bota është pjesë e një rrjeti të madh të cilit i përkasim, që na lidh me qenie të tjera përmes një filli të padukshëm përgjegjësie dhe ndikimi.

Që varemi vetëm nga vetja jonë, është po aq larg sa të thuash është vendi nga ku vijmë, gjuha që flasim apo ngjyra e lëkurës sonë. Sidoqoftë ne sëmuremi, gjithësesi kemi frikë, gjithsesi vdesim. Na ka bërë të kuptojmë se pavarësisht se sa të dobët dhe të pambrojtur ndjehemi përballë rreziqeve, përreth nesh ka njerëz më të dobët, që kanë nevojë për ndihmë.

Lexo edhe :  Një palë pranga për "t’i lidhur" duart Greqisë

Na ka kujtuar se sa delikatë janë prindërit tanë të moshuar dhe gjyshërit, dhe se sa duhet të kujdesemi për ta. Na ka treguar se sa lëvizshmëria jonë frenetike, vë në rrezik botën. Dhe na ka imponuar atë pyetje që rrallë kemi pasur kurajo t’ia bëjmë vetes:çfarë kërkojmë realisht?

Frika përballë sëmundjes, na bëri të kthehemi pas nga ajo rrugë kotike, dhe na detyroi të kujtojmë ekzistencën e folesë nga e cila vijmë, dhe që na bën të ndjehemi të sigurt. Edhe sikur të ishim ata udhëtarët e jashtëzakonshëm, në një situatë të tillë, prapë do të kërkonim strehim në një shtëpi.

Ne këtë situate, kanë dalë në pah disa të vërteta të trishtueshme, që në kohë rreziku, mendimi i kthehet kategorive të mbyllura dhe ekskluzive të kombeve dhe kufijve. Në këtë moment të vështirë, doli në pah se sa e dobët është në praktikë ideja e bashkësisë evropiane.

Faktikisht, unioni ka hequr dorë nga loja në tavolinë, dhe ka lejuar që vendimet e marra në kohë krizash, t’i marrin vete shtetet kombëtare. Mendoj se me mbylljen e kufijve, që është dhe një nga humbjet më të mëdha në këto kohë të keqija, janë rikthyer egoizmat e vjetër dhe ndasitë “ne” dhe “ata”, kundër të cilave ne kemi luftuar vitet e fundit me shpresën se nuk do të ngacmonin më mendimet tona.

Frika përballë virusit, riktheu automatikisht konceptet e vjetra më banale, që fajtorët janë të tjerët dhe që ata nga diku gjetkë, sjellin rrezikun. Në Evropë virusi ka ardhur “nga”, nuk është i joni, është i huaj. Në Poloni, të gjithë ata që u kthyen nga jashtë u bënë të dyshuar.

Vala e dhunshme e mbylljes së kufijve, radhët monstruoze në vendkalimet kufitare me siguri për shumë të rinj kanë qenë shokuese. Na e kujton virusi:kufijtë ekzistojnë dhe janë në rregull. Ne gjithashtu e dimë që virusi shpejt do të na kujtojë një të vërtetë tjetër të vjetër, se sa realisht nuk jemi të barabartë.

Disa prej nesh udhëtojnë me avion privat drejt shtëpisë që kanë në një ishull, ose qëndrojnë të izoluar në një pyll. Të tjerët mbeten në qytet, duke punuar për një termocentral apo një ujësjellës. Shumë të tjerë rrezikojnë shëndetin, duke punuar në një ushqimore po në spital.

Disa do të fitojnë para në kohën e epidemissë, të tjerët do të humbasin kursimet e një jete të tërë. Kur kriza vjen, kompromenton ato rregulla që na dukeshin të qëndrueshme, shumë vende nuk do të jenë në gjendje ta menaxhojnë, dhe përballë dekompozimit të tyre do të rizgjohen rende të reja, siç ndodh shpesh pas krizave.

Qëndrojmë në shtëpi, lexojmë libra dhe shohim seriale në televizion, por në fakt po përgatitemi për betejën e madhe, për një realitet të ri të cilin as nuk jemi në gjendje ta imagjinojmë, duke kuptuar dalëngadalë, se tashmë asgjë nuk do te jetë më si më parë.

Situata e karantinës së detyruar dhe karantinimi i familjes në shtëpi, ndoshta mund të na bëjë të kuptojmë diçka që nuk do të duam ta pranojmë aspak, që familja na lodh, që lidhjet martesore nuk funksionojnë prej kohësh.

Fëmijët tanë, do të dalin nga karantina të ndërvarur nga interneti, dhe shumë prej nesh do të kuptojnë kotësinë dhe sterilitetin e situatës, në të cilën mbeten të bllokuar mekanikisht dhe për inerci.

Çfarë të thuash nëse do të rritet numri i vrasjeve, vetëvrasjeve dhe sëmundjeve mendore? Para syve tanë sfumohet  si mjegulla në diell, paradigma e qytetërimit që na ka dhënë formë gjatë 200 vjetëve të fundit: që jemi zotër të krijimit, mundemi për gjithçka, dhe bota na përket ne. Kohë të reja po vijnë.

Shënim: Olga Tokarczuk, shkrimtare polake, fituese e Çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2019. Përshtati nga Corriere della Sera për Fjala.al, S. Tresa

Të fundit

Kandidimi i Belerit në Himarë/Minxhozi:Qëllimi për të prishur marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

Analisti Skënder Minxhozi foli për marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë. Minxhozi deklaroi në emisionin “Real Story” në ABC News, se...

Natasha e TikTok dhe djali i saj rikthehen në burg, akuzohen për keqtrajtim të të miturit

Gjykata e Apelit të Kuçovës ka vendosur të lërë në fuqi masën arrest në burg ndaj, Armando Kumarakut dhe Natasha Romblas, e njohur edhe...

Më shumë para në pleqëri? Shumë e thjeshtë

Nëse je i ri dhe sapo ke nisur të punosh, me shumë gjasa periudha e pensionit të duket shumë e largët. Të kesh disa mijëra...

I dënuar për shpërdorim detyre, lirohet nga burgu ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit

Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci, i dënuar me shpërdorim detyre së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij Durim Margjekaj dhe...

Kanadaja kalon 40 milionë banorë, “mbipopullimi” shkakton probleme

Kanadaja është vendosur të arrijë një rekord prej 40.77 milionë njerëz në vitin 2023, falë kryesisht imigrimit të përkohshëm, dhe rritja e popullsisë nuk...

Lajme të tjera

Web TV