Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga diaspora që ta ndihmojnë qeverinë me mjete financiare, për të luftuar koronavirusin në Kosovë.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti ka njoftuar se qeveria ka hapur një llogari të posaçme, dedikuar menaxhimit të pandemisë.
Sipas tij, të gjitha mjetet do të shkojnë në mbështetje të të gjitha aktiviteteve të ministrive, të cilat kanë nevojë financiare shtesë për ta zvogëluar ndikimin e pandemisë në sektorin e caktuar.
“Të dashur bashkatdhetarë, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet vendi ynë, ju bëj thirrje që edhe këtë herë të bëheni pjesë e solidaritetit, ndoshta më shumë se kurdoherë më parë, dhe të na ndihmoni në luftën kundër COVID-19.
E kemi parasysh që pandemia ju ka prekur edhe juve në mërgatë, e edhe të afërmit tuaj në Kosovë. Mirëpo, si gjithnjë, kur kemi qëndruar së bashku, edhe këtë herë do t’ia dalim së bashku”, është shprehur Kurti.
Në Kosovë aktualisht janë të infektuar 283 persona me koronavirus, 58 janë shëruar dhe shtatë kanë ndërruar jetë.
Autoritetet kanë ndërmarrë disa masa për frenimin e përhapjes së sëmundjes, përfshirë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik dhe futjen në karantinë të Prishtinës.