Ashtu si gjykata e shkallës së parë edhe gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin me masën “arrest shtëpie” për ish-futbollistin e kombëtares Klodian Duro i cili u akuzua se përndoqi ish-bashkëshorten.
Duro u arrestua më 24 mars, pasi u denoncua për përndjekje dhe dhunë nga ish-bashkëshortja. Gjyakata e Tiranës vendosi më 28 mars arrest shtëpie, ndërsa edhe Apeli ka lënë në fuqi të njëjtin vendim.
Sipas akuzës së ngritur ndaj Duros thuhet se mbrëmjen e 24 marsit, ish-lojtari i kombëtares kishte shkuar në banesën e ish-bashkëshortes së tij, në ish-Bllok ku kishte filluar të godiste derën e saj.
Ajo i ka bërë thirrje Duros që të largohet, por ai refuzoi duke bërë që ish-bashkëshortja të telefonte policinë.
Nga ana tjetër sipas avokatit të Duros, ish-futbollisti kishte shkuar te banesa për të takuar të bijën por kishte hasur në kundërshtimin e ish-bashkëshortes e cila e denoncoi për dhunë dhe përndjekje.
Tashmë Duro do të duhet ta kalojë dënimin në shtëpi, jo vetëm i karantinuar por edhe në arrest shtëpie.