Futbollisti i Montpellier, Salomon Junior Sambia është shtruar me urgjencë në reanimacion, pasi është në gjendje të rëndë për shkak të koronavirusit.
23-vjeçari ndodhet nën kujdesin intensiv të mjekëve, ndërsa ky konfirmohet si rasti i parë i një futbollisti me Covid-19 në Ligue 1. “L’Equipe” raporton se Junior Sambia ka pasur fillimisht temperaturë, ndërsa më vonë vështirësi në frymëmarrje. Lajmi në fjalë është konfirmuar edhe nga vetë klubi francez, i cili shton se lojtari po merr trajtimin e nevojshëm në spital.
“Pas problemeve të tretjes dhe frymëmarrjes një nga lojtarët tanë është shtruar në një mjedis të specializuar, (spital), për të përfituar nga kujdesi i duhur shëndetësor”-thuhet në reagimin e Montpellier.
Sambia është bashkuar me skuadrën e Montpellier në verën e vitit 2017 dhe aktivizohet më shumë si zëvendësues. Në të gjitha garat futbollistike në Francë ai ka zhvilluar 22 ndeshje, duke shënuar një gol e dhënë një asist.
Ndërsa një lajm i tillë nuk është aspak i mirë për futbollin francez, i cili ashtu si çdo kampionat tjetër duhet të përgatitet për të filluar, pasi afati i fundit i lënë në dispozicion nga UEFA për përfundimin e sezonit është data 3 gusht. Përndryshe ashtu si Belgjika e Holanda edhe Franca do të duhej të mbyllte kampionatin që në këto momente./Fjala.al/Katerina Tafa/