Bundesliga gjermane nuk e ka marrë ende lejen e politikës për të rikthyer futbollistët e saj në fushë, një vendim që pritej shpejt por është shtyrë, e rrjedhimisht edhe ristarti. Kampionati gjerman nuk do të rifillojë të paktën deri datë 16 maj, duke qenë se data për të marrë vendimin në lidhje me fatin e sezonit aktual është shtyrë për të mërkurën e ardhshme.
Pavarësisht se koronavirusi është prezent akoma në thuajse të gjithë landet, kishte shpresa që kampionati gjerman do të fillonte në datë 9 maj, por vendimi është shtyrë të paktën deri datë 16 maj. Klubet janë rikthyer në stërvitje me shpresën për të luajtur të shtunën e ardhshme, mirëpo këto shpresa u shuan teksa vendi ka menduar të shtrëngojë masat e parandalimit të efektit të mëtejshëm të koronavirusit. Por ka diçka të re.
Kanë nisur këtë fundjavë testet për thuajse të gjithë ekipet, me nga dy tamponë në pak ditë, për të reduktuar numrin e të prekurve të mundshëm mes lojtarëve dhe stafit. Pas rezultateve do të nisin stërvitjet në grup.
U testua edhe siguria për zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë e tani skuadrat e Bundesligës shpresojnë se me rihapjen e parqeve, dhe muzeve, do të nisë dhe kampionati. Liga është e ndalur që nga 13 Marsi dhe deri në fundin e saj, mungojnë 9 ndeshje./ Fjala.al