Vrasja e Qemal Stafës, fakte dhe dëshmi që si keni dëgjuar me parë

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Sot është 5 Maji, dita e dëshmorëve të atdheut. Një ditë nderimi dhe kujtimi për ata që kanë dhënë jetën për Shqipërinë. Ndonëse shpesh ka marrë trajtë si një ditë komuniste, kjo datë lidhet me vrasjen më 5 maj të vitit 1942 të Qemal Stafës, një të riu komunist dhe një idealist, i cili ishte vetëm 22 vjeç kur u qëllua për vdekje. Ndonëse kanë kaluar 78 vjet nga ajo ngjarje në Tiranë, edhe sot vijojnë komentet, debatet, hamendësimet dhe versionet për autorët dhe shkaqet e vrasjes. Gazeta “Fjala” sjell sot në mënyrë ekskluzive pjesë nga libri i gazetarit Roland Qafoku “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, duke dhënë fakte, mistere dhe dëshmi mjaft interesante lidhur me këtë ngjarje.

Qemal Stafa është nga të rrallët komunistë emri i të cilit nuk mbart asnjë ngarkesë negative në çdo kohë. Ai mbeti i njëjti idealist deri 5 majin e vitit 1942 kur u vra i rrethuar nga 200 milicë në një shtëpi në Tiranë duke shkëmbyer zjarr me ta, duke u bërë simbol i rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe duke e kthyer ditën e vrasjes së tij në ditën e kujtimit të të gjithë dëshmorëve të atdheut.

SKENA E VRASJES

I rrethuar nga 200 milicë dhe me një pistoletë dhe dy bomba në dorë, Qemal Stafa në ato momente kishte dy rrugë: ose të arratisej, ose të vritej. Kishte shumë pak mundësi me të parën, rrjedhimisht ndodhi e dyta. Ishte ora 09:35 kur baza në Tiranë ku strehoheshin ai dhe 6 persona të tjerë u zbulua dhe të gjithë dolën nga prapa banesës më synimin për t’u larguar. I pari kishte dalë nga shtëpia Isuf Keçi për të marrë disa materiale, por kur u kthye gjithë lagjja ishte me policë dhe shtëpia ishte e rrethuar.

Skica e momentit te vrasjes se Qemal Stafes. (Piktori Gjergj Diko per librin 100 vrasjet

I dyti kishte dalë Beqir Minxhozi, por befas ai ishte arrestuar. Në xhep i kishin gjetur kontratën e shtëpisë që kishte marrë më qira dhe emrat e atyre që strehoheshin. Bashkë me të arrestuarin policia arriti të gjejë shtëpinë dhe e rrethoi atë. Sapo nisi beteja mes tij dhe milicëve ai u plagos dy herë në këmbë. Ashtu çalë-çalë rendi të largohej nga pas shtëpisë ku terreni ishte i hapur me disa ara. Arriti të kalonte tri prej tyre, por në këtë moment u gjet nën breshërinë e plumbave të milicisë të cilat i shkaktuan vdekjen. Menjëherë pas vrasjes makinat daktilografiste në polici punuan pa pushim. Në njoftimin që kuestori Pandeli Papalilo i dërgonte menjëherë pas ngjarjes Zyrës Mbretërore të Policisë dhe Kuesturës së Tiranës shkruhej:

“Rreth orës 14 të datës së sotme, gjatë një operacioni të papritur në një shtëpi që ndodhet në rrugën Lumi, në afërsi të kolegjit muhamedan (medresesë)… agjentët kanë hasur në rezistencë nga ana e disa personave që u orvatën të iknin për t’i shpëtuar arrestimit. Janë hedhur kundër agjentave tri bomba dore të gjithë eksplodonjëse.. dhe janë zbrazur shumë fishenjë revolver… Agjentat janë përgjigjur me armë duke vrarë komunistin Qemal Stafa, i të ndjerit Hasan dhe Sabire, lindur në Elbasan më 12.9.1921, student”. (AQSH, Fondi 555, Viti 1940, Dosja 44/g, f. 37).

Vrasja e Qemal Stafës e shokoi Partinë Komuniste. Kjo ishte humba më e rëndë e e saj që nga themelimi. 7 ditë pas vrasjes Partia Komuniste nxori traktin në të cilin mes të tjerave jepte variantin e saj.

“Në Tiranë, në shtëpinë ku banonte bashkë me shokë të tjerë lufte Qemali u gjend i rrethuar nga agjentët shpirtkazëm të barbarëve fashistë. Qemali i përcolli me të shpejtë shokët nga një anë e shtëpisë dhe vetë qëndroi që t’u lejonte shokëve të largoheshin sa më parë. Kur agjentët u afruan mjaft me bombat në njërën dorë dhe me revolen në dorën tjetër hapi zjarr duke shtrirë dy prej tyre të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur rëndë. Me këtë mënyrë e çau rrethimin, doli jashtë dhe iku duke luftuar me agjentët e tjerë që po e ndiqnin. Por në një luftë ineguale një plumb tradhtari e mori Qemalin sydragua. Pak nga pak plaga iu ftoh, fuqitë iu prenë dhe ra në tokë.”

Qemal Stafa

Me nota të fryra heroike komunistët zbuluan te viktima një motiv për t’u mbajtur fort. Trakti mbyllet me një episod që jo vetëm pak besohet sot, por të bën të qeshësh.

“Kur pa se afroheshin, shoku Qemal i mblodhi forcat që i kishin mbetur dhe thirri me sa fuqi pati: Rroftë Shqipëria e lirë demokratike! Rroftë komunizmi dhe shoku Stalin! Vdekje egërsirës fashiste!” Thirrje dhe trakte të PKSH, 1941-1944, Tiranë 1962, f. 44-45.

SI NDODHI RRETHIMI DHE VRASJA

Deri në orën 08:00 të 5 majit në banesën ilegale të marrë me qira ndodheshin 7 persona: Qemal Stafa, Kristo Themelko, Beqir Minxhozi, Isuf Keci, Drita Kosturi, Gjystina Sata dhe Marie Lezha. Dëshmitë më të rëndësishme të kësaj ngjarjeje janë të dy dëshmitarëve okulare, Drita Kosturit dhe Gjystina Sata. Të dyja vajzat e reja ndodheshin në atë shtëpi si komuniste ndërkohë u bënë dëshmitare të njërës prej vrasjeve më të bujshme në Shqipëri, jo vetëm të asaj kohe. Kosturi e jep kështu versionin e saj:

“Qemal qenkemi rrethu, i them dhe shikoj krejt rrethimin. Shulja, (Kristo Themelko), i fortë fizikisht, del nga prapa shtëpisë, i bie banjës me grusht. I pari kërcen Qemali. Kërcyen këto dy vajzat Gjystina me gjithë Marien. Unë mbetem e fundit po mblidhja ca letra me hangër ndonjë gjë, ndonjë letër, kur mbërritën. Mua më kapën të fundit. Kur dola unë e fundit, Qemali mori rrugën djathtas, Shulja mori majtas. Më arrestojnë dhe më çojnë në kuesturë. Aty ku është sot Shkolla e Kuqe. Më datën 6, të nesërmen, më pyesin të lidh gjë ty me Qemal Stafën? Po i thashë, më lidh. Jam e fejuemja e tij. A e din që e kanë vra? U thashë se mund ta kenë vra. A ke qenë aty kur u vra? Jo nuk e kam parë. Sikur ta shofësh, e njeh? E njoh, ta shof. Më marrin në makinë më çojnë në spital. Nuk më lanë me e pa. Më treguan vetëm gjyslyket. I njeh këto gjyslyke më tha. Po i thashë, janë të Qemalit.” (Opinion, 5 maj 2014).

Gjystina Sata, (Flora Dishnica) jep pak a shumë të njëjtën situatë si Kosturi në dëshminë e saj.

“Beqiri (Minxhozi) doli në mëngjes për të psonisur. Ndërkohë ne ishim duke pritur. Prit Beqir e s’ka. Kur nga ora 1.(pasdite) hapëm perden për të parë shofim Beqirin që vjen me një tufë me policë, mes tyre ishte edhe një Gëzim i famshëm, spiun i SIM-it. Beqiri ishte i arrestuar, i lidhur. Them shpejt Qemal. Drita e shkretë u bë copë edhe ajo. Shulja që kishte ardhur në mëngjes kontrolloi xhaketën nëse kishte letra me emra shokësh. M’i dha mua dhe Maries dhe ne fut në gojë dhe Qemali thotë të marrim çfarë kemi. Mori revolverin e vet, nja dy bomba çfarë ishin aty. Në këtë minutë nuk po shihnim Shulen. Ku është Shulja, tha Qemali. Kërko nëpër shtëpi, hiç. Shulja kishte haur prapa banjon, ne nuk e dinim, por Shulja e dinte. Ishte me dërrasa. Shpërtheu dërrasat dhe iku. Iku pa marrë, mirë ne, punë e madhe puna jonë, por Qemalin. Duhet ta kishte marrë Qemalin me vete. Në këtë kohë dalim ne. Drita thotë shpejt dilni. I pari Qemali, Maria dhe unë. Pa kaluar arën e parë na bie në këmbë një bombë. Ne menduam se bombën e kishin hedhur këta që na erdhën. Bombën e kishte hedhur Shulja. Shulja me demek hedh bombën për të kriju gjurulldi Ajo bombë u bë shkak që erdhën ata nga prapa. Nga bomba ne u lamë në gjak. Jo ndonjë plagosje e madhe, por nga ciflat. Qemali përpara, ne prapa, kemi kaluar tre ara. Në këtë moment që ra bomba kthyem kokën prapa, dolën ato dhe Drita u kap. Na kapën edhe ne. Qemali qëllon me revolverin dhe plagos një nga këta në dorë. Bërtiti ai “Mama mia”, dhe këta qëlluan Qemalin. Edhe ai u plagos, por në dorë. Ne sa kishim fuqi bërtitëm “ik Qemal, ik Qemal”, ai na pa ne që na kapën dhe vazhdoi të ikte. Iku na shpëtoi nga sytë dhe ne nuk e pamë të vrarë. Një javë kemi ndenjur pa hangër nga mërzia e madhe. 10 ditë nuk na dhanë me hangër asgjë. Domethënë u bëmë kockë e lëkurë.” (Intervistë nga  Beti Njuma në në Ekskluzive në Top Channel)

Qemal Stafa gjate studimeve

VERSIONI I VETËVRASJES

Vetëvrasja e Qemal Stafës për herë të parë është përmendur vetëm pas rrëzimit të regjimit komunist. Ishte çmenduri që dikush të dilte kundër versionit zyrtar. Këtë version e jep Drita Kosturi. Ndonëse jo shumë besues si version, Kosturi i referohet një personi të cilit i ka dhënë vetëm inicialet dhe që sipas Kosturit ka qenë një fshatar që ka kaluar rastësisht aty dhe ka takuar Qemal Stafën dhe ka parë skenën. Gjithnjë sipas Kosturit, ai ia ka rrëfyer këtë të fshehtë të madhe pas vitit 1990. Kosturi rrëfen atë që i ka thënë anonimi:

“Dëshmitari i vetëm i atij çasti tragjik, fatkeqësisht ka mbetur për gjithë këto vite anonim. Madje vetëm vonë prezenca e tij është pranuar zyrtarisht. Ishte një fshatar tiranas, Y.B., që po ndiqte rrugën më të shkurtër për të mbërritur në qytet. Fshatari dhe djali me revole në dorë janë takuar përballë fare pranë, buzës së lumit. Ndjekësit ishin pas dhe ndihej qartë prania e tyre. Qemali ishte i plagosur. Nuk mund të ecte më. Kishte në dorë revolverin Smithson me dy fishekë. Fshatari ndaloi dhe i bindur që ishte një person i rezistencës i propozoi të ndërronin rrobat bashkë. Djali nuk pranoi. Pa dhënë më shumë shpjegime, zbrazi plumbin e fundit mbi trupin e tij. Madje, pa i lënë tjetrit asnjë amanet”. Revista “Klan”, 17 maj 1998.

E fejuara e tij, Drita Kosturi, e komenton kështu këtë version.

“Qemali vrau veten. Unë e mësova që atë ditë, kur më treguan gjyslyket e tij dhe më çuan në morg. Ata që qëndronin atje flisnin hapur për atë që kishte ndodhur. Ishte i plagosur dhe dy plumbat e fundit i kishte ruajtur për veten. Kur e gjetën, në pistoletë kishte ende një plumb. Unë nuk e kam thënë kurrë këtë, sepse për ngjarjen qe pranuar një version zyrtar”. Opinion Klan

Por dëshmitarja tjetër që ishte bashkë me Kosturin aty, Gjystina, Flora Dishnica nuk e beson këtë version.

“Gjë të sigurt nuk mund të thuash se duhet të kesh fakte”.

Qemal Stafa 1940, foto orgjinale e pasaportes

KUSH E SPIUNOI BAZËN KU FSHIHEJ QEMAL STAFA

Janë disa fakte që hedhin dyshime të forta që baza ku ishte Qemal Stafa është spiunuar. Madje nga vetë shokët e tij. Baza ku strehohej Qemal Stafa kishte tri ditë që ishte marrë me qira dhe ishte e pamundur që policia ta zbulonte kaq shpejt. Arrestimi i beftë dhe i çuditshëm i Beqir Minxhozit me të cilin policia shkoi në shtëpi dhe e rrethoi është një tjetër fakt i dyshimtë. Po cilët ishin ata që e zbuluan bazën? Tre janë personat ndaj të cilëve janë hedhur dyshime të forta për zbulimin e bazës ku strehohej Qemal Stafa: Kristo Themelko, Beqir Minxhozi dhe Enver Hoxha. Gjystina Sata është më e qartë në versionin e saj

“Ikja e Shules është shumë e dyshimtë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të ikte vetë pa marrë Qemalin me vete. Beqiri nuk duhet në asnjë mënyrë ta sillte policinë aty. Ai u justifikua që i kam shëtitur nëpër Tiranë që të na shikonin shokët dhe të vinin të na lajmëronin ne. Kjo bie në kundërshti se kjo shtëpi kishte vetëm tri ditë që ishte marrë me qira dhe ishte sekrete. Kush ishin ata shokë që do ta dinin se ku është kjo shtëpi. Në këtë kohë Beqiri ka qenë i arrestum. Darkën e kësaj nate ne mësojmë që Beqiri ishte arratisur nga Kuestura. Ne ishim dy femra, të lidhura na mbanin duart. Te këmbët kishim një krevat dhe këmbët na i kishin lidhur atje. Dyshimi i parë ishte si iku ky Beqir nga Kuestura. Unë i mësova pasi dola nga burgu se unë i kërkoja gjithmonë hesap. Justifikimi ishte se i kapën në xhep kontratën e shtëpisë. Ku e ke shtëpinë? Versioni tjetër ishte e kapën me revolver dhe e kam lejen në shtëpi. Pse t’i sillte në shtëpi ai. Të thoshte e kam pa leje dhe pikë. Në dijeni Miladini dhe Koçi Xoxe, U thashë ma shpjegoni se unë nuk e kuptoj dot. Si u bë ajo gjë? Ata u përgjigjën: Unë nuk e mendoja kurrë se ata do të bënin vrasjen e Qemalit. Kurrë nuk e kam menduar këtë. Pse Beqiri i pruri aty Ai bëri gabim që i solli dhe duhet të mos i kishte sjellë. Nuk ua mori mendja se ju mund të ishit aty. Kujtonte se i kanë parë shokët dhe ju kanë lajmëruar juve. Kurse për Shulen më thanë: Ti e di Shulja, aq ia prêt. Si pra aq ia preu? Të lërë shokun e ngushtë aty?

Lexo edhe :  Pandemia në 10 muaj, vaksina dhe ulja e infektimeve i jep shpresë Shqiperisë

Qemal Stafa 13 vjeç

Ndërkohë Beqir Xhepa në atë moment një djalë i ri, mik dhe korrier i Qemal Stafës, tregon debatin e të atit me Enver Hoxhën pas ngjarjes:

“Babi im, Ramazani, shkoi te dyqani Flora dhe iu drejtua Enverit: Enver, gjakun e Qemalit e kërkoj te ty, sepse e di mjaft mirë që ai është tradhëtuar nga shokët e vet”. Por Enveri iu përgjigj: Po gabohesh Ramazan.” (10 mars 2003, Dashnor Kaloçi, gazeta shqiptare)

“Debat me Enverin ka bërë edhe Vançi Barjaktari, i sapokthyer nga Shkodra. Babai im i kishte thënë Vançit përse e kishte lënë Qemalin vetëm. Por Vançi i kishte treguar se kishte qenë në Shkodër me urdhër të Enverit. Madje Vanci kishte bërë debate me Enevrin. Këtë ia kishte treguar vetë Vançi babait tim”.

Enver Hoxha e ka sjellë ngjarjen në kujtimet e tij si melankolike dhe të dhimbshme. Ai thotë se ka qenë me Qemalin më 3 dhe 4 maj, një fakt që nuk rezulton të jetë i vërtetë. Hoxha ose e ngatërron se e ka harruar, ose qëllimisht e vendos këtë fakt.

“Dita e fundit e pjekjes sime me Qemalin, ishte më katër maj. U poqëm në bazën numër 66 në Rrugën e Shëngjergjit, në shtëpinë e Hysen Dashit. Me Qemalin ndenjëm tërë ditën brenda në dhomë dhe punuam. Plaku na solli të hanim. Unë po përgatisja një leksion për Ushtrinë e Kuqe, Qemali përgatitej se të nesërmen, që në mëngjes duke gdhirë 5 Maj, do të nisej për në Vlorë. Ramë e fjetëm afër njëri-tjetrit, në një minder të mbuluar me batanije. Në mëngjes u përqafuam dhe u ndamë. Ai u nis për në Vlorë, unë për një mbledhje me shokët. Sido që ne baritnim çdo herë, si thotë populli, “me qefin në kokë”, me kobure në brez dhe me bomba në xhepa, as nuk mendonim për vdekjen që na priste në çdo qoshe rruge. Si mund të mendoja unë se e putha dhe e shtërngova për herë të fundit në kraharorin tim, shokun nga më të mirët e Partisë, shokun dhe bashkëluftëtarin tim të dashur, Qemal Stafën?! Në bazën ku isha, erdhi një shok dhe, duke qarë më tha: Armiku na vrau Qemal Stafën! Vura duart në kokë dhe nuk i mbajta dot lotët. Ku e vranë? I thashë. Në Tiranë, më tha shoku, në një shtëpi në bregun e lumit të Tiranës. U ngrita në këmbë dhe me shpresë i thashë: S’duhet të jetë e vërtetë, Qemali që në mëngjes u nis për në Vlorë. Për këtë jam i sigurtë, mos e besoni se armiku hap parrulla. Mjerisht, – më tha shoku, – kjo është e vërtetë. Qemali ra duke luftuar heroikisht dhe mbrojti tërheqjen e shokëve që shpëtuan. Ai harxhoi të gjithë municionin që kishte. Dhe më tregoi tërë historinë e ngjarjes që ka përshkuar historia”.(Enver Hoxha, libri “Për shokët e mij pionerë”, Tiranë, 1985.)

Jeleku qe mbante ne trup Qemal Stafa ne momentin e u vra. Violina e tij dhe libra.

FATI I KEQ I DËSHMITARËVE TË RRETHIMIT

Të gjithë ata që ishin atë moment në rrethimin dhe vrasjen e Qemal Stafës i ka ndjekur një fat i keq në jetë. Dukej sikur secili kishte jetën e tij, fatin e tij dhe gjithçka nuk kishte lidhje me të tjerët, por kur faktet i bën bashkë ndodhesh përballë një situate që zor se mund të jetë rastësi. Të gjashtë dëshmitarët patën një jetë të vështirë plot andrralla deri në krime.

  1. Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës, u arrestua menjëherë pas ngjarjes nga milicia, por pas tri javësh u arratis dhe doli partizane. Pas luftës, u arrestua nga regjimi komunist si armike e Partisë më 1946, u dënua me vdekje, bëri 13 vjet burg dhe pasi u lirua e interuan deri më 1988. Vdiq në vitin 2006.
  2. Marie Lezha u arrestua gjatë rrethimit të shtëpisë nga milicia, por u lirua pas disa ditësh dhe doli partizane. Pas çlirimit u internua disa herë deri në rrëzimin e komunizmit. Vdiq më 2009.
  3. Gjystina Sata, (Flora Dishnica) u arrestua gjatë rrethimit, por pas disa ditësh u lirua. U martua me Ymer Dishnicën duke e ndjekur bashkëshortin në të gjitha internimet e tij. Jetoi në Berat dhe asnjëherë nuk foli për këtë ngjarje.
  4. Kristo Themelko i vetmi që arriti të largohej nga rrethimi i banesës. Pas luftës u bë një nga njerëzit më të rëndësishëm të Partisë Komuniste. Por karriera vijoi deri më 1947, sepse më pas ai u arrestua dhe e kaloi jetën në burg dhe internim deri më 1990. Vdiq në Tiranë, më 1990.
  5. Beqir Minxhozi punonjës banke doli nga shtëpia për të blerë ushqime, por u arrestua nga milicët dhe në xhep i gjetën letrën ku shkruhej kontratë e qirasë së shtëpisë që kishte marrë. Mbi bazën e adresës që kishte shënuar aty policia shkoi në shtëpinë ku ishte Qemal Stafa. Ai u lirua pas disa ditësh. Pas doli partizan në zonën e Matit. Pas luftës u përjashtua nga partia nën akuzën se më 5 maj 1942 nuk ishte treguar vigjilent. Vdiq në vitin 2002.
  6. Isuf Keçi doli nga shtëpia për të marrë disa materiale. Kur u kthye shtëpia ishte e rrethuar dhe nuk mundi të futej më. Pas disa javësh doli partizan. Pas luftës u arrestua si armik duke kaluar kalvarin e burgjeve. Vdiq më 1990, në Tiranë.

GUSHT 2016

TABELA 1

VIKTIMA: QEMAL STAFA

POZITA E VIKTIMËS NË MOMENTIN E VRASJES: Kryetar i Rinisë Komuniste Shqiptare

POZITAT E TJERA TË VIKTIMËS PËRPARA VRASJES:

DATËLINDJA: 20 mars 1920, Elbasan, Shqipëri.

DATA E VRASJES:  E martë, 5 maj 1942, ora 09:35

MOSHA E VIKTIMËS: 22 vjeç, 1 muaj e 15 ditë

VENDI I VRASJES: Tiranë, Shqipëri.

AUTORI I VRASJES:  Një karabinier shqiptar i panjohur, pjesëtar i operacionit për arrestimin e tij.

Qemal Stafa për vdekjen:

“Shqiptari nuk tutet se vdes, mjafton që vdekja të jetë e ndershme dhe burrash, mjafton që vdekja të jetë për atdhe”. (Nga libri Qemal Stafa, me autor Nasho Jorgaqi, f. 402).

Kur e pamë se kishte vdek, u afrum. Flokët i kishin ran bi ballin e djersitur dhe një buzëqeshje e ambël ja praronte fytyrën. Faqe 413

Haki Stërmilli, shkrimtar.

“…tek morën të ktheheshin hipur mbi kamionë, kufomën e Qemalit për hakmarrje e hodhën mbi një karrocë të rëndomtë dhe e kaluan nëpër rrugë që të frikësonin popullin e hakërryer(Qemal Stafa, Nasho Jorgaqi, f. 414).

Busti Qemal Stafa

TABELA 2/

10 FAKTE

  1. Qemal Stafa ishte një komunist idealist gjë për të cilën ai u dënua me burg gjatë regjimit të Zogut për të dalë kur u hapën burgjet, më 7 prill 1939. Ai ishte një nga themeluesit e Partisë Komuniste, më 8 nëntor 1941, në Tiranë.
  2. Qemal Stafa u plagos gjatë shpërthimit të burgut më 7 prill 1939, ditën kur Italia pushtoi Shqipërinë.
  3. Agjenti i Kuesturës, Jani Kristo, nga Përmeti, ndiqte dhe përgjonte nga afër të gjitha lëvizjet e Qemal Stafës.
  4. Agjenti Jani Kristo që gjurmonte Qemal Stafën u vra nga Kajo Karafili në një atentat.
  5. Familjes së Qemal Stafës për shumë vite pas luftës nuk iu dha pensioni i Heroit të Popullit.
  6. Në momentin e rrethimit të shtëpisë ku u vra Qemal Stafa me të ishin: Kristo Themelko, Drita Kosturi, Marije Lezhja e Gjystina Sata. Tri vajzat u arrestuan, ndërsa Themelko mundi të largohej.
  7. Mbi bazën e një urdhri të Kuesturës milicët arrestuan paraditen e 5 majit Beqir Minxhozin dhe i gjetën me vete një pistoletë. Pas kontrollit që i bënë në banesë i gjetën një kontratë qiraje të shtëpisë ku do të vritej Qemal Stafa. Me atë të shoqëruar karabinierët rrethuan shtëpinë.
  8. Qemal Stafa ishte i fejuar me Drita Kosturin e cila ishte arratisur nga një burg në Itali. Pas kthimit në Tiranë militonte në të njëjtën celulë komuniste me Nexhmije Xhuglinin, Naxhije Dumen e Fiqeret Sanxhaktarin.
  9. Policia nuk lejoi familjen të merrte trupin e Qemal Stafës në shtëpi, nga frika e ndonjë demonstrate. Ritet mortore familja i bëri në morgun e Tiranës ku ndodhej edhe trupi i Qemal Stafës dhe më pas ai u varros në Varrezat e Bamit.
  10. Të gjithë karabinierët që rrethuan bazën ilegale dhe qëlluan Qemal Stafën ishin shqiptarë.

1950 Varret Qemal Stafa, Nako Spiru, Vasil Shanto, Alqi Kondi, u hoqen 1972

10 FAKTE QË QEMAL STAFA U SPIUNUA NGA SHOKËT

  1. Udhëtimi i Qemal Stafës për në Vlorë ishte programuar për t’u kryer më 4 maj dhe u shty për më 5 maj.
  2. Shoqëruesi personal i Qemal Stafës, Vançi Bajraktari, u dërgua me shërbim në Shkodër më 4 maj, pra një ditë përpara se Stafa të vritej.
  3. Prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, lajmëroi mikun e Qemalit, Ramazan Xhepën, 10 ditë përpara vrasjes që Qemali të largohej nga shtëpia e tij, ku strehohej, sepse e kishin spiunuar shokët dhe Kuestura do ta arrestonte.
  4. Shefi i policisë së Tiranës, Man Kuklaleshi, ishte personi që i tha direkt Ramazan Xhepës që Qemal Stafën e kishin spiunuar shokët e tij. Ramazan Xhepa dyshonte se njeriu që njoftonte në Kuesturë për Qemal Stafën kishte qenë Enver Hoxha. Ramazan Xhepa u arrestua dy herë. Herën e parë si pjesë e grupit të deputetëve dhe herën e dytë sepse i gjetën flori. Regjimi arrestoi vëllezërit e tij dhe dy djemtë.
  5. Enver Hoxha akuzoi Zef Ndojën si njeriun që spiunoi Qemal Stafën, një i ri komunist nga Shkodra, i cili ishte në burg kur Qemali u vra. Ndoja doli partizan, por me një urdhër të Hoxhës u pushkatua nga partizanët si spiun i Qemal Stafës në fshatin Priskë të Tiranës, në shtator 1943.
  6. Beqir Minxhozi mbante në xhep kontratën me adresën e shtëpisë që ishte marrë me qira, e cila ishte marrë që prej tri ditësh. Si ka mundësi që vonesa e Beqirit nuk krijoi shqetësim tek ilegalët komunistë që ishin në shtëpinë e tij. I vetmi shqetësim nisi pas më shumë se 1 ore nga vonesa e tij, një detaj i habitshëm ky.
  7. Përse policia kishte rrethuar lagjen dy orë përpara se të niste operacioni dhe të vinte bashkë me Beqir Minxhozin.
  8. Si ka mundësi që nga 7 personat që ishin në atë shtëpi vetëm Qemal Stafa mbeti i vdekur? Si ka mundësi që pas kësaj ngjarjeje 6 perosnat e mbetur gjallë nuk u takuan kurrë me njëri tjetrin?
  9. Për një kohë të gjatë familja e Qemal Stafës u la në harresë. Nga njëra anë ai u shpall Hero i Popullit dhe kujtohej me nderime, nga ana tjetër familja nuk pati asnjë nga privilegjet që i takonin. Përse familja e Qemal Stafës nuk e mori kurrë pensionin e dëshmorit?
  10. Përse e ëma e Qemal Stafës nuk pranoi ta priste për vizitë në shtëpi Enver Hoxhën?

Qemali me motra dhe vëllezër

TABELA 3/ shifrat

200 FORCA TË POLICISË

Rrethuan Qemal Stafën në bazën ku ai u rrethua dhe më pas u vra

60 MINUTA

Zgjati rrethimi dhe përplasja me armë mes Qemal Stafës, Kristo Themelkos dhe forcave të policisë.

7 PERSONA

Bashkë me Qemal Stafën kanë qenë në shtëpinë e marrë me qira përpara se të pikaseshin dhe rrethoheshin nga policia.

3 VJET BURG

Ishte dënuar Qemal Stafa nga Gjykata e Posaçme për Faje Politike më 4 shkurt 1939 për bindje komuniste dhe më 7 prill 1939 kur burgjet u hapën, ditën që Italia pushtoi Shqipërinë ai u largua.

45 VJET

Burg dhe internim bëri Drita Kosturi, e fejuara e Qemjal Stafës, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Drita Kosturi, e fejuara e Qemal Stafës, për parandjejnën e Qemalit për vdekjen

“Qemali më tha: Sikur rë më vrasin edhe mua sot. Qesha duke i kujtuar se nuk ishte një Napoleon. Nuk mbarova ende frazën kur pashë civilë të armatosur. Jemi të rrethuar thirra dhe Qemali u ngrit menjëherë në këmbë”. (Revista Klan, 17 maj 1998)

TABELA 4/ DËSHMI DEKLARATA

Qemali mbante revolver tip “Smithson” dhe një libër me poezi të Manzonit

Të fundit

“Do ta fus me shishe kokës”/ Rama ironizon Mark Markun

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin e tij social Instagram ka ironizuar caktimin e Mark Markut si...

“Ti do ta dobësosh shokun Enver?”/ Mjeku që kuronte diktatorin rrëfen kërcënimet: Do mbash përgjegjësi

Kardilogu i njohur, Ahmet Kamberi, për ndjekjen e diabetit të Enver Hoxhës rrëfen në librin e tij “Pacienti ynë i veçantë” rreth debateve brenda...

Video e turpshme në Lezhë/ Punonjësi i rrugës rreh me sende të forta priftin ortodoks

Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në qytetin e Lezhës këtë të hënë. Një punonjës i rrugës së këtij qyteti ka dhunuar një prift ortodoks. Në...

I morën jetën në derë të shtëpisë/ Flet babai i 10-vjeçares: Ishte me gjyshen për dore, shoferi e përplasi dhe iku!

Detaje tronditëse dalin në dritë nga vdekja e 10-vjeçares dje në Tiranë, e cila u përplas nga një makinë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën...

Aurela Hoxha shtatzënë/ Rrëfen edhe mbi partnerin: Është shumë xheloz për çdo person që më afrohet

Aurela Hoxha është në pritje të fëmijës së saj të parë. Modelja e njohur, e cila prej vitesh është zhvendosur për të jetuar në...

Lajme të tjera

Web TV