Forca e një 22-vjeçareje dhe rrokullima e vdekjes

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Megi Alimuçaj rrëfen kalvarin e skalitur të vuajtjeve dhe nismën ambicioze për të bërë bashkë gratë e prekura nga kanceri i gjirit

Nga Alessia Selimi

Dy vite më parë, në një pasqyrë të një qendre tregtare në Selanik, Megi Alimuçaj vendosi për jetën, pa pyetje të braktisura nga përgjigjet, se përse sëmundja e kancerit të gjirit kishte prekur  atë, një 22-vjeçare me jo pak ëndrra dhe projekte.

Me një forcë të jashtëzakonshme, Megi ia doli t’i largohej grahmave të vdekjes. Kjo vajzë nuk e ka sot aspak të vështirë të flasë për kalvarin e vuajtjeve, e aq më pak për projektin e lindur në një nga ditët kur qëndronte ulur për kimioterapinë.

Megin e takojmë në qendër të Tiranës. Ajo është e shoqëruar nga i ati, i cili mban një palë syze të errëta dhe të mëdha, si për të fshehur lodhjen, dhimbjen që jo pak herë gjen strehë në shikim.

“Nuk kam lejuar që familjarët  të qanin përpara meje, apo të tregonin momente dobësie”,thotë Megi menjëherë pasi ndahemi nga babai i saj, si për të legjitimuar një mendim në vërvitje.

Ajo kthehet në të shkuarën jo fort të largët vetëm kur ulemi pranë godinës arkitekturore që vlerëson historinë e Shqipërisë.

“Po bëja dush kur dallova praninë e një mase të fortë në gji; kishte përmasë të vogël dhe ishte kjo arsyeja se përse nuk mendoja fillimisht se mund të isha e prekur nga kanceri i gjirit”,thotë Megi, e cila, si të mos i mjaftonte sprova e ardhur nga një drejtim i papërcaktuar, u përball edhe me mungesën e profesionalizmit të mjekëve në vend.

Iu drejtova menjëherë bluzave të bardha. Duke parë moshën time, ata nuk besonin se masa në gji ishte qelizë kanceroze. E konsideruan si një kist, kësisoj vendosën të më jepnin një sërë ilaçesh, më së shumti antibiotikë që veçse ndikuan në rritjen e qelizës”, tregon Megi duke shtuar se e dalloi këtë ndryshim pas gjashtë muajsh.

“Familja ime vendosi t’u nënshtrohesha disa analizave në një spital të Selanikut, që pakuptuar u shndërrua për mua në një shtëpi të dytë. Duke filluar nga biopsia, ekografia dhe mamografia, gjithçka të çonte drejt sëmundjes së kancerit të gjirit”, thotë 24-vjeçarja. Që prej atij momenti ka udhëtuar jo pak herë mbrëmjeve me makinë drejt Selanikut.

Por në vazhdën e vështirësive, kjo është më e pakta. Kimioterapia, si një helm i rëndë për trupin, erdhi me një listë të gjatë të efekteve anësore. Megi u tjetërsua, pësoi rënie flokësh, vetullash e qerpikësh, si dhe shtoi së tepërmi peshë. Megjithatë, duke e ditur mirë se kush ishte, sërish shfaqej para pasqyrës pa kurrfarë hezitimi.

“Kanceri ka gjetur njeriun e gabuar! Kështu i thosha vetes kur shihesha e transformuar”, pohon 24-vjeçarja. Po bashkëbisedojmë me të në një periudhë jo të lehtë, kur pandemia Covid-19 është shndërruar në kryefjalën e kronikave të ditës.

Mirëpo, Megi rrëfen se përballja e saj me karantinën daton përpara dy viteve, dhe jo në një shtëpi, ku aroma e gatimeve ngjeshet nën flagrat e hundës, por në një dhomë të akullt spitali. “Kur trupi është nën efektin e kimioterapisë është më i dobët dhe mund të thithë më shpejt mikrobe apo viruse. Një moment shumë i vështirë ka qenë kur jam shtruar për dy javë për shkak të një infeksioni dhe nuk mund të dilja dot”, tregon Megi teksa thekson se përpos këtyre ditëve, jeta për të vijonte normalisht.

Lexo edhe :  Talenti muzikor i Beethoven nuk ishte i shkruar në gjenet e tij

“Zgjodha të punoj, të shkoj në shkollë dhe të rri me miqtë, pavarësisht gjithçkaje. Nuk doja të shkëputesha nga ritmi i jetës normale, sepse besoja që vetëm kështu do të arrija të triumfoja mbi sëmundjen e kancerit të gjirit.

Mëngjeset e mia nisnin gjithmonë me shprehje dhe këngë motivuese”, shprehet ajo dhe ndalet në projektin “Rreze”, i cili mori jetë në prill të këtij viti. “E kam konceptuar si një website interaktiv në rrjet, lehtësisht të aksesueshëm në kompjuter dhe celular,  ku mund të gjendet çdo informacion i filtruar rreth kancerit të gjirit, si dhe ku mund të gjejnë veten femrat të cilat po e luftojnë, por edhe ato që kanë mbijetuar.

Duke mos pasur mundësi financiare, mendova të ofroj dijen time në funksion të tyre”, thotë Megi teksa pohon se kështu lufton në një farë mënyre edhe informacionet toksike. “Histori, video recetash të shëndetshme gatimi, mundësi për të kontaktuar një dietolog, informacion të detajuar rreth vetive kuruese të ushqimeve, hapësirë dedikuar plotësisht stërvitjes dhe modës, si dhe të dhënat më të fundit nga shkenca në luftën kundër kancerit të gjirit. “Rreze” mundëson gjithashtu konsulta online me mjekë të ndryshëm, si dhe takime me një psikolog”, sqaron Megi.

Ajo rrëfen se njerëzit e vetëm që takonte gjatë kohës kur ndodhej e shtruar në spital ishin prindërit e saj dhe mjekët, se këta të fundit janë tanimë miqtë e saj më të mirë.

“Ato nuk më shpëtuan vetëm jetën, por edhe mendjen. Gjatë kurimit nuk kisha mundësi të bëja asgjë përveçe të rrija ulur dhe të gërmoja në internet rreth sëmundjes me të cilën po përballesha. Ishin pikërisht bluzat e bardha që më këshilluan dhe më ndaluan kërkimin, të vetëdijshëm për pasojat e gjendjes shpirtërore dhe mendore nga informacionet e pafiltruara”, shprehet Megi.

Kjo vajzë, që merret me inxhinieri kompjuterike, ka mjaft dëshirë për të folur rreth së ardhmes. Kjo gjë kuptohet fare mirë nga ato çka i parashtron si synim. Por përpara tyre, nuk ngurron të ndajë një bashkëbisedim shtytës.

Një grua e cila ka emigruar prej vitesh në Greqi, u vendos në kontakt me mua para pak ditësh, vetëm e vetëm për të më treguar betejën e saj për jetën. Ajo ishte një e mbijetuar nga kanceri prej dhjetë vitesh. Më emocionoi dhe më bëri të mendoj shumë për atë se çka dua të bëj në vijim. Më tha se kishte folur me shumë të huaj (grekë) për historinë e saj, por kjo e vërtetë ndihet më shumë si e tillë kur rrëfehet në gjuhën e nënës”, tregon Megi.  24-vjeçarja thotë se në ditët e saj më të vështira e ndiente të nevojshme t’u hapej bashkudhëtarëve, por nuk ekzistonte një vend ku të njiheshim.

“Thuhet se pamja më e bukur vjen pas ngjitjes më të vështirë. “Rreze” mundëson krahas së gjithave bashkimin në komunitet. Çdo ditë do të zhvillohen takime online në grup, në formë terapie, ku secila do të ndajë historinë e saj. Barra e peshës bëhet më e lehtë kur e ndan atë me njerëz që të kuptojnë”, thotë Megi.

Kjo është edhe arsyeja se përse me shumë gjasa këtë 24-vjeçare do ta shohim si sipërmarrëse të një grupi me një ambient fizik, ku luftëtarët dhe të mbijetuarit do të bëhen bashkë, në trishtim e gëzim, për të shkuarën dhe të ardhmen.

Të fundit

Nacionalizmi si epsh parazgjedhor

Nga Ornela Çuçi  Kur Albert Einstein thoshte: "Nationalism is an infantile disease. It is the measles of mankind”, pra “Nacionalizmi...

E ardhmja e Turizmit Shqiptar? Apo kërcënimi me zhdukje?

Nga Auron Tare Zhvillime të tilla në Jugun e Shqipërisë po krijojnë një model të dëmshëm për të ardhmen e turizmit duke fshirë një nga...

Gjyshërit i rrëmbejnë djalin/ Nusja tregon detajet: Duan ta zgjidhin me kanun, jo me ligj

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kënetë të Durrësit. Një nënën e re me origjinë nga Hasi akuzon ish-vjehrrit se i kanë rrëmbyer...

Vrasja në Pejë/ Çifti prindër të tre fëmijëve, detaje nga ngjarja e rëndë

Edmond Lajçi, është arrestuar nga policia e Kosovës, pasi dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij me armë zjarri. Sipas informacioneve të deritanishme, ngjarja ka...

“Si e kanë bërë pasurinë?”/ Ngjela shpërthen në akuza ndaj Kryemadhit dhe Ilir Metës

Avokati Spartak Ngjela, i ftuar në “Breaking”, tha për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, se duhet të deklarojnë sa para kanë pasur para se...

Lajme të tjera

Web TV