Hashashi, të kthehesh te fillimi është dhe mbarimi

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Erald Shulla, ekskluzive për “Gazetën Fjala”

Ndërkohë që të gjitha qeveritë e botës janë përqendruar te pandemia, si të vazhdohet përballja, si do të jetë e ardhmja, ngritja ekonomike etj, qeveria jonë, sikur të mos jetë e jona, por as në këtë planet, po studion tjetër gjë, më të rëndësishme për vete…

Prej muajsh shkencat e të gjitha vendeve në botë, të atyre që kanë shkencë, po merren me studimin e virusit Covid-19, veç dhe bashkë, që të pengohet përhapja e mëtejshme.

Shkencëtarët e vendeve më të avancuara të globit tashmë kanë hyrë në një garë humane, se kush prej tyre do të mundet të zbulojë vaksinën apo kurën shëruese ndaj virusit, i cili mund të godasë prapë fort, duke cenuar jetën e njerëzimit.

Të gjitha qeveritë e vendeve më të fuqishme nuk po kursejnë aspak, madje po investojnë edhe më. SHBA-ja, Kanadaja, Izraeli, Gjermania, vendet nordike, Spanja, Italia, Franca etj., vende në kontinentet e tjera, po shpenzojnë miliarda dollarë për gjendjen e re alarmante, për mjekësinë dhe solidariteti social, siç e thamë, për studimet e shkencëtarëve në këtë krizën e madhe të shëndetit, në triumfin e imunitetit të jetës, në normalizimin e saj.

Qeveritë e vendeve të botës nuk janë ndalur dhe përqendruar vetëm te maja, te studimet e shkencëtarëve, por, po ashtu, edhe te studimet dhe projektet e ekspertëve të ekonomisë për menaxhimin dhe daljen nga kriza… Dihet tashmë se “distancimi social” i dha efektet rënduese në çdo degë të ekonomisë.

Qindra mijëra biznese në botë pësuan humbje galopante në ekonomi dhe miliona persona anë e mbanë botës janë në vështirësi, për shkak të humbjes së vendit të punës. Ndërsa qeveritë e vendeve të ndryshme, pranë dhe larg nesh, po bëjnë çdo gjë për kapërcimin e situatës dhe kthimin në gjendje pune për të gjithë.

Në këtë periudhë çudia vjen nga vendi  ynë, i cili nuk paska ngelur pas në studime. Qeveria jonë, natyrisht, nuk ka mundësi dhe kapacitete të shpenzojë euro, dollarë, lekë për studimin e vaksinës në asnjë Bunkart, as në “Shtëpinë me gjethe”, as në Stadiumin e ri, as po të prishë Teatrin e më shumë se aq etj., etj., mundësitë për t’iu përgjigjur situatës së vështirë ekonomike kanë qenë shtetrrethimi, tanket dhe konferencat kryeministrore, që nuk e ndalnin dot rënien, ku mijëra qytetarë në vendin tonë humbën vendet e punës, shpresat dhe mendjen.

Lexo edhe :  Kosova pse nuk kupton togfjalëshin “Komb shqiptar"

Qeveria jonë foli shumë dhe dha pak, për të mos thënë aspak, nga qesja, të cilën e konsideron të sajën dhe jo të qytetarëve. Gjithmonë në momentet e vështira e kemi më të lehtë të justifikohemi, jo pa mburrje, që jemi vend i varfër, i vogël, i pazhvilluar që të përballemi me problemet, sidomos me ato që shpikim vetë.

Asnjëherë nuk pranojmë dhe nuk deklarojmë shkaqet pse ngelemi gjithnjë të varfër dhe të pazhvilluar.  Askush nuk guxon të pranojë që pasuria dhe të ardhurat keqmenaxhohen apo korrupsioni vazhdon ta gërryejë këtë vend, përgjegjësitë dhe ndërgjegjet.

Por përtej të gjitha problemeve dhe situatës pandemike, vendi ynë nuk mund të mbetej pas nga bota në studime. Mjaftoi një deklaratë “tymuese” e kryeministrit  që debati të ndizej. Deklarata e kryeministrit se qeveria po studion mundësinë e legalizimit të hashashit (ha-ha-ha-shashit) për përdorim medicinal hallakati dhe pataksi opinionin publik, ashtu si efektet e hashashit që të mpijnë trurin dhe muskujt.

Madje, shtoi se studimet e qeverisë  ishin në faza të avancuara, por jo përfundimtare. Prapë me hashashin qeveria jonë? – çuditen njerëzit, që u duhen bukë dhe ilaçe te tjera. Nuk mjaftuan shtatë vite ku Shqipëria u gjelbërua nga kultivimi i hashashit, sa dhe bota bëri filma me aksion me këtë temë? E habitshme si guxon një qeveri, së cilës hashashi i ka ngrënë dy ministra të Brendshëm brenda mandatit.

Njëri prej tyre vazhdon akoma gjykimin për trafikun e kanabisit. Nuk e kupton askush se çfarë do të zgjidhë kjo gjë dhe çfarë dobie ka për vendin tonë legalizimi i hashashit tani. Çfarë e shtyn qeverinë në këtë moment të vështirë të flasë përçart, duke i dhuruar popullit falas, jo mjekësinë, por një tjetër epidemi idioteske?

Tani. Ka qindra problematika të tjera kruçiale për t’u marrë kjo qeveri, e cila, me sa duket nuk po shkëputet dot nga atje ku e nisi, te hashashi. Të kthehesh te fillimi është dhe mbarimi. Një shprehje thotë se vesi del me shpirtin, me sa duket, kësaj qeverie-pacient shërimi do t’i vijë, kur të ikë, duke përfunduar bashkë me mandatin.

Mbase atëherë do të jenë të lirë të frekuentojnë hashashin. Ne si popull duam të punojmë për një jetë sa më normale, gjithmonë e më të mirë.

Të fundit

“Voyage Privé”: Shqipëria, zbuloni thesarin e fshehur të Mesdheut

Dëshironi të bëni zbulime të reja? Magjepsuni nga pasuritë historike dhe kulturore të Shqipërisë, shkruan revista franceze e udhëtimeve...

Të dielën ndryshon ora, akrepat shkojnë një orë para në Festën e Pashkës

Të dielën, më 31 mars 2024, do të kthehet ora verore. Akrepat e orës do të zhvendosen një orë përpara, pra nga ora 03:00...

‘Do të kemi temperatura të larta’, meteorologia zbulon surprizat e motit për fundjavën

Kjo fundjavë pritet të ketë një mot të qëndrueshëm, me temperature të relativisht të larta. Meteorologia Lajda Porja tha se edhe fillimi i muajit të...

Nuanca blu si askund tjetër / Ky plazh në Jug të Shqipërisë renditet i pari

Plazhi i “Pasqyrave” mes Sarandës dhe Ksamilit është renditur i pari në botë për ujin me ngjyrën më blu të theksuar. Duke përdorur imazhe satelitore...

Arrestimi i dy kryebashkiakëve, sot zgjidhet kryetari i ri i Himarës

Pas arrestimit dhe dorëheqjes së Jorgo Goros nga posti kryebashkiakut në detyrë të Himarës, vendi ka mbetur pa drejtues. Përpos Jorgo Goros, në burg ndodhet...

Lajme të tjera

Web TV