Eksperti i sigurisë, Pëllumb Nako, ka dyshimet e tij në suksesin e legalizimit të hashashit në vendin tonë, duke parë me skepticizëm momentin kur qeveria e propozon këtë, pikërisht para zgjedhjeve të reja parlamentare. Në një intervistë për gazetën “Fjala” ai thotë se qeveria ka lejuar kultivimin e paligjshëm të hashashit dhe kjo nuk jep siguri se legalizimi do të sillte përfitimet që priten për ekonominë.
Si e konsideroni projektin e qeverisë për legalizimin e kanabisit mjekësor? Çfarë përfitimesh dhe problematikash sjell zbatimi i tij?
Nëse do t’u referoheshim të ardhurave nga trafiku i kanabisit në vendin, tonë bazuar në raportet dhe vlerësimet e EUROPOL-it, do të konstatonim se ato janë mjaft të larta të vlerësuara në disa miliarda euro. Futja e këtij biznesi në kanale të kontrolluara dhe me destinacion shëndetin do të bënte që të paktën në parim këto para, ose një pjesë e mirë tyre, të shkonin ligjërisht në favor të shtetit. Pra, në këto kushte përfitimet ekonomike do të ishin të konsiderueshme, ndërkohë në parim kjo gjë do të sillte për pasojë të parë uljen e kultivimit të tij në mënyrë abuzive dhe për rrjedhim do të ulte inkriminimin mjaft të lartë të popullatës sonë në këtë drejtim.
Pra, në parim përparësitë janë të dukshme dhe natyrshëm problem mbetet kontrolli i kultivimit ilegal. Kjo sepse nuk mendoj që ky i fundit do të eliminohet. Kjo gjë nuk përbën një hamendësi, por mjaftojmë të kujtojmë amnistinë e fundit të qeverisë për ata që nuk kanë bërë deklarimin e tyre të pasurisë, pra që iu janë shmangur taksave. Sipas një drejtuesi politik të qeverisjes, kjo para vlerësohet në miliarda dollarë. Pra, edhe në fushën e deklarimit ligjor të të ardhurave që datojnë që nga lindja e shoqërisë të themi, paskemi shumë shmangie dhe strukturat shtetërore nuk kanë qenë në gjendje të garantojnë ligjin dhe në masë jo të vogël. I njëjti risk edhe për kanabisin e legalizuar dhe atë eventualisht ilegal nesër nëse kjo nismë realizohet. Pra, për të pasur përfitime ekonomike, shtetit i duhet të kryejë dy nisma madhore në raport me legalizmin e një veprimtarie që deri tani ka qenë kriminale.
Si një vend ku kultivimi i hashashit është i paligjshëm, a mund të keqpërdoret ky projekt i qeverisë dhe të nxisë kultivimin e paligjshëm?
Nëse shihen me vëmendje këto nisma të qeverisë janë në vigjilje të zgjedhjeve që do të kryhen vitin tjetër. Pra, i njëjti skenar, por me modele të tjera si në rastin e kultivimit masiv të kanabisit në vigjilje të zgjedhjeve të kaluara. Me fjalë të tjera, qeveria kërkon të ardhura, sepse ka shpërdoruar shumë paranë publike dhe deri tani strategjitë e saj kanë qënë më shumë në funksion të fitimit të zgjedhjeve, sesa në ndërtimin real të standardeve të shtetit të së drejtës. Është në stilin e kësaj qeverisjese të ushtrojë aktivitetin e saj në kufijtë e ligjshmërisë dhe të paligjshmërisë. Kështu mendoj që kultivimi ilegal do të vazhdojë rrugën e tij dhe me gjasë të jetë më intensiv.
Çfarë modeli mund të marrim nga vendet e tjera për të realizuar këtë gjë?
Modelet ekzistojnë, madje prej dekadash. Vende të ndryshme kanë vepruar për qëllime të ndryshme. Ka pasur vende që e kanë liberalizuar konsumin e kanabisit, për të zvogëluar konsumin e drogave të forta dhe nuk ia kanë arritur qëllimit. Kurse nisma e qeverisë sonë nuk duket se ka këtë objektiv. Por, sado modele të ketë, në fund është forca dhe efikasiteti i shtetit ligjor ai që vendos në suksesin ose jo të nismës. Nisur nga shenjat e deritanishme dhe nga ç’kam konstatuar këto vite, pak mundësi suksesi do të ketë.