50 “hijet e koronavirusit”/ Deklaratat kontradiktore nga politika në mjekësi

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Beteja me “armikun e padukshëm” që solli deklaratat më kontradiktore të viteve të fundit, të kushtëzuara nga ecuria e pandemisë. Që nga dita e shfaqjes së rastit të parë me “COVID-19janë marrë 13 akte normative, 23 vendime të Këshillit të Ministrave, më shumë se 20 urdhëresa dhe 4 vendime qarkulluese. Gazeta “Fjala” përzgjedh 50 qëndrimet që ndryshonin nga dita në ditë.

Nga Ina Allkanjari

‘Mezi e pres rastin e parë me koronavirus në Shqipëri’. Kështu do të deklaronte drejtoresha e Inspektoratit Shëndetësor, Areti Beruka, gjatë një interviste të dhënë më 27 shkurt, kur ende në vendin tonë nuk ishte zyrtarizuar asnjë rast me COVID-19. Në atë kohë Ministria e Shëndetësisë publikoi katër udhëzime për parandalimin e koronavirusit në Shqipëri dhe një plan veprimi që parashikonte 5 skenare të pandemisë.

Që nga ajo ditë deri më sot, kur numërohen rreth 900 të infektuar, qeveria shqiptare ka hartuar 13 akte normative, mbi 23 vendime të Këshillit të Ministrave, më shumë se 20 urdhëresa dhe 4 vendime qarkulluese. Këto vendime kanë të bëjnë që me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe transportit e deri tek masat për tejkalimin e krizës financiare që solli pandemia. Por ashtu, si me tërmetin, edhe me pandeminë, kryeministri Edi Rama u kthye në pjesën më të madhe të vendimeve burimi i parë dhe i vetëm i informacionit.

Kryeministri Rama që nga data 9 mars, kur u shënua dhe rasti i parë me COVID-19në Shqipëri, ka bërë mbi 400 postime dhe reagime, duke informuar publikun kur do të mund të dalin nga shtëpitë, në disa raste të ndarë me grupmosha, si dhe bizneset që duhet të mbylleshin dhe ata që mund të vazhdonin punën. Të gjitha këto masa që ndryshuan nga java në javë, bënë që deklaratat e zyrtarëve në shumë raste të ishin kontradiktore duke sjellë çorientim te qytetarët dhe bizneset.

“Lufta me armikun e padukshëm”, – sikurse e cilësoi kryeministri, solli një kakofoni deklaratash kontradiktore, të dukshme… Me parimin se kjo pandemi luftohej me sa më shumë informacion, të gjithë u futën në garë se kush do të jepte “lajmërimin” e parë. Pa dyshim që kryeministri kryeson listën, por nuk kanë mbetur pas as mjekë dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë që, për shkak të ndryshimit të situatave me rastet e reja që shfaqeshin me koronavirus, “kundërshtonin veten”.

Është nga ato raste që deklaratat kontradiktore justifikohen me “padijen” rreth kësaj sëmundjeje, por në vend të informimit të saktë, publiku shpesh hutohej, edhe kur informacioni ishte zyrtar. Tashmë, pas futjes disi në normalitet, kur, për fat të mirë, rastet e reja me COVID-19janë gjithnjë në ulje, gazeta “Fjala” po sjell 50 deklaratat dhe qëndrimet më të bujshme nga politikanë, mjekë dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Arsimit.

Masat e para kufizuese – deklarimet

Me konfirmimin e të infektuarit të parë me COVID-19 në vendin tonë, kryeministri Edi Rama, në një konferencë për mediat, tha se Shqipëria është në luftë, me atë që ai e quajti armik i padukshëm.

“Do t’i mbyllim të gjitha, pub-e, disko, palestra dhe ambiente që mbledhin shumë njerëz. Do t’i mbyllim të gjitha, që të vendosim shëndetin të parin”, u shpreh kryeministri Rama.

Më 10 mars u mbyllën palestra, pub-e, diskoteka dhe ambiente të mbyllura për argëtim, ndërkohë lokalet vijuan të hapura, duke respektuar hapësirën 2 metra mes tavolinave.

Por 24 orë më pas masat ndryshuan sërish, ku u urdhërua mbyllja  e restoranteve, bareve, klubeve në Tiranë dhe Durrës fillimisht. Shqipëria nxori aktin e parë normativ për COVID-19. Për parandalimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive vendosen gjoba 500000 deri në 700000 lekë për bizneset që shkelin kufizimet.

“Ndjesë, por duke parë shkallën e ulët të vetëdijes së shumë qytetarëve, kryesisht të rinj, që e kanë edhe më të vështirë të rrinë në një vend, detyrohemi të mbyllim të gjitha restorantet, baret, klubet, në Tiranë dhe Durrës fillimisht! Kjo nuk është kohë pushimesh dhe argëtimesh jashtë shtëpisë, por kohë lufte dhe kjo luftë fitohet vetëm duke kufizuar lirinë tënde, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën e jetesës dhe duke ruajtur familjen tënde nga kontaktet e tua me jashtë!”, shkruante Rama në facebook.

Nuk do të kalonin shumë orë dhe do të njoftohej kufizimi i lëvizjes për këmbësorë dhe automjete, duke e vendosur Shqipërinë në shtetrrethim. Më 12 mars kryeministri urdhëroi  pezullimin e qarkullimit të automjeteve private dhe taksive në Tiranë, Kukës, Durrës, Shkodër, Lezhë, Elbasan, Lushnjë, Fier dhe Vlorë, nga dita e premte 13 mars në orën 06:00 deri të dielën në mesnatë.

“Nga e premtja në 06:00 deri të dielën në mesnatë do të ndalohet qarkullimi i automjeteve private në Tiranë e Durrës, si dhe transporti ndërurban mes Tiranës e Durrësit. Nga e premtja në 06:00 deri të dielën në mesnatë do të ndalohet qarkullimi i automjeteve private dhe urbanëve në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Lushnjë, Fier dhe Vlorë. Qarkullimi në këto territore do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat, automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror dhe ato që transportojnë mallra”, deklaroi kryeministri Rama.

Këto masa u përqafuan edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila më 10 mars tha se është e vendosur për karantinën e detyrueshme, me qëllimin e vetëm për të mbrojtur më të pambrojturit.

“Jemi të vendosur për karantinën e detyrueshme, sido që të jetë, ne do të kujdesemi për ata që janë më të pambrojturit në këtë situatë, për të moshuarit dhe do të kujdesemi që të mos përhapet ky virus”, tha Manastirliu.

Pas vendosjes masave paraprake i menjëhershëm ishte dhe reagimi i opozitës, ku Kreu i PD-së, më 10 mars, gjatë një konference për shtyp, tha se shteti duhet të shtojë buxhetin për shëndetësinë.

“Nuk është aspak herët për të marrë parasysh pasojat që do të sjellë në ekonomi COVID-19. Por kjo është një pjesë dhe aspak transparente që duhet bërë, sepse nëse mbyllim baret dhe restorantet, çfarë ndodh me call center dhe fasoneritë dhe n.q.s. i myllim dhe ato, çfarë do të ndodhë me ekonominë e këtyre njerëzve. Duhet të fokusohemi te shëndeti, që nga personeli mjekësor dhe tjetri fakti që vendi të mos kalojë në kolaps ekonomik”, u shpreh Basha.

Oraret e lëvizjes

Pas shtetrrethimit të parë nis të ndryshojë edhe orari i lëvizjes së këmbësorëve dhe i automjeteve. Më 18 mars Rama njoftoi se qytetarët do të lejohen të lëvizin vetëm gjatë orëve 06:00 – 10:00 të paradites dhe 16:00 – 18:00 të pasdites. Gjithashtu u ndalua edhe lëvizja nëpër rrugë me persona të tjerë në krah, dhe të gjithë ata që do të shkelin urdhrin gjobiteshin  me 10000 lekë.

“Me sa duket, nuk po kuptohemi siç duhet me disa që s’duan ta marrin vesh se nuk është kohë shëtitjesh. Nga nesër dalja e këmbësorëve do të kufizohet vetëm në fashat orare 06:00 – 10:00 dhe 16:00 – 18:00. Nga nesër do të ndalohet dalja në këmbë rrugëve me persona të tjerë në krah! Shkelja e këtyre rregullave do të ndëshkohet me gjobë 10000 lekë për çdo person dhe shkelësit nuk do të marrin asnjë ndihmë shtetërore nga paketa financiare e solidaritetit në kushtet e kësaj lufte! Boll! një pakicë e vogël fare individësh të papërgjegjshëm nuk mund të sabotojë sakrificën e një populli të tërë, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të njerëzve të tjerë! Ndjesë 1000 herë, por kjo është luftë dhe s’ka asnjë rrugë tjetër! Frikë aspak, kujdes po! Me hir ose me pahir! Dielli aty do jetë prapë, ndërsa jetët e humbura nuk kthehen më!” shkruan kryeministri.

Edhe për automjetet u vendosën dy fasha orare për lëvizje, në mëngjes dhe pasdite, duke deklaruar se ata që shkelin këtë rregull, do të ndëshkohen me heqjen e patentës.

“Të gjithë ata që ditën e hënë dhe në vijim do të jenë të angazhuar për punë, në sektorin publik apo privat, do të mund të qarkullojnë me automjete vetëm deri në orën 08:00 të mëngjesit dhe nga ora 16:00 deri në orën 17:00 të pasdites. Shkelja e regjimit të qarkullimit të imponuar nga kushtet e luftës me armikun e padukshëm që kërkon pengje në familjet tona, do të ndëshkohet me heqjen e patentës së drejtimit për 3 vjet!”, shkruan Rama.

Ndërkohë prezantohet autorizimi i mjeteve me e-mail nga Policia e Shtetit. Të gjithë personat që do të lëviznin me automjete private duhej të dërgonin e-mail në adresën: policiarrugore@gmail.com

“Të gjitha kompanitë prodhuese duhet të sigurojnë autobusët e transportit të punonjësve dhe akreditimin e tyre (si edhe akreditimin e automjeteve private të personelit) në adresën: policiarrugore@gmail.com. Dhe për çdo sqarim të nevojshëm mbi procedurën, duhet të telefonojnë policinë e shtetit në numrat:0694122223; 0694122224. Lëvizjet e paautorizuara me automjet të kujtdo që nuk ka një arsye pune, sipas kategorive të funksioneve shtetërore apo shërbimeve private të autorizuara, do të dënohen me heqje të patentës 3 vjet dhe sekuestrim të automjetit!”, shkruan kryeministri.

Nuk do të kalonin as dy ditë dhe më 20 mars kryeministri do të njoftonte në facebook ndryshimin e orarit të lëvizjes sërish. Fasha orare 05:00-13:00 do të ishte koha e lëvizjes së këmbësorëve, automjeteve, punës së administratës, dyqaneve, shërbimeve bankare etj.

“Nga nesër regjimi i lëvizjes ndryshon, sepse nuk kemi asnjë orë e jo më ditë për të humbur me edukimin e të pabindurve, të cilëve shumë shpejt do të detyrohemi t’ua kthejmë me të njëjtën monedhë, jo vetëm duke i ndëshkuar me gjobat e sanksionet në fuqi, por edhe duke u ndërprerë çdo lloj ndihme e shërbimi shtetëror! Thirrjet për mirëkuptimin e tyre po mbarojnë! Nga nesër orari i lëvizjes do të jetë 05:00 – 13:00! Ky do të jetë në vijim edhe orari i pikave të shitjes së ushqimeve, ilaçeve apo shërbimeve bankare, si edhe orari i punës së punonjësve të administratës. Nga nesër në orën 13:00, gjatë gjithë ditës së diel, deri të hënën në orën 05:00, do të jetë gjithçka e mbyllur, në të gjitha qendrat urbane të Republikës së Shqipërisë. Në rrugë do të jenë vetëm forcat e policisë, ushtrisë, njësive kritike të shërbimeve shtetërore dhe atyre të kompanive mediatike! Kjo është luftë dhe armiku nuk po largohet, por po afrohet çdo minutë! Prandaj mblidheni mendjen bashkë me mua që duhet të shtrëngojmë çdo ditë vidat e zinxhirëve mbrojtës, nëse nuk duam të na grijë si helmi mizat!”

Ndërkohë nga 29 marsi asnjë qytetar nuk u lejua të lëvizë pa marrë autorizim përmes e-Albania apo mesazh tek numri 55155.Vetëm një përfaqësues nga çdo familje mund të bëjë pazar apo të blejë ushqim ndërmjet orës 5:00-13.00, nga e hëna në të shtunë. Sistemi i lejeve ngjalli jo pak pakënaqësi te qytetarët, të cilët denoncuan mosfunksionimin e tij. Kjo e detyroi qeverinë të hiqte regjimin e gjobave për dy ditë, duke pranuar problemet në sistemin e mesazheve dhe e-Albania.   Në vazhdimësi lëvizja do të ndryshonte sërish, tashmë duke u zgjeruar deri në orën 17:30, duke e argumentuar me uljen e kurbës së të infektuarve.

Ndryshime dhe kontradikta pati edhe në autorizimin e kërkuar për të lëvizur me automjet privat. Pas përcaktimit se kërkesa për autorizim bëhet te Policia e Shtetit, disa ditë më vonë më 17 prill, Rama tha se tashmë kërkesat për autorizim do të bëhen tek e-Albania, duke shkaktuar konfuzion tek ata drejtues automjetesh që e kishin marrë tashmë një autorizim.

“Javën e ardhshme në platformën e-Albania do të merret autorizim javor për ata që janë në punët e lejuara dhe automjeti mund të lëvizë për vajtje-ardhje në punë me vetëm një person në sediljen e pasme, diagonal, i cili mund të jetë vetëm një koleg në të njëjtin vend pune. Kush merr leje, duhet ta lexojë mirë pasojën penale që vjen. Ne do të bëjmë që nesër, mbase që sot mbasdite, një test dhe do të provojmë mirëfunksionimin e këtij instrumenti që i jep fund një faze në policinë e shtetit, me e-mail, ku për shkak të shtrëngesave dhe kujdesit ka pasur masivisht refuzime, edhe mospërgjigje që kanë shkaktuar dhimbje koke. Ndjesë për to, por shëndeti mbi të gjitha”, tha Rama.

I ashpër ka qenë në fjalën e tij deputeti i opozitës, Myslim Murrizi, i cili deklaroi më 16 prill se qeveria po tallet me shqiptarët, për sa u takon masave për frenimin e COVID-19.

“9 akte i keni për të shtuar numrin e të burgosurve në burgje, për të rritur numrin e makinave të sekuestruara, njerëzve të bllokuar, patentave të hequra. 6000 mijë gjoba, në ndalim qarkullimin tuaj. Nga e hëna në të premte i thoni miletit dilni në pazar, të shtunë e të diel i thoni hyni brenda se del virusi në pazar dhe ju kap. Shoh shifra marramendëse nga ministri i tërmetit, i qametit dhe i koronavirusit”, u shpreh Murrizi.

Më tej në një seancë tjetër parlamentare, të mbajtur më 23 prill, ironizoi vendimet e qeverisë për qarkullimin e automjeteve.

“Do t’i lejoj lëvizjet, thotë sulltani, me makinë, por burri në timon, gruaja skiç, do të ulet mbrapa. A i thoni ju që burrë e grua flenë në krevat bashkë gjithë natën, ata që flenë kuptohet se ndopshta ka nga ata që nuk flenë. Ç’është kjo tallje me shqiptarët.  Ky do ta ngasi makinën, por kjo do të rrijë këtu mbrapa, brenda një familjeje, sepse ia ngjit koronavirusin o ky kësaj, o kjo këtij”, tha Murrizi.

Grafiku i të infektuarve, përplasjet e ideve

Grafiku i të infektuarve ditë pas dite në vendin tonë u kthye në një nga temat më të diskutuara, ku nuk munguan deklarata nga më të ndryshmet, aq sa qarkulluan zëra se këtë virus vendi ynë e kishte kaluar që në muajt janar dhe shkurt. Edhe vetë specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, në një intervistë për ABC Ne#s do të deklaronte se Shqipëria ka pasur raste sporadike të COVID-19 që në muajin shkurt.

“Sigurisht që patëm, kemi pasur raste sporadike në fund të shkurtit. Më 28 shkurt janë shfaqur shenjat e para klinike. Ka filluar qarkullimi i sëmundjes, por jo intensiv. Që në fund të janarit ne kemi filluar gjurmimin epidemiologjik të të gjitha formave të rënda, pavarësisht se gripi është një virus i paparashikueshëm. Nuk kishim gjasa që ta masnim, pasi në 7 janar Kina ndau sekuencën dhe iu dha mundësia botës për të përgatitur testet dhe në fund të janarit kemi pasur testet.” tha Bino.

Katër ditë më vonë, më 20 prill, Bino do të përgënjeshtronte deklaratën e bërë, duke thënë në emisionin “360 Gradë” se kjo nuk është e mundur, pasi në spitale do të kishte pasur grumbullime dhe shtim të vdekjeve.

“Nga masat e distancimit fizik kemi një lloj zbehjeje të kësaj epidemie. Parandaluam përhapjen e gjerë komunitare të virusit. Këto elemente duhet t’i monitorojmë hap pas hapi. Rasti i parë është më 9 mars, por gjatë evidentimit të rasteve, ne vumë re që kishte disa raste që shenjat kishin filluar në datën 28 shkurt. Ne nuk kemi pasur epidemi në atë kohë, sepse nuk të fal, pasi do të kishim grumbullime dhe vdekje në spitale. Është një sëmundje që lë shenjën e vet. Mund të kemi pasur qarkullime sporadike të rasteve në shkurt. Pra, nuk kemi pasur epidemi në janar, apo në shkurt, siç është thënë nga disa ekspertë, pasi kjo është një sëmundje që lë gjurmë dhe kemi pasur qarkullim intensiv të gripit”, u shpreh Silva Bino.

Nga ana tjetër, mjekë të ndryshëm në vend deklaruan se ky virus ka qenë prezent në Shqipëri që në muajin janar. Gjatë një interviste për ABC Ne#s më 8 prill, profesori i epidemiologjisë, Eduard Kakarriqi, u shpreh se koronavirusi ka qarkulluar që në janar në Shqipëri.

“Unë dua të vë theksin se OBSH-ja vetëm në datën 27 shkurt ka bërë përkufizimin e rastit për pacientët me sëmundje COVID-19, ky përkufizim rasti i munguar për të gjitha vendet, mund të jetë një bazament që të tregojë se vërtet ka pasur një qarkullim të COVID-19 duke filluar që në janar në vendin tonë. Ky qarkullim ka ardhur duke u rritur për të marrë në fund të javës së dytë të shkurtit deri në fillim të marsit një formë për ulje ngritje, por me një prirje drejt uljes së vet në fund të prillit dhe fillim të majit. Janë fakte pak a shumë jo të drejtpërdrejta që qarkullimi i Covid-it në vendin tonë fillesat i ka në janar”, u shpreh epidemiologu Kakarriqi.

Gjithashtu, Mjeku Gëzim Xhepa më 1 maj argumentoi me ilustrime se koronavirusi “Covid-19” kishte prekur Shqipërinë që prej muajit janar 2020.

“Kam tri javë që i kërkoj Departamentit të Imazherisë të fillojë hulumtimin e imazheve pulmonare të epidemisë janar-shkurt 2020! Sot, falë mikut dhe kolegut tim të nderuar, dr. Renato Osmënaj, imazheristit që ishte i pari, që javën e parë pas zbulimit të të ashtuquajturit rast 0, identifikoi fizionominë dhe identitetin imazherik pulmonar të COVID-19 dhe potencën e ekzaminimit CT ndër ekzaminimet e skemës bazë për diagnostikim dhe përcaktim prognose. M’u ofruan imazhe të pakundërshtueshme të prezencës së COVID-19 në datat 15-20 janar, në disa raste në Infektiv, shkruante mjeku Xhepa në profilin e tij në facebook.

Konfirmimi erdhi nga vetë mjeku imazherist, Renato Osmënaj. “Mjekët janë ankuar se pas 10 janarit kanë pasur nga 200 vizita në ditë me grip. Po ashtu, edhe në Sanatorium ka pasur raste të shumta. Tamponët e gripit sipas ISHP-së që kanë rezultuar negativë për grip, por nuk dihet se çfarë kanë pasur. Nga data 27 janar deri më 2 shkurt rezulton se ka pasur 25 mijë infeksione respiratore. Janë kryer 576 tampone, ku 28% pozitivë për grip dhe 72% negative, u shpreh Osmënaj në emisionin “Tempora” për “RTV Ora”. Osmënaj argumenton gjithashtu se kurba e infektimeve tregon që vendi është prekur nga koronavirusi “Covid-19” prej muajit janar. Në kurbën e krahasuar vjetore ka një tavan të sipërm, të miratuar nga ISHP-ja për 2,8 mln banorë, dhe ky tavan është 19920 raste, ndërsa atë kohë, në janar, kemi pasur mbi 25 mijë raste, kjo quhet epidemi, shtoi Osmënaj.

Por këtë argumetin e mohoi mjeku epidemiolog, Tritan Kalo, pjesë e Komitetit të Ekspertëve, i cili përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” më 9 maj, shkruan se vendi nuk është prekur nga “Covid-19” gjatë muajit janar.

“Kemi pasur mijëra e mijëra raste të gripit A (H1N1) në Shqipëri, gjatë periudhës së mesit të dhjetorit 2019 dhe në fund të shkurtit 2020. Dikush ka studiuar ndryshimet të diagnozës të secilës prej sëmundjeve të përmendura më lart, përfshirë edhe gripin A (H1N1). Imazhet e mëposhtme të GG nuk kanë asnjë lidhje me Sars-Cov2, por ato duken të njëjta dhe u përkasin disa prej sëmundjeve vijuese, kryesisht gripi A (H1N1”), shkroi mjeku Kalo.

Nga ana tjetër, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, më 4 maj, në emisionin “Opinion” në RTV Klan mohoi që Shqipëria të jetë prekur nga koronavirusi prej muajit janar.

“Mund t’ju them që Komiteti i Ekspertëve që përbëhet nga ekspertë, epidemiologë, mjekë që kanë ndjekur prej fillimit shfaqen e sëmundjes ecurinë dhe se si është realizuar investigimi epidemiologjik në Shqipëri, nuk ka asnjë të dhënë shkencore deri më tani për ekzistencën e COVID-19 në muajin janar. Nuk ka asnjë evidencë shkencore, po e përsëris dhe një herë, shkencore, të bazuar mbi një evidencë epidemiologjike dhe jo mbi vështrime skanerësh”, – u shpreh Manastirliu.

Pyetjen lidhur me dyshimet mbi momentin e parë që vendi u përfshi nga koronavirusi “Covid-19”, e shtroi edhe kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes me Komitetin e Ekspertëve, më 7 maj.

Shefja e Infektivit, Najada Çomo, mohoi që vendi të ishte prekur nga “Covid-19” prej muajit janar. “E vërteta është që ne në janar kemi një fluks rastesh, edhe nga infeksione të tjera respiratore. Që në muajin janar ne kemi pasur vëmendje të shtuar, pas rasteve në Kinë. Qoftë muaji janar, qoftë muaji shkurt, nuk kemi pasur raste të shtuara për t’i identifikuar, nuk kishte si të kishim më pak raste, kur nuk kishte masa të pakta, dhe kemi më shumë tani, që masat janë më shtrënguese. Në Shërbimin Infektiv nuk ka pasur kurrsesi në muajin janar persona të prekur nga Covid-19, këtë e them me përgjegjësi të plotë”, – deklaroi Çomo.

Lexo edhe :  VIDEO/ I moshuari dhunon barbarisht macen e varur

Por pavarësisht kësaj, virusi tashmë ishte present, dhe grafiku i të infektuarve shërbente për të treguar shkallën e agresivitetit. Më 13 mars, kryeministri Rama tha në një prononcim në faqen e tij në facebook se dy javët e ardhshme do të jenë ato që na tregojnë se cila është shkalla e agresivitetit të virusit në vendin tonë.

“S’kemi parë gjë akoma dhe kjo pa shaka. Kini parasysh se dy javët e ardhshme janë ato që do të na tregojnë shkallën e agresivitetit të virusit. Rritja e numrave do të vijojë dhe sot nuk e dimë se sa do të rritet kurba. Është e sigurt që çka po bëjmë bashkarisht është e vetmja rrugë për të penguar rritjen. Ajo që dimë është se sa më shumë të shtrëngohemi sot, aq më shumë e kemi bërë tonën përballë këtij armiku që vjen bashkë me të panjohura të mëdha”, tha kreu i qeverisë.

Deklaratat e mjekut Pëllumb Pipero gjatë Covid-19

Një tjetër figure, e cila ishtë thuajse e përditshme në ekranet shqiptare që në momentin e parë  për të treguar për ecurinë e koronavirusit në vend, ishte mjeku infeksionist Pëllumb Pipero. Më 24 shkurt, gjatë një interviste në televizionin A2, mjeku Pipero u shpreh se gripi stinor është një rrezik më i lartë për qytetarët sesa koronavirusi.

“Kambanat për koronavirusin bien, sepse është virus i ri dhe ka shumë të panjohura, por vdekshmërinë e ka më të ulët se 2 për qind. Duke iu referuar shifrave, në të njëjtën periudhë, janë prekur më shumë persona nga gripi i zakonshëm. Rrezik më i madh për qytetarët është gripi stinor, sesa koronavirusi”, u shpreh mjeku.

Duhet të kalonin pak ditë dhe në një intervist për ABC News, më 10 mars, Pipero theksoi se jemi në fillimet e një epidemie dhe tashmë situata është kritike.

“Ne ishim në emergjencë globale, ishim dhe nuk mund ta quaj se Shqipëria ka hyrë në një emergjencë kombëtare, por situata është kritike dhe, duke pasur rastet e para dhe shumë të tjera në vëzhgim, mund të them se jemi në fillimet e një epidemie. Duke qenë se situata është kritike, mund të kemi edhe shumë më tepër raste. E rëndësishme është dëgjimi i këshillave. Secili duhet të ndjekë një disiplinë ushtarake. Nuk është nevoja të dalim pa pasur nevoja immediate”, u shpreh Pipero.

Më 27 mars, në një intervistë për Euronews Albania, mjeku Pipero parashikoi për javën e ardhshme shtim të rasteve me Covid në vend, duke theksuar që nëse qytetarët zbatojnë rregullat e vëna nga qeveria, në dy javët e para të prillit rastet duhet të vijnë në rënie.

“Më tej na mbetet të presim efektin e masave që ka marrë qeveria dhe të shohim nëse qytetarët i kanë zbatuar ato. Nëse qytetarët kanë ndjekur rregullat e vendosura nga qeveria, kanë qëndruar brenda dhe kanë ndjekur këshillat tona, në dy javët e para të prillit rastet duhet të vijnë në rënie. Në një rast të tillë besoj që edhe masat që do të merren nga qeveria do të vijnë duke u lehtësuar. Mendoj se kjo epidemi do të zgjasë në rastin më të mirë 4 muaj”, tha Pipero.

Më 30 mars Pëllumb Pipero dha përsëri lajmin e mirë. Gjatë një bisede telefonike me TV Fax News Pipero tha se kjo javë do të tregojë arritjen e pikut, por pas kësaj jave beson se do të ketë ulje të numrit të të infektuarve në vend. “Nuk besoj se e kemi arritur pikun, kjo javë do të na tregojë, jam i bindur se kjo javë do të tregojë shumë. Ata që janë pozitivë dhe qëndrojnë në shtëpi nuk duhet të përdorin asnjë medikament pa konsultën e mjekut. Në dijeninë time rastet që qëndrojnë në shtëpi nuk janë të sëmurë, por të infektuar. Në asnjë mënyrë pa këshillën e mjekut medikamente. Është e vështirë të jap një mendim të saktë për atë që vjen. Mendoj se pas kësaj jave ose do mbeten në këto shifra, ose do vijojnë të bien”, u shpreh Pipero.

Me hyrjen e muajit prill, mjeku shprehet se situate do të lehtësohet javën që vjen, por më shumë akoma në javën e tretë të prillit. “Gjithnjë kam menduar se kjo javë do jetë maksimumi i mundshëm i rasteve në një ditë, java tjetër do jetë e qëndrueshme, besoj që në javën e tretë pandemia fillon e zbutet dhe kalon në regres dhe në vendin tonë. Shpresoj që kjo pandemi të respektojë këto ligje thelbësore të epidemive gjithsesi është një virus me shumë të panjohura, shpresoj të jetë kështu”, u shpreh Pipero në një intervist për Abc News.

Ndërkohë i pyetur nga gazetarja Esmerlada Mulaj më 8 prill, se kur pritet rritja e kurbës së pandemisë në Shqipëri, Pipero konfirmoi se kjo kurbë ka ndodhur javën e kaluar. “E kemi pritur si lajm optimist, por është shpejt për t’u gëzuar. Unë kam menduar se kjo javë do të ketë ulje të numrave, por jo shumë të madhe. Do të jetë si të thuash si një sheshpushim. Kjo është një ecuri logjike e kurbave epidemike në përgjithësi. Unë besoj që pikun kurba tek ne e ka arritur javën e kaluar. Gjithsesi, është një lajm i mirë, sepse ishin rreth 180 mostra dhe kanë qenë vetëm 6 pozitive. Pra, do të thotë së është zgjeruar numri i kontakteve dhe përqindja e pozitivitetit ka rënë. Kjo është logjika e kësaj shifre”, tha Pipero.

Ajo çfarë habiti ishte deklarata e dhënë nga Pipero më 25 prill, gjatë një lidhjeje  live për “News 24”, kur tha se është ende negative ndaj Covid-19, por do të donte të ishte pozitiv. I pyetur nga moderatorja nëse e ka kryer testin ndaj Covid-19, Pipero ka thënë se po, e ka kryer, por ka rezultuar negativ. Më tej ai shton se do të dëshironte të binte në kontakt me koronavirusin. ”Po, e kam bërë testin, jam negativ akoma, por do të doja të isha pozitiv, të kisha rënë në kontakt me koronavirusin.” – tha Pipero.

Së fundi me hyrjen e muajit maj, në një prononcim për DW, Pipero theksoi se është e pamundur që për pandeminë COVID-19 të bëhen parashikime.

“Kemi të bëjmë me një virus të ri, nuk kemi ende të dhëna të mjaftueshme për të. Por mund të them se deri tani epidemia në Shqipëri ka ecur me një tendencë të qëndrueshme, ulje rastesh të reja si në aspektin epidemiologjik, pra më pak raste të konfirmuara pozitive, ashtu edhe në atë klinik, më pak raste të shtruara në spital”, u shpreh Pipero për DW.

Bonusi për mjekët 

Duke qëndruar tek bluzat e bardha, më 15 mars, kryeministri Rama premtoi 1000 euro pagesë shtesë për muajin mars e në vazhdim për të gjithë mjekët dhe infermierët, madje edhe vullnetarët që iu përgjigjën thirrjes për ndihmë.

“Mbi 1000 mjekë e infermierë i janë përgjigjur deri tani thirrjes për t’u regjistruar si vullnetarë të gatshëm për orët më të vështira në vijën e zjarrit. Mirënjohje për këtë gjest prekës humanizmi e patriotizmi në këtë moment kaq përcaktues për shëndetin e popullit shqiptar. Paga e marsit do të ketë një bonus 1000 euro për mjekët dhe infermirët, i cili do të vazhdojë deri në përfundimin e situatës. Ky bonus do t’u jepet dhe vullnetarëve. Java që vjen do të vijë me numra të ngritur, dhe ne duhet të jemi të përgatitur”, deklaroi kryeministri.

Më 7 prill, pas reagimit të mjekëve dhe infermirëve të Spitalit Rajonal në Lezhë në lidhje me shpërblimin që kanë marrë nga qeveria, ku iu ishin kaluar vetëm 5 mijë lekë të reja, Rama shkruan në Facebook se shpërblimi për mjekët dhe infermierët do të jetë për ata që janë ne vijën e parë të zjarrit.

“Unë e kam thënë shqip që do të paguajmë 1000 € mbi pagën për mjekët e infermierët në Vijën e Zjarrit! Kush ka ngatërruar vijën e zjarrit në spitalet Covid e në autoambulanca, me detyrën e bluzës së bardhë në territor, duhet të kthjellohet e të mos turpërojë bluzën e bardhë!”shkruan Rama.

Gjobat

Nëse nga njëra anë qeveria premtoi përmes paketa ekonomike ndihma për shtresat më të prekura dhe bizneset, në anën tjetër pati edhe gjoba për “të pabindurit” e karantinimit.

Një muaj pas hyrjes në fuqi të aktit të parë normativ me masat ndëshkuese që parashikoheshin, kryeministri Rama ndryshoi qëndrim. Më 17 prill dha lajmin se 7107 gjoba për këmbësorët dhe 1941 gjoba për drejtuesit e automjeteve, që nga fillimi i pandëmisë, do të falen. Po ashtu, u rikthyen patentat dhe makinat e bllokuara. Sipas kryeministrit, ky veprim u bë për ta nisur të gjithë të barabartë hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kodin Penal.

“Sot dua t’ju jap një provë të thjeshtë, se ndëshkimet nuk janë plan për t’u bërë si Enveri, siç më akuzojnë, por domosdoshmëri për të forcuar mbrojtjen. Janë ekzekutuar deri tani 7107 gjoba për këmbësorët dhe 1941 gjoba për drejtues automjeti,të cilat janë shoqëruar me pezullim të lejes së drejtimit për tre vite dhe bllokim të makinës. Ne sot kemi vendosur mosekzekutimin e këtyre gjobave dhe kthimin e të gjitha patentave dhe të të gjitha mjeteve të bllokuara. Javën e ardhshme, me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal, le të startojnë të gjithë të barabartë”, tha Rama.

Shqipëria në shtetrrethim – ndalimi i fluturimeve 

Me përhapjen e COVID-19 në botë, një nga reagimet e para të vendeve ishte mbyllja e kufijve dhe pezullimi i fluturimeve ndërkombëtare, ndërsa më pas edhe kufizimi i lëvizjes brenda vendit.

Më datë 9 mars të gjitha fluturimet nga Tirana drejt veriut të Italisë dhe anasjelltas u pezulluan deri më 3 prill, si masë kundër përhapjes së koronavirusit.

Autoriteti i Aviacionit Civil, në zbatim të vendimit të qeverisë, lajmëroi pezullimin e fluturimeve nga Shqipëria në drejtim të Italisë dhe anasjelltas, për shkak të situatës së koronavirusit. “Në vijim të situatës së krijuar në Itali, për shkak të përhapjes së COVID-19, masave të marra nga qeveria italiane për vendosjen e karantinës në veri të Italisë, si dhe masave parandaluese të përhapjes së virusit në vendin tonë, në zbatim të urdhrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndalohen të gjitha fluturimet për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, njoftoi AAC.

Ndërkohë në kuadër të masave parandaluese për koronavirusin,  më 11 mars u vendos se të gjithë ata që hyjnë në Shqipëri dhe vijnë nga zonat e kuqe nga shteti fqinj Italia, zona në izolim, duhet të vetëkarantinohen për 14 ditë në shtëpitë e tyre, dhe do të jenë nën mbikëqyrjen e mjekëve.

Por këto vendime hapën debate të shumta mes figurave të ndryshme në Shqipëri, pasi u konsideruan të vonuara. Në lidhje me këto pretendime, më 12 mars Rama deklaroi se mbyllja e kufijve, sidomos e linjave të fluturimit me Italinë, nuk do ta ndalte përhapjen e koronavirusit. Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryeministri Edi Rama theksoi se kufiri i Shqipërisë nuk mund të mbyllej më herët, për shkak se do të godiste rëndë ekonominë. “Ne kemi vepruar në kohën duhur, sepse askush nuk ka reaguar me masa drastike përpara shfaqjes së virusit. Sepse masat drastike përpara shfaqjes së virusit nuk bëjnë asgjë tjetër veçse godasin rëndë zinxhirin ekonomik dhe nuk pengojnë virusin. Nëse mbyllja e kufijve do ta pengonte virusin të vinte në një vend, atëherë do të ishte e pamundur që të kishte ndodhur murtaja e Mesjetës. Asnjë vend nuk ka mbyllur kufijtë përpara shfaqjes së virusit në territorin e vet”, u shpreh Rama.

Kjo deklaratë bie në kundërshtim me mendimin e disa figurave të tjera në vend. Më 28 prill arkeologu dhe historiani, ish-ambasadori Neritan Ceka, në një lidhje skype me Fax News, foli  për masat e marra nga ana e qeverisë shqiptare, në kushtet e pandemisë. Sipas Cekës, pati një vonesë në mbylljen e kufijve, veçanërisht nga Italia, e cila duhet të ishte kryer një javë më parë, ndërsa shtoi se në vendin tonë ekspertët dhe specialistët e shëndetësisë janë nënvlerësuar.

“Shqipëria u gjet e papërgatitur për sa i takon personelit mjekësor, duhet të ishte hyrë që një javë më parë në izolim, por në përgjithësi gjithçka është menaxhuar mirë. Në javën e parë u bënë disa gabime, pati një eufori se Shqipëria do të ishte e paprekur, gjë që ishte e gabuar, sa kohë që 1/6 e shqiptarëve ndodhen në Itali, që ishte vatra më e nxehtë”, u shpreh Ceka.

Arsimi, masat e marra dhe kthimi i nxënësve në shkollë

Gjatë dy muajve të fundit sistemi arsimor është një tjetër sektor i cili është prekur nga ndryshimet e rregullave në mënyrë të shpeshtë, për shkak të pandemisë Covid-19.

Sapo u konfirmua i infektuari i parë me virus në vend, më 9 mars në një konferencë për mediat, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, u shpreh se shkollat do të mbyllen deri më 23 mars, për një periudhë dyjavore, për shkak të epidemisë.

“U vendos nga Task Forca për koronavirusin që të mbyllen institucionet arsimore për një periudhë dy javore, deri më 23 mars 2020. Kjo për arsye frenimi të përhapjes së virusit COVID-19, i cili është shfaqur në dy raste në Shqipëri. Masa është parandaluese dhe frenuese – nuk ka asnjë nevojë e arsye për panik”, u shpreh Shahini. Gjithashtu, Ministria e Arsimit, po në 9 mars mori vendimin që të ngrihen klasa virtual. “Jemi duke bërë një plan të rrimë në kontakt me prindërit, t’u japin instruksione fëmijëve dhe t’i bëjnë detyrat në kushte shtëpie. Të komunikojnë në #hatsapp, t’i orientojnë fëmijët të punojnë nga shtëpia, me video të shkurtra në grup. Do të jenë klasa të vogla virtuale në telefona”, sqaroi ministrja.

Ndërkohë më 19 mars ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka treguar gjatë një lidhjeje direkte me Abc Ne#s se afati për mbylljen e shkollave dhe të çerdheve në vend do të shtyhet. Tashmë, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka marrë vendimin dhe ka sugjeruar për shtyrjen e shkollës, kopshtet dhe çerdhet deri në datën 3 prill.

Gjatë fjalës së saj ministrja u shpreh: “Komiteti Teknik i Ekspertëve ka marrë vendimin dhe më ka sugjeruar për shtyrjen e shkollës, kopshtet dhe çerdhet deri në datën 3 prill.”

U desh të kalonin disa ditë nga mësimi virtual me nxënësit e sistemit parauniversitar, që kjo praktikë të aplikohej në 19 mars edhe në universitete.  Pas reagimeve të shumta rreth datës se kur do të mbyllej viti shkollor 2019-2020, Shahini u shpreh më 27 mars se ky vit shkollor nuk do të përfundojë më herët. “Viti shkollor nuk do të përfundojë më herët, shpresojmë të mos shtyjmë provimet e maturës”, u shpreh Shahini.

Ndërkohë më 9 prill ministrja e Arsimit, përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, bëri me dije se notat që nxënësit marrin gjatë periudhës së mësimit në shtëpi do të jenë orientuese dhe jo formale apo finale. “Së pari, mësuesit i njohin shumë mirë nxënësit e tyre. Nëse një herë ata sjellin një detyrë të zhvilluar shumë mirë, sesa është zhvilluar gjatë vitit, atëherë mësuesi e di se nxënësin ose e ka ndihmuar dikush, ose ka kopjuar nga libri. Natyrisht, nxënësi mund të penalizohet. Së dyti, kjo që po ndodh, ndërsa mësimi zhvillohet në kushte shtëpie, është një vlerësim orientues. Pra, nuk është notë formale dhe finale. Nota formale dhe finale vendoset kur të kthehemi në shkollë dhe nxënësi pyetet prapë ose testohet prapë për leksionet që janë zhvilluar në këtë kohë apo edhe leksionet që janë zhvilluar më përpara”, shprehet Shahini.

Vetëm pak ditë më vonë nxënësit vijonin të ishin në dilemë rreth kthimit në shkollë. Vetë Shahini më 13 prill, gjatë një interviste për Report Tv, u shpreh që nëse nuk do të krijohet mundësia që brenda majit nxënësit të shkojnë fizikisht në shkollë për të marrë drejtpërdrejt nga mësuesit leksionet online gjatë karantinës, viti shkollor mund të shtyhet me një muaj. “Nëse nuk arrijmë t’i hapim shkollat në maj, atëherë duhet që ta shtyjmë pak vitin shkollor dhe po e them vazhdimisht në të gjitha komunikimet e mia publike dhe po e përsëris edhe sot”, tha ministrja.

Pas debateve të shumta rreth kthimit në shkollë më 28 prill merret vendimi, shkollat rihapen në shtator, vetëm maturantët rikthehen në banka tri javë 18 maj – 5 qershor, të tjerët vazhdojnë mësimin nga shtëpia. “Kemi vendosur të hapim shkollat për maturantët nga data 18 maj deri 5 më qershor për lëndët e maturës shtetërore. Mësimi nga shtëpia do të vijojë nga klasa e parë deri në të 11-n deri në fund të majit, datë 29. Hapja për maturantët do të zbatohet duke zbatuar rregullat e distancimit social. Arsyeja pse nuk i hapim të gjitha ka të bëjë me numrin e madh të nxënësve që kemi në shumë shkolla”, tha Shahini.

Në një deklaratë tjetër të dhënë për Report Tv, ministrja e Arsimit më 13 prill u shpreh se viti shkollor nuk do të përsëritet. “Do të lejojmë rastet individuale, por jo një gjeneratë të tërë. Ne shpresojmë që do të arrijmë të kthehemi në objektet shkollore para fundit të vitit shkollor, se do ishte mirë të bënim 1 ose 2 javë para se të mbylljes së vitit shkollor. Ne po përgatitemi për cilindo skenar, edhe sikur mos të kthehemi në shkollë. Duhet ta mbyllim vitin shkollor, nuk duhet ta përsëritim këtë vit shkollor. Edhe pse kemi prindër që na pyesim, rastet individuale edhe do i lejojmë, por jo si gjeneratë e tërë. Testet e maturës do të realizohen. Këto janë qëllimet, duhet të ecim përpara me këtë plan”, tha Shahini.

Ndërkohë, 15 ditë më vonë, më 28 prill, ministrja e Arsimit u shpreh se kushdo është i lirë të përsërisë vitin shkollor, nëse dëshiron.

“ Kush do ta përsërisë vitin, është i lirë, edhe maturantët. Nëse ka prindër të cilët duan që fëmijët ta përsërisin vitin shkollor, duhet të njoftojnë më parë. E njëjta thirrje vlen edhe për maturantët”, tha Shahini.

Pas përcaktimit të datës për rikthimin e maturantëve në shkolla, më 30 prill Shahini vendosi kthimin në auditore për 3 javë të studentëve që do të diplomohen.

“Studentët që diplomohen do të kthehen në auditore për tri javë në qershor, provimet në korrik dhe gusht. Bazuar mbi këto propozime, MASR nxori sot një urdhër që kërkon nga universitetet publike marrjen e disa masave për mbylljen e drejtë dhe të suksesshme të vitit akademik. Urdhri ka katër elemente kryesore: elementi i parë kërkon që të prioritizohet puna me studentët që diplomohen në të gjitha ciklet e studimeve të tyre. Duke marrë parasysh se mësimi online i ka vendosur në situatë të pabarabartë studentët, duhet të mundësohet kthimi në auditorë për përsëritjet apo edhe seminare dhe laboratorë, për një periudhë 3 apo 4-javore gjatë qershorit 2020. Provimet dhe riprovimet për studentët që diplomohen në të gjitha ciklet e studimit zhvillohen në muajin korrik dhe javën e parë të gushtit”, tha Shahini.

Ndërkohë pas vendimit të marrë më 28 prill për rihapjen e shkollave në shtator, më 5 maj ministrja e Arsimit, Besa Shahini, tha se do të vendoset nga vera, nëse viti shkollor do të nisë me përpara apo si gjithmonë, në mes të shtatorit. “Në verë do të marrim vendim, nëse viti shkollor fillon më herët apo në mes të shtatorit, si zakonisht. Do të bëjmë planifikim të temave se kur zhvillohen ato dhe të jemi mundësi që të gjithë nxënësit të trajtojnë të gjitha temat në të njëjtën kohë, e kemi centralizuar pak procesin mësimor”, tha Shahini./Fjala

Të fundit

“U largova nga futbolli pasi nuk e njihja më”,Klose: Të rinjtë e kanë mendjen tek makinat

Miroslav Klose është një nga ata që ka shkruar historinë me fanellën e kombëtares së Gjermanisë, por edhe Bayern...

Shtatzënia përshpejton plakjen, por ja çfarë ndhodh pas lindjes

Ndryshimet e thella fizike, hormonale dhe kimike që lidhen me shtatzëninë mund të bëjnë që ora e plakjes të kthehet më shpejt, duke i dhënë moshës biologjike të...

“Eglën e njoh shumë mirë…”/Hygerta Sako zbulon detaje për banoren jashtë shtëpisë së BBV

ot e ftuar në emisionin “Big Brother Radio” ka qenë gazetarja Hygerta Sako, për të bërë një analizë të lojës së banorëve dhe për...

Aktiviteti elektoral i presidentit Biden me ish-presidentët Obama e Clinton,shënon rekord

Shuma e dhurimeve është një demonstrim i mbështetjes së demokratëve për presidentin Biden në një periudhë kur anketimet vazhdojnë të tregojnë nivele të ulëta...

Ngacmimet nga interneti/ Tirana në vend të parë për numrin e denoncimeve

Bullizimi dhe dhuna përmes rrjeteve sociale po përhapet edhe në qytete të vogla. Kuçova, është qyteti i dytë pas Tiranës që ka raportimet më...

Lajme të tjera

Web TV