Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë sot në mbledhjen e rradhës së Komisionit për Integrimin Evropian.
Cakaj raportoi pranë Komisionit lidhur me punën që është bërë deri më sot dhe detyrat e vendosura në të ardhmen, për të përparuar drejt anëtarësimit në BE.
“Pavarësisht pandemisë COVID-19, puna e Shqipërisë për ngritjen e grupit negociator, përgatitjet teknike për zhvillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE dhe përmbushjen e të gjitha detyrimeve që janë përcaktuar nga përfundimet e Këshillit, ka vazhduar pandërprerë”, u shpreh Cakaj në një reagim në Facebook lidhur me pjesëmarrjen e tij në këtë takim.
Gjithashtu, ai theksoi se fillimi i negociatave është jo vetëm kurorëzim i reformave madhore, që ka bërë Shqipëria në pesë prioritetet kyçe por, edhe hapje e detyrave të reja që kërkojnë punën e pakursyer të gjithsecilit e bashkëpunimin e të gjithëve.