“Netëve të Klipit Shqiptar”, një edicion i përvitshëm që ka krijuar një traditë, pritet jo me pak interes nga teleshikuesit shqiptarë. Ky edicion është unik në stilin e tij, sjell në konkurim prodhime të videove muzikore nga të gjitha trojet shqiptare.
Mësohet se këtë vit emra të njohur, profesionistë në fushat e tyre, do të jetë ata që do të gjykojnë klipet e prezantuara këtë vit në spektaklin “Netët e Klipit Shqiptar”. Saimir Kumbaro, Stefi Prifti, Alida cenaj, Hygerta Sako, Armand Peza, Ergys Zhabjaku dhe Suela Bako do të jenë profesionistët që do të gjykojnë 48 klipet në konkurim të këtij viti.
Ky edicion është organizuar pak ndryshe nga vitet e tjera, i kushtëzuar nga këto kohë pandemie që po jetojmë. Janë transmetuar në ekranin e RTSH, 7 emisione që janë klipet në konkurim dhe që i paraprijnë natës gjysmëfinale dhe finales së madhe.
Koncepti i këtij viti i “Netëve të Klipit” është ndërtuar në përshtatje me kushtet e pandemisë. Regjistrimet janë kryer në zbatim të kushteve të karantinës, panelet me shumë personazhe janë hequr nga skenari, ndërsa intervistat janë kryer me Skype, nëpërmjet rrjeteve sociale etj. Emisionet e së dielës, të transmetuara në RTSH, janë prezantuar nga gazetarja Dasara Karaiskaj ndërkohë që nata finale do të ketë prezantuese Arjola Shehu.
Siç kanë treguar organizatorët gara e këtij viti do të jetë e fortë. Klipe cilësorë, emra të njohur të skenës, por edhe artistë të rinj kanë realizuar prezantime të denja për një garë të fortë. Sa për finalen, producenti Petri Bozo ka thënë se ka ende dy plane, në varësi të kushteve të pandemisë. “I vetmi problem është që nata Gala kërkon një grumbullim të njerëzve dhe ne do të organizohemi që të respektohen masat duke ruajtur distancat, ka thënë. Plani ynë ka qenë që finalja të mbahej në Ulqin, por një plan tjetër është të bëhet një lloj koncerti ku do të ndiqet nga njerëzit në ballkone. Le të jemi pak optimistë dhe të ruajmë shumicën e surprizave”,ka thënë Bozo./Fjala
Fjala është e lirë. Liria është fuqi!
E-mail : info@fjala.al
Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Fjala.al. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e FJALA.al, është shkelje e të drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi.
FJALA MEDIA GROUP
NUIS/NIPT : L92423005H