Artan Fuga posaçërisht për gazetën “Fjala”/Mësimi online dhe armiqtë e tij: Aleanca e mëkatarëve kundër progresit!

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Artan Fuga posaçërisht për gazetën “Fjala”

I thonë shpesh gabimisht mësimi online. Këtë term përdor edhe Ministria e Arsimit në urdhrat e saj, paçka se komunikimi online nuk është veçse njëra nga mënyrat e komunikimit me teknologjitë e reja të informimit dhe komunikimit.

Por, nuk është ky problemi ynë këtu. Meqë publiku është mësuar me këtë gabim, le ta përdorim dhe ne këtë term thjesht si metaforë komunikimi.

Pasi në kushtet e mbylljes të shkollave dhe universiteteve u punua një kohë të gjatë me mësimin në distancë online, papritur u theksua që nxënësit, madje edhe studentët kanë nevojë të kthehen përsëri në auditor, nën rrezikun e infektimit, madje edhe të rrezikut ndaj jetës, sepse sipas këtij mentaliteti «mësim i vërtetë» është ai kur të gjithë ndodhen fizikisht në auditor!!!

Përtej një problemi që lind nga mendësi konservatore të tipit të kuptimit të shkollës si kazermë ushtrie ku ushtarët dhe oficerët duhet të jenë të pranishëm fizikisht, përveç moskuptimit të web-it si një instrument i fuqishëm dijesh, ndofta më i fuqishmi që ka nxjerrë mendja e njeriut, gjykoj se çështja është më e thellë.

Forcat retrograde të shoqërisë nuk e duan mësimin online, sepse ai rrezikon pushtete arsimore dhe universitare, rrezikon autoritete politike dhe burokratike të vendosura mbi urdhrin dhe presionin, rrënon pushtetin e politikës mbi dijen, shpartallon pushtetin autokrat të dijes së vjetruar të atij grupi pedagogësh që janë poshtë një niveli të pranueshëm mbi studentët, rrënon korrupsionin, gjuan fort mbi tenderat dhe aferat korruptive që gëlojnë gjithandej.

Nuk ndodh vetëm me mësimin online që kërkuan ta konsiderojnë si kanal komunikimi të dorës të dytë, në krahasim me mësimin në auditor. Kështu, njëlloj nuk duan votimin online, nuk duan kalimin e njësive të shitjes online për pagesat e blerjeve të përditshme, nuk dëshirojnë të shfrytëzojnë raportimin direkt online të gazetarit, sepse duan ta kontrollojnë informacionin në newsroom-e etj.

Po ndodh ajo që është historike. Teknologjia e re gjithmonë ka cenuar aktorët e vjetër shoqërorë që në momentin e dhënë kanë pasur në dorë pushtetin dhe kanë dashur ta mbajnë me thonj e me dhëmbë atë, edhe duke vendosur barriera kundër teknologjive të reja.

Le ta shohin se çfarë tronditjesh politike, sociale, kulturore dhe të hierarkive të vendosura do të sillte kalimi në një masë të konsiderueshme i mësimit në nivele të ndryshme online?

Së pari, do të binte alibia e pushteteve politike të radhës që maturantët duhet të shprehin si përpara llambës të Aladinit 10 dëshira se ku duan të studjojnë dhe pastaj të jetë serveri i Ministrisë së Arsimit që i degdis ata atje ku ai dëshiron.

E gjithë kjo procedurë që u heq lirinë e zgjedhjes studentëve, bëhet duke u mbështetur tek alibia që, po qe se të gjithë studentët do të dyndeshin në të njëjtin fakultet, degë a profil studimesh, nuk do të kishte mundësi përballimi nga ana e fakultetit përkatës: «Ju e dini të dashur maturantë se edhe hapësirat e sallave janë të kufizuara!!!»

Duke u përdorur komunikimi online për qëllime mësimore në universitete private dhe publike, kjo alibi bie! Studenti shkon atje ku dëshiron, madje jo vetëm studenti i Shqipërisë, por krijohet një qarkullim i lirë i flukseve studentore në të gjitha trojet mbarëshqiptare ku flitet shqip. Por pushteti humbet psikologjikisht dhe realisht fuqinë për të qenë ai që në fund të fundit vendos për dëshirat e rinisë dhe kështu kontrollon edhe sjelljen politike të familjeve të tyre anë e mbanë Shqipërisë.

Presioni i politikës mbi universitetet dhe mësimdhënien bie. Kalimi në një masë të madhe i studimeve online demokratizon edhe më tej arsimimin e tyre.

Por kjo çështje nuk kufizohet këtu. Është edhe më e spikatur. Marrëdhënia midis studentëve dhe pedagogëve bëhet më horizontale, më komunikative, dhe humbet shumë nga vertikaliteti autoritar dhe burokratik i mësuesit dhe pedagogut në klasë.

Ka pedagogë që do të ishin të lumtur për sa më sipër, por siç vihet re ka edhe pedagogë që kanë tmerr nga kjo gjë. Ndodh kështu për shumë arësye. Pedagogu që nuk është në nivelin e duhur dhe e ka kthyer mësimdhënien në një perandori ku është ai që në një mjedis të mbyllur dhe të izoluar jep informacionin shkencor, bazuar ekskluzivisht te leksionet e tij bajate, që pyet studentin në provim dhe pastaj po ai i vendos edhe notën, ka frikë nga kalimi i komunikimit online. Studenti atje e regjistron dhe madje mund të ftojë ta shohin e dëgjojnë leksionin njerëz nga i gjithë planeti. Lëre më nga Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Gjirokastra, Elbasani, Korça, e kështu me radhë. Ajo që ndodh fshehtazi dhe mbyllurazi në një klasë me dyer me kyç, tani do të shihet botërisht. Ka nga këta pedagogë që edhe kur thonë se bëjnë mësimin online e kuptojnë këtë sikur kanë dalë dhe flasin në televizion. Fol, fol, fol ! Nuk arsyetojnë se janë në një media bazuar në teknologji të reja të komunikimit që kërkojnë interaktivitet të spikatur. U duket se një leksion online nuk është veçse leksioni që bëjnë prapa ndonjë tavoline në sallë, por i regjistruar me kamera. Çfarë keqkuptimi !!! Puna është se online nuk i dëgjojnë vetëm studentët e shkretë që nuk bëzajnë, por i dëgjojnë edhe specialistë të fushave përkatëse, që veçse tallen me ta! Një estradë e vërtetë ndodh! Niveli i këtyre pedagogëve që nuk dihet fare se si janë marrë në punë me duzina, për qëllime elektoraliste në fakultete të ndryshme, del në dritë të diellit.

Autoriteti i tyre rrënohet, sepse është fals. Atë e rrënon vetë fakti se online, një student e ka fare të lehtë ta kontrollojë saktësinë e dijes që merr, e krahason me leksione online që gjen nëpër website të tjera, dhe kështu paaftësia e pedagogut të dobët shfaqet qartë. Për më tepër, studentët online nuk janë një turmë amorfe individësh të rrasur nguc e nguc në një sallë me qindra vetë, por janë individë që kërkojnë një mësim të personalizuar. Një pedagog – një student. Komunikimi për leksione online nuk është më nga Njëri tek të Shumtët, por nga Njëri tek Tjetri. Ai nuk është njëkalimësh, por dykalimësh, nuk është vetëm vertikal, pra nga pedagogu te studentët, por edhe horizontal, nga studenti te studenti, madje ky edhe pa u konstatuar dot nga pedagogu.

Lexo edhe :  Masat anti-Covid/ Shqipëria mbyllet 10 orë, mësim online në 10 qytete

Komunikimi online rrëzon edhe mitin e burokracisë universitare. Një burokraci që i ka ndarë universitetet në fakultete, fakultetet në departamente, sikur të ishin kuti konservash. Dhe studentët janë konservat e ndara në kuti që as lejojnë të hyjë gjë në to, as të ketë rrjedhje prej tyre. Mësimi online e lejon studentin të shkojë ta ndjekë leksionin për një lëndë atje ku ai mendon se është pedagogu më i mirë dhe që ai përfiton më shumë. Jo vetëm brenda një fakulteti, por edhe brenda një Universiteti, ose më shumë edhe midis rrjetit ta zëmë të universiteteve publike ose private. Muret bien, sepse nuk kanë më funksion. Web-i ka shkatërruar realisht muret e kalave dhe të burgjeve të fakulteteve, departamenteve, universiteteve. I ka bërë pa funksion. Ka kapërcyer dukshëm ligjin për arsimin e lartë që i takon shekullit të 19-të dhe e lë Shqipërinë një ose dy shekuj pas.

Por ndarjet mes departamenteve, fakulteteve, universiteteve, duhen pas kësaj thjesht për të ndërtuar hierarkitë administrative universitare, për të ndërtuar zonat e elektoratit nën kontroll, për të ruajtur statute të panevojshme që i bëjnë hallkat nga studenti te rektori të jenë shkallët e lodhshme të një piramide pa funksion: student-pedagog-zëvendësdekan-dekan-zëvendësrektor-rektor. Sipas çdo departamenti, fakulteti, universiteti. Kurse mësimi online i fshin këto ndarje dhe prandaj fshin për pasojë kufijtë realë midis strukturave mësimore-burokratike, fshin hierarkitë e tepruara, fshin të gjithë një administratë që me teprimet e saj harxhon për roja, riparime, nëpunës, paga, orendi, elektricitet etj.

Struktura bazë, ajo më e rëndësishmja e marrëdhënies në transmetim dijesh midis pedagogut dhe studentit del mbi ujë, nga e ndodhur në fund të piramidës universitare ngrihet në majë të saj. Ajo marrëdhënie nuk ka më nëpër këmbë një burokraci që kërkon të kontrollojë pushtete, para, tendera, lidhje sociale të dyshimta me politikën, ndere të pamerituara, paga të larta etj.

Sigurisht, nuk është fjala që mësimi në auditorë të dalë nga funksioni. Kjo do të kishte qenë vërtet e pamundur dhe shkatërrimtare. Ideja është që qysh tani mund të shihet mundësia që mësimi me prani fizike offline dhe mësimi online të kenë barazpeshim në programin mësimor dhe në metodat e mësimdhënies. Mund të ndahen 50% dhe 50% si fillim dhe gradualisht të priren drejt mësimdhënies nëpërmjet teknologjive të reja të komunikimit. Një projekt pilot për këtë mund të realizohej menjëherë për vitin akademik 2020-2021.

Kështu edhe studentët do të kishin si burime informacioni jo thjesht tekstet në letër, por një shumëllojshmëri platformash duke u prirur drejt platformave digjitale online, si edhe multimediale, pra jo vetëm tekst, por edhe zë, tingull, imazhe fikse, imazhe të lëvizshme, infograma etj. Por, kjo do t’i jepte një goditje të rëndë industrisë spekulative të teksteve të dyshimta në letër, gjithë një bote interesash privatë që lidhen me shitjen e teksteve me detyrim studentëve, aq më tepër të teksteve me përmbajtje të dyshimtë. E gjithë një botë tenderash, përfitimesh, komisionesh do të binte në ujë. Studenti do të çlirohej nga kufizimet e sotme ku pedagogu – autor teksti e mbyll studentin vetëm brenda dijes që ka ndryrë aty, sepse çdo dalje jashtë tij, që e ndih studentin, rrënon ekonomikisht interesa jo legalë.

Sigurisht, kjo kërkon që të mbulohet me wifi i gjithë territori i vendit. Por është një investim që pushteti mund ta bëjë për disa funksione njëherazi, që nga shërbimet postare, votimi elektronik, arsimi, shërbimi shëndetësor etj.

Ku do të gjenden këto para – nga përparësitë buxhetore. Por, edhe sepse shumë investime brick and mortar mund të zëvendësohen nga investime për teknologjitë e reja të informacionit dhe komunikimit, pra për realitetin virtual. Në vend të kampuseve korruptive gjigande, të premtuara por të pangritura, të bëra tashmë të panevojshme, mund të investohet fort në mbulimin e territorit, cep mali e cep përroi, me internet. Në këtë mënyrë do të rritej edhe fuqia blerëse e familjes shqiptare dhe ekonomia lokale. Ata qindra miliona a miliarda lekë që familjet shqiptare i hedhin për formimin universitar të bijve dhe bijave të tyre, duke paguar qira apartamentesh private, ushqim, konvikte, para për udhëtime, a shpenzime të tjera, do të harxhohen në ekonomitë e qarqeve të ndryshme. Ekonomia lokale do të kishte një frymëmarrje më tepër. Brezi i ri do të kalonte një pjesë të kohës në qytetet kryesore të vendit, në lidhje me të rinj e të reja nga i gjithë vendi, instrument emancipimi, si edhe uniteti kombëtar, por, nga ana tjetër, nuk do ta boshatiste territorin rural ose periferik të vendit.

Zonat periferike nuk do të zbrazeshin nga universitetet prej popullsisë së tyre rinore. Këta të rinj e të reja do të ishin një potencial intelektual i lidhur me territorret e tyre tradicionale lokale, si edhe nuk do të shkëpusnin lidhjet për të mos u kthyer më në vendlindjet e tyre. Decentralizimi i ekonomisë do të ishte në një rrugë të mbarë.

Mirëpo e gjithë kjo bie në kundërshtim me grosistin tregtar në Tiranë a gjetiu. Strategjia e tij është që mundësisht e gjithë popullsia të mblidhet në Tiranë ose në dy a tri qendra të banuara. Kjo i jep mundësinë të kursejë shpenzimet e shpërndarjes së mallrave në zona të ndryshme, të kursejë ngritjen e qendrave të shitjes anembanë territorit, të shkurtojë distancën nga magazina e tij qendrore deri në pikat e shitjes, si edhe të shkëpusë popullsinë nga sipërmarrja e vogël familjare, duke e kthyer sa më shumë atë nga prodhuese në thjesht konsumatore.

Shihet qartë pra që nuk janë të rastit vonesat tona në digjitalizim, në mbulimin e territorit me mbulim sinjali interneti, në mësimin online. Kjo mënyrë e re komunikimi ka përballë pikërisht një aleancë të fortë, «të shenjtë», midis politikanit autoritar, pedagogut të paaftë, burokratit fuqiplotë universitar, grosistit monopolist, pushtetarit elektoralist, sipërmarrësit që ka investuar në biznese që u ka ikur koha dhe një radhe të gjatë mëkatarësh që janë armiqtë e progresit.

Të fundit

Autostrada mbushet me kanabis/ Trafikantëve iu hapet dera e furgonit gjatë lëvizjes, policia i kap mat

Ndryshe nga herët e tjera, ku çdo gjë kishte shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, një gabim...

Covid-19/ Shënohet ulje e rasteve ditore, shifër e lartë e të shëruarve në vend

Në 24 orët e fundit janë shënuar 1059 raste të reja pozitive dhe 14 viktima duke bërë që shifrat në vendit tonë të jetë...

Çfarë po ndodh? Sonte rikthehet Ana 1 në Përputhen

Ana njofton se sonte i rikthehet “Për’puthen” Ish-konkurrentja e “Për’puthen”, Ana Lleshi, ka njoftuar se sonte do të rikthehet në këtë emision, shkruan Express. Përmes një...

“Përvëlohen për s*ks”/ Nuk do e besoni se kur e shijojnë më shumë marrëdhënien femrat

Ndoshta pjesa më e madhe do të mendojnë se bëhet fjalë për vajzat e reja, ato që janë rreth 20 vjeç, por jo. Zbulime...

Provimet, sezoni, mungesat/ Universiteti i Mjekësisë zbardh vendimin

Universiteti i Mjekësisë ka marrë vendimin për provimet online dhe në auditor. Sipas abc sezoni do të zgjatet 45 ditë. Studentet nuk do të...

Lajme të tjera

Web TV